Nga veprimtaria e Portit

Nga veprimtaria e Portit
2 Gazeta T&I Durrës Nr 27
  • 1-16 shtator 2018, mbi 58 mijë udhëtarë me tragete                                                                                     

Mbi 58 mijë udhëtarë kanë preferuar të lundrojnë me tragete gjatë periudhës 1-16 shtator të këtij viti. Nga të dhënat operative të APD, mësohet se megjithëse ka përfunduar kthimi masiv i bashkëatdhetarëve që kaluan pushimet verore pranë familjeve në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni, numri ditor i udhëtarëve me tragete mbetet i lartë. Kështu, 44.584 udhëtarë me 9.051 autovetura janë nisur në këto 16 ditë nga Durrësi drejt porteve të Barit dhe Ankonës. Po ashtu në të njejtën periudhë tragetet kanë transportuar edhe 1690 kamjonë. Nga statistikat operative mësohet se që nga fillimi i këtij muaji në Durrës kanë mbërritur 13.490 udhëtarë të tjerë me 2873 autovetura gjithsej, si dhe me 1.784 kamjonë gjithsej. Gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti tragetet u shfrytëzuan nga 384 mijë udhëtarë gjithsej.

•  Mbi 2.4 milion ton mallra në 8 muaj me anije dhe tragete
Gushti 2018, 7 përqind më shumë se sa i njejti muaj 2017- Gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 2.425.153 ton mallra me anije dhe tragete, ose 25 mijë ton më shumë se sa e njejta periudhë e vitit 2017.
Nga statistikat portuale mësohet se tragetet në 8 muajt e parë të vitit kanë transportuar nga/drejt Durrësit, Barit dhe Ankonës afro 570 mijë ton mallra të ndryshëm të ngarkuar në kamjonë dhe trajlerë, duke shënuar një rritje prej 8 përqind krahasuar me 8-mujorin e vitit 2017.
Pjesa tjetër është përpunuar në anijet tregtare me mallra. Sektori i Statistikave në APD, bën me dije se vetëm gjatë muajit gusht janë përpunuar afro 300 mijë ton mallra, ose 7 përqind më shumë se sa në gushtin e vitit 2017. Që nga fillimi i këtij viti në kalatat e portit më të madh të vendit janë përpunuar 372 anije tregtare dhe 689 tragete gjithsej.

•  2018, veliera “Sea Cloud” për të katërtën herë në port

Veliera “Sea Cloud” u ankorua për të katërtën herë gjatë këtij viti në kalatat e portit të Durrësit. 53 nga 60 turistët në bord janë shtetas nga SHBA, ndërsa pjesa tjetër nga Kanadaja, Gjermania, Kosta Rica dhe Hollanda – bën të ditur agjencia “Intermed Shipping.
Që prej 7 vitesh veliera “Sea Cloud” vjen rregullisht në portin e Durrësit.

 

•  Janar gusht 2018, përpunohen 122 anije me 90.756 kontejnerë TEU

Mbi 90 mijë kontejnerë janë përpunuar gjatë 8 muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit.
Sipas Sektorit të Statistikave në APD, në Terminalin e Kontejnerëve në periudhën janar-gusht 2018 janë përpunuar 122 anije të specializuara gjithsej.
Shifrat e periudhës janar-korrik 2018 dëshmojnë për një numër prej 15.532 njësi kontejnerike TEU më të lartë se sa e njejta periudhë e vitit 2017.
Në anijet e specializuara janë përpunuar 45.527 kontejnerë TEU për eksport, ndërsa shifrat e kontejnerëve të importit në 8 muaj arrijnë në 45.229 gjithsej.

•  Në 8 muaj, 313 jahte turistikë në portin më të madh të vendit
Fillimshtatori solli në kalatën 4 superjahtin me gjatësi 133 metra Numri i jahteve turistike që janë ankoruar në kalatat e portit më të madh të vendit gjatë 8 muajve të parë të vitit 2018 e ka tejkaluar shifrën vjetore të vitit paraardhës prej 294 jahtesh të ankoruara gjithsej. Që nga fillimi i këtij viti deri në fund të muajit gusht në portin e Durrësit janë ankoruar 313 jahte. Ndërkaq, në ditët e para të shtatorit 2018 veç jahteve të tjerë në port, në kalatën 4 u ankorua jahti luksoz “Al Mirqab” me gjatësi 133 metra, një nga më të mëdhenjtë që kanë mbërritur ndonjëherë në Durrës. Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se prej më shumë se një viti në Durrës vazhdojnë të ankorohen një numër i madh jahtesh me gjatësi mbi 50 metra, përgjithësisht prodhime të viteve të fundit në kantiere të njohura të botës.
Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe drejtuesit e jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike dhe muzeale të qytetit tonë. APD ka marrë masat për të mbështetur me shërbimet përkatëse personelin e jahteve gjatë qëndrimit në portin e Durrësit. Koha e qëndrimit të jahteve turistike në kalatat 1-5 të Terminalit perëndimor arrin në rreth një javë.

• Kroçera “Gemini” me 670 turistë nga Turqia, nga fillimi i korrikut dy herë në Durrës
Kroçera “Gemini” me 670 turistë nga Turqia në bord ka mbërritur në Durrës për të dytën herë që nga fillimi i muajit korrik. Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se kroçera “Gemini” me gjatësi 164 metra dhe flamur Bahamas ishte nisur mbrëmjen e kaluar nga një prej ishujve të Greqisë dhe do të qëndrojë e ankoruar në Durrës deri në orën 20.00, kur parashikohet të niset drejt Kotorrit (Mali i Zi). Gjatë orëve të qëndrimit në vendin tonë, grupet e turistëve do të vizitojnë qendrat muzeale dhe arkeologjike në qytetet e Durrësit, Krujës, Tiranës dhe Beratit.

• Studentët nga Gjermania, leksion njohës për migrimin në port

Një grup studentësh gjermanë vizituan sot paradite portin e Durrësit, me synimin për tu njohur më nga afër “me rolin historik që ky institucion ka luajtur në procesin e migrimit në Shqiperi pas vitit 1990 dhe peshën kryesore që luan aktualisht si porta më e madhe hyrëse dhe dalëse e pasagjerëve në Shqipëri”.
Pas përshëndetjes dhe prezantimit të zhvillimeve portuale nga znj. Sonila Toska, zv. Drejtore e APD, studentët bashkëbiseduan me Zëdhënësin e APD, Gëzim Kabashi, i cili u ndal veçanërisht në historinë e qytetit – port 3.000-vjeçar, eksodin e viteve 1990 nëpërmjet portit dhe shkëmbimeve intensive ekonomike e të kulturave, proçes ku bashkëatdhetarët e emigruar kontribuan si ura lidhëse mes atdheut dhe vendeve ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh.
Së bashku me pedagogët e tyre prof. dr. Daniel Goler, prof. dr. Dhimitër Doka dhe dr. Nevila Çina, studentët nga Gjermania vizituan më pas Terminalin e Trageteve, ku u interesuan për lëvizjen dhe volumet e përpunimit të udhëtarëve, automjeteve dhe kamionëve. Në kuadër të zhvillimit të shkollës verore “Go East Sommer Shcule”, të zhvilluar nga Universiteti “Aleksander Moisiu” Durrës në bashkëpunim me Universitetin e Bambergut dhe Universitetin e Tiranës, studentë vendas dhe të huaj do të zhvillojnë vizita njohëse të tjera në portin e Durrësit.

  • 693 turistë nga 23 vende të ndryshme të botës kanë mbërritur të dielën e dytë të shtatoritnë portin e Durrësit. Burime nga agjencia pritëse “Intermed Shiping”, bëjnë të ditur se kroçera “Seven Seas Voyager” ka sjellë në qytetin-port 517 turistë nga SHBA, si dhe të tjerë nga Australia (50), Anglia (32), nga Kanadaja (27), Afrika e Jugut, Spanja, Gjermania, Japonia, Uruguai, Meksika, Malajzia, etj. Kroçera me gjatësi 206 metra u ankorua në kalatën 5 të portit dhe udhëtarët e saj kanë kryer vizita të organizuara turistike në Durrës, Krujë, Tiranë dhe Berat. Turi 1-javor i kroçerës “Seven Seas Voyager” ka nisur nga Venecia dhe ka përfunduar në Çivitavechia, po në Itali.