Bursa Shqiptare e Titujve

Bursa Shqiptare e Titujve
1 Gazeta T&I Durrës Nr 23

Themelimi i ALSE, Bursa Shqiptare e Titujve, ka ngjallur shumë interes tek sipërmarrësit dhe qytetarët. Për këtë arsye, Dhoma mori në intervstë personin më kompetent për këtë çështje, vetë zotin Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv i saj, i cili me shumë dashamirësi iu përgjigj gjërësisht pyetjeve, si më poshtë:
Pyetje: Si fillim, çfarë është “Bursa Shqiptare e Titujve”?
Përgjigje: Në koncept Bursa është një treg, dhe si çdo treg është mekanizmi që ballafaqon kërkesën dhe ofertën, në rastin tonë për instrumente financiare (tituj ose sic njihen ndryshe letra me vlerë). Sa i përket Bursës Shqiptare të Titujve, ALSE, ajo nisi si një projekt nga një grup ekspertësh të tregut financiar dhe më pas u mbështet financiarisht nga një grup bankash dhe institucionesh të tjera financiare, pasi shihnin tek ajo një potencial të madh. Bursa shihet si mekanzimi promotor për nxitjen e zhvillimit të tregut të kapitaleve, ndryshe ajo do të lehtësojë metodat e financimit të biznesit në vend.

Pyetje: Në vendimin Nr. 88, datë 03.07.2017 të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF) që licensoi Bursën ALSE si bursën e parë private shqiptare thuhet se “Shoqëria “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE” sh.a., 1 vit pas vënies në funksionim të infrastrukturës teknike, do të ushtrojë vetëm veprimtarinë në titujt e Qeverisë të Republikës së Shqipërisë”. A mund të shpjegojmë me terma konkretë këtë të drejtë tuajën?
Përgjigje: Licensa e dhënë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është një licensë e plotë, pra për të gjithë gamën e instrumentave financiare, përfshirë titujt e emetuara nga biznesi (aksione, obligacione të korporatave). Por, duke qenë se arkitektura e tregut aktualisht është e mangët, është i pamundur listimi dhe tregtimi i titujve të biznesit, sepse mungon një databazë i pronësisë së titujve të biznesit (në gjuhen teknike quhet depozitari i titujve), që të mundësojë ndryshimin e pronësisë në këto tituj pasi ato tregtohen në Bursën ALSE. Ndërkohë që në Bankën e Shqipërisë ekziston një databazë, e cila së bashku me bankat kujdestare të licensuara nga AMF mban informacionet e pronësisë mbi titujt e borxhit të Qeverisë (bono dhe obligacione thesari) dhe quhet AFISaR. Pikërisht për këtë arsye, aktiviteti i ALSE është i kufizuar vetëm në tregtimin e këtyre instrumenteve, sepse vetëm për ta mund të bëjmë të dhëna të detajuara të pronësisë mbi ta.

Pyetje: Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a., (Albanian Stock Exchange) është komentuar se do të jetë një mundësi e mirë për të tërhequr, në vitet në vazhdim, edhe kompani nga zona të tjera shqipfolëse, siç është tregu i Kosovës, duke shërbyer edhe si një platformë bashkuese për të gjithë investitorët shqiptarë. Po mbushet afër një vit nga ushtrimi i veprimtarisë së saj, cilat janë disa nga arritjet apo zhvillimet në tregun shqiptar dhe më gjerë?
Përgjigje:Padyshim një ndër objektivat tanë afatmesëm është edhe krijimi i mundësive për listimin dhe kuotimin e titujve të subjekteve që vijnë nga Kosova ose më gjerë. Dy – listimi dhe integrimi rajonal i bursave është një fenomen krejt normal në tregjet financiare, e sidomos në tregjet e vogla. Sa i përket arritjeve, duhet thënë se pavarësisht licensës që në Korrik të 2017, Bursa ALSE ka filluar zyrtarisht tregtimin e titujve të Qeverisë ne muajin Shkurt 2018, për shkak se proçesi teknik i integrimit të sistemit të bursës me depozitarin AFISaR (databazën e titujve) kërkonte kohën e vet, duke përfshirë edhe testimin e sistemeve në ambjent virtual. Tashmë që kemi më shumë se 3 muaj që tregtojmë në mënyrë të rregullt për institucionet financiare në vend, duhet thënë që volumet e tregtimit dhe xhiroja i kanë kaluar disa dhjetra milionë euro, çka është një shifër shumë herë me e lartë se pritshmëria jonë. Ndërkohë, jemi duke punuar fuqishëm për plotësimin e mangësive ligjore dhe institucionale në sistemin financiar vendas, duke krijuar depozitarin (databazën) që do të mbajë të dhëna të sakta për pronësinë e titujve të biznesit (aksione, obligacione të korporatave). Shpresojmë që brenda vitit 2018 të jemi gati për të hapur dyert për lisitmin e aksioneve të kompanive private shqiptare.

Pyetje: Aktualisht, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka iniciuar një projekt rajonal (SEE Link) ku është e përfshirë Bursa e Sllovenisë, Bullgarisë, Maqedonisë, Kroacisë e Serbisë dhe synon krijimin e një infrastrukture për tregtimin e letrave me vlerë në këto vende dhe për rritjen e bashkëpunimit mes tyre në këtë drejtim. A synohet nga ju integrimi në platformat e ngjashme rajonale, të themi, si një shans më shumë për Shqipërinë për gjetjen e burimeve alternative të financimit?
Përgjigje:Sic e thashë edhe më lart, integrimi i bursave të vogla në bursa më të mëdha është një trend normal, sepse optimizohen kostot dhe rriten volumet e tregtimit, duke u bërë më joshëse për investitorët e mëdhenj të tregjeve financiare ndërkombëtare. Në këtë kuadër është edhe nisma e BERZH për bursat e Ballkanit. Natyrisht që edhe Bursa ALSE s’mund të jetë e përjashtuar nga këto trende, por në mënyrë që të ngjallësh interesin e investitorëve të huaj më parë duhet të kesh një historik të listimit dhe tregtimit të titujve. Bursa ALSE ende s’ka krijuar historikun e saj. Ndaj gjykojmë që në afatmesëm ALSE do përpiqet që të bëhet e besueshme për biznesin vendas që të listohet e të tregtojë titujt brenda ekonomisë shqiptare. Në një periudhë afatmesme më pas, Bursa ALSE do të marrë seriozisht në konsideratë përfshirjen e saj në platformën e përbashkët SEE Link të financuar nga BERZH.

Pyetje: Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE sh.a. është një shoqëri aksionere, me tre aksionerë themelues: Banka Credins sh.a., Banka Amerikane e Investimeve sh.a. dhe shoqëria AK Invest sh.a. Pra, shoqëri të interesuara lidhur me veprimtaritë e tregut të kapitalit, aktivitetin e emetuesve të titujve të listuar në bursën e titujve dhe aktivitetin e anëtarëve të bursës së titujve, etj. A kanë ato një konflikt interesi, në këtë rast?
Përgjigje:Jo, absolutisht jo. Në të gjithë vendet e botës bursat janë nën pronësi kryesisht të ndërmjetësve financiarë (banka, firma brokerimi, depozitarë titujsh). Në një pjesë jo të vogël vendesh edhe shteti ka një pjesë të aksioneve të bursave kombëtare, ndërsa vetëm në pak bursa aksionet zotërohen nga publiku investitor dhe aksionet e ketyre bursave janë të listuara në vetë tregun e bursës.

Pyetje: Sipas licensës, transaksionet e Bursës do përqendrohen në tregtimin e titujve të qeverisë, apo dhe në tregtimin e aksioneve të shoqërive të dala nga privatizimi?
Përgjigje:Prioritet do u jepet listimit të titujve të biznesit që është me fitim, është serioz, është transparent në përgatitjen e pasqyrave financiare e kështu me radhë. Megjithatë, është menduar që një treg specifik t’u mundësohet kuoptimi dhe tregtimi edhe titujve që mbartin një nivel risku pak më të lartë sic janë aksionet e kompanive start-up, aksionet e kompanive të privatizuara, etj. Ky treg specifik do të shërbejë si një “dritare likuiditeti” për zotëruesit e këtyre aksioneve, dhe një mundësi për të tjerët që duan të diversifikojnë portofolet me tituj pak më riskozë se mesatarja e tregut.

Pyetje: Në tregun shqiptar, krijimi i një burse është aktivitet progresiv për ekonominë e vendit, një pikë takimi midis njësive ekonomike për të gjetur kapital dhe për të rritur biznesin e tyre si dhe qeverisë për të gjetur financime për projekte zhvilluese dhe për pushtetin vendor. Mendoni se një bursë me kapital privat mund të ndihmojë këtë proces? A keni ndonjë gjykim për Bursën e Tiranës, e cila “u tret” pa lënë ndonjë gjurmë në misionin që mori përsipër?
Përgjigje:Bursa e Tiranës dështoi të ishte e suksesshme, sepse kurrë nuk pati mbështetjen e aksionerit (shtetit) qoftë me kapital, me mjete (sistemi elektronik i tregtimit) apo me instrumente (kanalizimi i procesit të privatizimit në bursë). Ndërkohë që një bursë me kapital privat i ka të gjitha këto potenciale si në aspektin e kapitalit, mbështetjes nga disa prej institucioenve financiare më të rëndësishme në vend, si dhe ka një sistem elektronik tregtimi të testuar dhe të përdorur nga 10 bursa në mbarë botën, 4 prej të cilave janë në Ballkan. Këto janë arsyet pse shanset e Bursës ALSE janë shumë herë më të mëdha për të qenë të suksesshme. Megjithatë, këtu duhet përmendur edhe përmirësimi i ambjentit ekonomin, politika monetare e Bankës së Shqipërisë dhe një sërë faktorësh që e lehtësojnë suksesin e Bursës ALSE në situatën aktuale.

