Ballkani Jugperëndimor, lëviz dhe nuk lëviz

Ballkani Jugperëndimor, lëviz dhe nuk lëviz
1 Gazeta T&I Durrës Nr 21

Ballkani Jugperëndimor, lëviz dhe nuk lëviz

  • Dhomat e Tregtisë: “One Stop Shop” për Ballkanin Jugperëndimor

Dhomat e Tregtisë së gjashtë vendeve të rajonit të Ballkanit Jugperëndimor janë mbledhur së bashku për të zhvilluar një platformë të re, e cila do të ofrojë shërbime me një ndalesë për investitorët e huaj. Platforma, e cila pritet të rrisë mundësitë e investimit në të gjithë rajonin, është miratuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).Përmes kësaj platformë me shërbimin e ri online “One Stop Shop” investitorët e huaj të interesuar për Ballkanin Jugperëndimor do të kenë mundësi që të marrin informacione mbi kuadrin ligjor dhe rregullator mbi vendet që përfshin ky rajon. Po ashtu, ata do të mund të njihen edhe me performancën e tyre makroekonomike dhe përvojën me investimet vendase dhe të huaja.

“Ne jemi duke punuar për të bashkuar kampionët lokalë dhe për t’i bërë ato të dukshme,” – tha Marko Cadez, kryetari i Forumit të Dhomës së Investimeve.

Platforma synon t’u japë investitorëve të interesuar të gjithë informacionin e duhur, por edhe lidhjet për të bërë një lëvizje në Ballkanin Jugperëndimor.

“Komunikimi mes sektorit privat dhe atij publik është shumë i rëndësishëm dhe është e rëndësishme të kemi dikë që mund të lehtësojë procesin. Ne kemi komunikim shumë të ngushtë me të gjashtë qeveritë”, shtoi më tej Cadez.

Presidenti i BERZH Suma Chakrabarti, në hapje të samitit të zhvilluar disa ditë më pare, tha se kjo platformë ka potenciale për t’u bërë një mjet i domosdoshëm për investitorët e huaj dhe për komunitetin e biznesit të rajonit.

BERZH ka investuar më shumë se 10 miliardë dollarë në të gjashtë vendet, gjë e cila i bën ata huamarrësit më të mëdhenj të parave të kësaj banke, që sipas Chakrabarti, këtë vit po planifikon të shtojë edhe një miliard dollarë të tjera.

Ballkani Jugperëndimor mbetet një zonë e fragmentuar si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, por qeveritë në të gjithë rajonin po rritin lidhjet dhe përpjekjet për të zhvilluar një infrastrukturë të përbashkët që mund të zhbllokojë potencialin ekonomik. Platforma gjithashtu mund të shihet si një hap përpara në drejtim të bashkëpunimit më të ngushtë rajonal.

“Nëse duam të shkojmë rajonalisht, ne kemi nevojë për institucione rajonale. Kjo është arsyeja pse ne po i presim gjithmonë qeveritë lokale që të angazhohen në institucione rajonale politikisht, si dhe me burime dhe talente”, përfundoi Cadez.

  • Asgjë e re për unifikimin doganor, biznesi humbet 2 milionë

Unifikimi doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës mbetet ende larg, të paktën sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në një auditim të fundit, me objekt pikërisht këtë tematikë, KLSH vlerëson se kjo nismë mbetet ende larg për aq kohë sa mungon një hap vendimtar siç është ai i unifikimit të politikave fiskale mes dy vendeve.“Veprimtaria e Ministrisë së Financave e Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme e Doganave në unifikimin e pikave doganore si proces teknik e operacional është e mangët dhe nuk ka krijuar premisat për një bashkim doganor të shpejtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk është hedhur hapi vendimtar, unifikimi i politikave fiskale, si parakusht për sigurimin e bashkimit doganor, i cili përbën një potencial për rritjen e shkëmbimit të mallrave, rritjen e ekonomisë për dy vendet, si dhe një parapërgatitje e proçes maturimi për institucionet shqiptare për t’u bërë ballë sfidave që parashtron integrimi në tregun europian” vlerëson KLSH.

Duke u ndalur edhe tek Porti i Shëngjinit apo Durrësit, që jo në pak raste janë lakuar si pika doganore, ku pala kosovare do të kishte aksesin direkt, KLSH analizon se për të parin nuk ka një analizë të mirëfilltë, kurse për të dytin ka pasur vonesa që biznesit i kushton të paktën 2 milionë euro për shkak të burokracive.

“Braktisja e projektit për kalimin e Portit të Shëngjinit në shërbim të Doganës së Kosovës, pa u kryer një studim i mirëfilltë për potencialet dhe përfitimet ekonomike që do të sillte për të dy vendet, ka shkaktuar një mungesë përgatitjeje institucionale, e cila është reflektuar edhe në shtyrjen e operimit të doganës së Kosovës në Portin e Durrësit. Grupi i Auditimit ishte informuar nga Ministria e Financave të Shqipërisë se, operimi i doganës së Kosovës në Portin e Durrësit do të fillonte në dhjetor 2017, për të cilën është përgatitur edhe një projektvendim i Këshillit të Ministrave “Për lejimin e kryerjes së kontrolleve fizike nga zyrtarët e zyrës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit dhe Porto Romano dhe njohjen e licencave të agjencive të përfaqësimit Doganor të Kosovës”, – nënvizon KLSH.

Fakti që zyra doganore e Kosovës nuk u hap në muajin dhjetor (dhe as më vonë në 2018) në Portin e Durrësit, sipas KLSH, përbën një tërheqje nga projekti duke qenë se pala shqiptare nuk ka marrë asnjë masë për të plotësuar kriteret bazike të operimit.  Porti i Durrësit ka edhe një volum të dukshëm të mallrave që tranzitohen apo përpunohen me destinacion Kosovën. “Nga operimi i plotë i doganës kosovare në Portin e Durrësit, bizneset do të përfitonin një ulje të kostos aktuale me rreth 2 milionë euro në vit, si rrjedhojë e shkurtimit të kohës së operimit” thuhet në raport.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin