Lajme shkurt

Lajme shkurt
3 Gazeta T&I Durrës Nr 27
  • Ulen huatë, ulet edhe kthimi i huasë

Pesha e huave që nuk janë kthyer në afat, ndaj totalit të kredisë ka shënuar sërish rritje në muajin korrik. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, huaja që nuk kthehet për të paktën tre muaj në banka ishte 13.36%. Në raport me dhjetorin 2017, kur ky tregues zbriti në 13.23%, niveli më i ulët në shtatë vjet. Një faktor që ka ndikuar në mosuljen e treguesit të NPL-ve muajt e fundit lidhet edhe me stanjacionin në kreditimin e ekonomisë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bënë me dije së fundmi se në korrik, stoku i huasë ra me 2.1% me bazë vjetore.

Në vlerë absolute, kredia që nuk është kthyer në afat në banka ishte 71 miliardë lekë në fund të muajit korrik, ose rreth 530 milionë euro. Në raport me dhjetorin 2017, kredia me probleme në vlerë absolute ka rënë me 2.2%.

Ndërsa kredia për ekonominë u gjallërua lehtë në muajin korrik, por shënoi rënie vjetore me 2.2 për qind (korrik 2018/korrik 2017). Stoku  kredisë ra në 532,9 miliardë lekë në fund në fund të korrikut nga 545.4 lekë që ishte në korrikun e vitit të kaluar.

Rënia më e madhe është shënuar në sektorin e biznesit, ku kredia ishte -3.6 % më e ulët se një vit më parë. Stoku  kredisë për biznesin arriti 321,6 miliardë lekë nga 333.8 miliardë lekë që ishte në korrikun e vitit të kaluar. Stoku i huasë për bizneset shënoi rënie me 9.1 miliardë lekë.

  • Prodhimet bujqësore, tani sipas EUROSTAT

INSTAT publikoi për herë të parë Indeksin e Çmimeve në  Bujqësi (IÇB), të shtrirë me vit bazë 2015 deri në 2017. Indeksi i çmimeve të prodhimeve bujqësore në vitin 2017 shënoi një rënie me 0,7 % krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2017, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore shënoi rënie me 0,9 %, dhe indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale, shënoi rënie me 0,4 %, krahasuar me një vit më parë.

INSTAT sqaroi se, indeksi i çmimeve të prodhimeve bujqësore mat ndryshimet e çmimeve të produkteve bujqësore në nivel vendi dhe mundëson krahasimin e tyre me shtetet e tjera.

Këto të dhëna japin informacion mbi ecurinë e çmimeve për prodhimet bimore, prodhimet e blegtorisë dhe produkteve të tjera blegtorale gjatë një periudhe të caktuar kohe. indekset e çmimeve të prodhimeve bujqësore llogariten duke përdorur “çmimet e prodhimit”, të grumbulluara në ferma, duke përjashtuar taksat.

Indekset e çmimeve të prodhimeve bujqësore llogariten bazuar në standardet dhe rregullat të përshkuar në Manualin e Çmimeve të Produkteve Bujqësore të Eurostat. Mbledhja e të dhënave kryet pranë fermave, tregjeve të gjësë së gjallë, tregjet e shumicës dhe vende të tjera ku prodhimet bujqësore mund të grumbullohen. informacioni merret vetëm për çmimet në nivel ferme për produktet vendase, duke përjashtuar taksat. Ato janë llogaritur në Lek, kurse njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

  • Kasë fiskale edhe për shoqëritë e sigurimeve

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i bën më dije të gjitha shoqërive të sigurimit, risigurimit dhe agjentëve të tyre se e kanë detyrim ligjor, përdorimin e pajisjeve fiskale.

Ky detyrim, sipas DPT, buron nga ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe më konkretisht nenin 54 dhe 55. Këto shoqëri e kanë këtë detyrim, si tatimpagues për përdorimin e pajisjeve fiskale, pavarësisht se janë institucione financiare.

Në dispozitat ligjore të referuar më sipër përcaktohet se: “Të gjithë tatimpaguesit e shitjeve me pakicë, që shesin mallra apo ofrojnë shërbime në mjedise apo njësi të përhershme, të hapura për publikun, duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kupona tatimorë për çdo transaksion.

Subjektet, që detyrohen të lëshojnë kupona tatimorë lëshojnë njëherazi edhe faturë, nëse shitja apo shërbimi i kryer është për një përdorim tregtar dhe, për këtë shkak, blerësi është i detyruar ta kërkojë faturën. Gjithashtu në nenin 55, pika 1, përcaktohet se : “Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor”.

Qëllimi i Administratës Tatimore është trajtimi i njëjtë dhe në mënyrë të barabartë i të gjithë tatimpaguesve, si dhe respektimi korrekt e i njëjtë i dispozitave ligjore nga ana e tyre.

  • Banka Botërore: Rregulloni rrugët, të përfitoni nga tregtia

Shqipëria është një prej 4 vendeve që do të përfitonte më shumë me uljen e kostove të transportit të mallrave dhe lëndëve të para, në rrugë tokësore. Këtë e thotë Banka Botërore në raportin më të fundit për lidhshmërinë ndër vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore.