Pyetje: Krijimi i bursës në Shqipëri, sipas konceptit tonë, synon t’u japë mundësi investitorëve të vegjël të përfshihen në tregun e letrave me vlerë, në mënyrë transparente. A ekziston baza e plotë ligjore dhë nënligjore që mundëson një gjë të tillë? Çfarë mund e duhet bërë më mirë për ta bërë bursën funksionale?
Përgjigje:Baza ligjore që rregullon industrinë financiare është në fuqi që në vitin 1996. Ka pësuar një pëmirësim të konsiderueshëm në vitin 2008, dhe aktualisht është një një proces rishikimi dhe përshtatje me Direktivat e BE nga ekspertët e Bankës Botërore që po asistojnë AMF në këtë aspekt. Sa i përket investitorëve, absolutisht çdo individ ka të drejtën dhe mundësinë të investojë në bursë (nëse ka dëshirë dhe fonde të lira), por këtë duhet ta bëjë gjithmonë nëpërmjet një ndërmjetësi financiar të licensuar nga AMF (bankë apo firmë brokerimi). Individët nuk munden të aksesojnë në mënyrë direkte sistemin e tregtimit të titujve në Bursën ALSE. Ata komunikojnë me brokerin e tyre, dhe është ky i fundit që i përcjell sistemit vendimin për të blerë/shitur tituj në ALSE.
Ka plot fusha dhe instrumente që mund të nxisin zhvillimin e Bursës në sShqipëri. Bazuar në eksperiencat më të mira ndërkombëtare mund të fillohet që nga elementët detyrues (ka vende që detyrojnë biznesin mbi një kapital të caktuar të listohet në Bursë në mënyrë që të jetë transparent financiarisht), e deri tek incentivat fiskale (përjashtim apo reduktim taksash për një kohë të caktuar për bizneset që listohen në Bursë). Gjithashtu, ka ende kompani në pronësi të shtetit të cilat kanë pasqyra finaanciare shumë serioze dhe me fitim. Thënë kjo ende mundësia e kanalizimit të procesit të privatizimit të këtyre ndërmarrjeve shtetërore ekziston, mjafton të ketë vullnet pozitiv. Psh ka kompani shumë serioze si OST, OSHEE, Posta Shqiptare apo Autoriteti Portual Durrës sh.a. të cilat janë kandidatë potencialë për listimin në Bursën sh.a, nëse ky vullnet shprehet qartë nga pronari (shtet).

Pyetje: Menjëherë pas licensimit Bursa Shqiptare e Titujve ALSE u ka bërë me dije subjekteve të interesuara për të tregtuar (blerë apo shitur) tituj të qeverisë para afatit të maturimit, se mund t’i paraqesin kërkesat dhe ofertat e tyre në platformën elektronike të tregtimit, vetëm nëpërmjet Bankave apo Firmave të Brokerimit, që janë të anëtarësuara pranë këtij tregu zyrtar. Kemi ndonjë zhvillim në këtë drejtim? A është përgatitur e gjithë infrastruktura institucionale për procesin e klerimit dhe shlyerjes e titujve joqeveritarë (aksione, obligacione), sepse në arkitekturën aktuale të tregut mungojnë institucione specifike që do të mundësonin ofrimin e këtij shërbimi?
Përgjigje: Siç ju thashë edhe më lart, jo vetëm kjo infrastrukturë është përgatitur në periudhën Korrik 2017 (kur u mor licensa nga AMF), por edhe ka filluar tregtimi i këtyre titujve që në Shkurt 2018. Pra, jo vetëm infrastruktura është funksionale, por edhe ka filluar të përdoret nga investitorët dhe institucionet financiare. Individët apo subjektet e interesuara, mund të kontaktojnë ato institucione financiare që u është dhënë e drejta të tregtojnë në ALSE (anëtarët). Aktualisht Bursa ALSE ka 4 anëtarë të cilët janë: ABI Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare (ICB), Banka Credins dhe Banka Tirana. Bursa ALSE publikon çdo ditë në faqen e saj zyrtare www.alse.al informacione të detajuara në lidhje me transaksionet në tituj që ekzekutohen në ditët e tregtimit.