Ja çfarë mund të përfitojë biznesi vendas
Qeveria shqiptare, nëpërmjet Komitetit të Planifikimit Strategjik, ka përzgjedhur 143 projekte prioritare publike, të cilat kushtojnë 13.7 miliardë euro, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave. Kjo paketë e miratuar përbëhet nga projekte dhe përfshin sektorët:
(a)-Transporti (rrugor, hekurudhor, detar, ajror); (b) Energjia (Transmetim, efikasiteti i energjisë); (c) Mjedisi (uji dhe kanalizimet, mbrojtja nga përmbytjet, ndotja e ajrit);
(d) Infrastruktura sociale (arsimi & sportet, shëndeti, arti-kultura, mbështetje për burgjet, banesat sociale, arsimi profesional); (e) Infrastruktura e biznesit (marina, turizëm dhe infrastruktura broadband).
Ministria e Financave, në një njoftim dërguar shtypit, shprehet se grupi i Menaxhimit të Buxhetit ka organizuar organizuar tre mbledhje për të koordinuar dhe për të kryer një analizë teknike të shëndoshë të projekteve pjesë e paketës.
Paketa përbëhet nga 2 kategori kryesore: Kategoria I, projektet rajonale kosto 2,2 miliardë euro
Në kategoritë e parë përfshihen Projektet e Rrjetit Kryesor dhe Projektet e Zhvillimit Ndërkufitar të Ballkanit. Në të përfshihen 21 projekte me një kosto totale investimi prej 2.2 miliard euro.
Ministria e Financave pohon se, boshllëku financiar për këtë kategori është 79%. Pjesa tjetër e investimeve përbëhet nga 3% grante, 6% hua dhe 2% nga buxheti kombëtar nëpërmjet PBA-së. Në këtë kategori, është parashikuar që 10% e shumës totale të mund të zbatohet nëpërmjet financimit të PPP-ve si një burim potencial.
Kategoria II, projektet me rëndësi kombëtare kushtojnë 11.5 mld euro.
Në kategorinë e dytë të paketës së projekteve strategjike janë ato me karakter kombëtar dhe rajonal që përfshijnë tre nën-kategori projektesh: kombëtare; zhvillim rajonal; zhvillim lokal.
Kostoja e investimeve totale për këtë kategori është 11.5 miliard euro, nga e cila rezulton një boshllëk financiar prej 28%. Shuma e granteve për këto kategori është 3%, 13% për hua dhe 3% nga buxheti i shtetit nëpërmjet PBA-së. Në këtë kategori, 11% e shumës totale është parashikuar si një potencial për financimin nga PPP-të dhe 42% si potencial nga investimet private. Ministria është e interesuar të tërheqë në këto projekte edhe vëmendjen e investitorëve potencialë vendas. Për këtë qëllim ajo ka planifikuar edhe ndryshimin e ligjit “Për investimet”, i cili deri sot ka qënë një ligj që ofronte lehtësi vetëm për investitorët e huaj dhe pritet që brenda vitit të ardhshëm, të njëjtin status, ta kenë edhe sipërmarrësit shqiptarë.