Raporti sqaron kështu se, vende si Shqipëria, do të përfitonin së shumti nga ulja e kostove të transportit, pasi janë vende që eksportojnë kryesisht mallra apo lëndë të para me një vlerë të shtuar të ulët. Kostot e transportit varen nga vendet  e origjinës dhe ato pritëse por edhe nga industria e transportit. Ky konstatim vjen kështu më shumë në formën e një këshille tërthorazi për autoritetet shqiptare.

  • OSHEE, tender për të ndarë financiarisht kompaninë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike parashikon të hapë një tender me objekt inventarizimin dhe vlerësimin e aktiveve materiale afatgjata, një procedurë që i hap rrugën ndarjes financiare të kompanisë. Aktualisht është zyrtarizuar vetën ndarja ligjore e saj, duke qenë se pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit janë regjistruar 3 kompanitë e reja. Ndërkohë që, për të finalizuar të gjithë procesin do të nevojitet pikërisht ndarja financiare dhe ajo e aseteve që disponon kompania.

Ndarja e OSHEE-së është një detyrim që lind nga ligji që rregullon sektorin e energjisë e që ka për qëllim menaxhimin më efiçent dhe shërbimin më cilësor ndaj klientëve. Ndërkohë pritet që njëra prej kompanive të krijuara të listohet në Bursën Shqiptare të Titujve, ALSE, duke  iu dhënë mundësi qytetarëve të bëhen pjesë e kompanisë përmes blerjes së aksioneve.

Listimi i një pakete aksionesh të OSHEE-së në Bursë do të kryhet pas përfundimit të ndarjes së kompanisë dhe  do të ndihmojë në gjetjen e financimeve në kryerjen e investimeve të nevojshme. Kompania e parë e krijuar nga ndarja ligjore është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, që do të ketë objekt të punës shpërndarjen e energjisë, duke përfshirë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e  rrjetit.

Kompania e dytë është Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe do të merret me blerjen dhe menaxhimin e energjisë në tregun e lirë. Ndërkohë që, kompania e tretë është Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe do të ketë në fokus furnizimin me energji të klientëve fundorë që veprojnë në tregune rregulluar. Ndërkaq, vetë OSHEE do të jetë një shoqëri aksionere më vete. Inventarivizimi i materialeve afatgjata do i kushtojë kompanisë 350 milion lekë dhe do të pasohet edhe me ngritjen e sistemi të administrimit dhe përgatitjen e procedurave të brendshme të menaxhimit të tyre.

  • Ngushtohet dara e informalitetit në Turizëm

Në kuadër të aksionit antiinformalitet në fushën e turizmit, qeveria shqiptare po tenton të hedhë një hap tjetër në mënyrë që të formalizojë  tërësisht strukturat akomoduese.

Burime zyrtare nga Ministria e Financave, bëjnë me dije se midis këtij institucioni dhe dy platformave më të mëdha ndërkombëtare për akomodimin si booking.com dhe AirBNB po tentohet që duke filluar që nga Janari i vitit të ardhshëm të deklarohen të gjitha transaksionet  e bëra nga këto struktura.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Turizmit, rreth 33 për qind e turizmit akomodues në vend funksionon në informalitet të plotë dhe së fundmi është kthyer në qendër të aksionit të administratës tatimore. Të dhënat tregojnë se në të gjithë vendin janë 3791 struktura akomoduese, nga të cilat 33 për qind apo 1251 struktura, janë kategoria ku përfshihen dhomat private me 16 për qind, shtëpitë private me 14 për qind dhe bujtinat me 3 për qind.

Ndër vite këto struktura kanë funksionuar dhe vazhdojnë të funksionojnë duke arkëtuar të ardhura për veten e tyre, ndërsa nuk paguajnë tatime në arkën e shtetit. Ndërsa, formalizmi në turizëm në 8 muajt e këtij vit llogaritet në vlerën e 5.6 miliardë lekëve.

  • Kontroll i përbashkët kufitar Shqipëri-Maqedoni

Qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë po punojnë për të ngritur një one-stop-shop për kontrolle të përbashkëta kufitare. Lajmi vjen nga ministri i ekonomisë i Maqedonisë, Kreshnik, Bekteshi, gjatë një deklarate për shtyp ditën e martë.

“Qëllimi i projektit është të lehtësojmë tregtinë e lirë të mallrave, të përmirësojmë menaxhimin e përbashkët të riskut dhe të rrisim volumin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve”, deklaroi Bekteshi.

Zbatimi i kontrolleve të përbashkëta kufitare është pjesë e një plani masash për krijimin e zonës ekonomike rajonale në Ballkanin Perëndimor. Sipas ministrit, Maqedonia është plotësisht e përkushtuar për të rritur bashkëpunimin me vendet e rajonit dhe për të krijuar zonën e përbashkët ekonomike, e cila do të rrisë konkurrueshmërinë e kompanive.

Rritja e bashkëpunimit në Dogana ishte në fokus të një takimi mes palëve në muajin Prill, ku u diskutua dhe mundësia e kalimit të kufirit të përbashkët Qafë Thanë-Kafasan.

Shqipëria po punon gjithashtu për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar edhe në kufijtë me Malin e Zi, Kosovën dhe Greqinë.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin