Hekurudha gati

Në ditën e Europës plotësohet financimi i një prej projekteve më të rëndësishme në sektorin e hekurudhës. Tashmë janë gati 90,45 milionë Euro për të parin projekt të hekurudhës pas dhjetra vitesh. Autoritetet shqiptare dhe të huaja firmosën marrëveshjen e grantit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe degëzimin me Rinasin. Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën prej 90.45 milionë Euro. Granti i akorduar nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor, marrëveshje e cila edhe u firmos nga autoritetet, është në shumën prej 35.435 milion Euro. Pjesa tjetër e financimit është përmes një kredie nga BERZH në shumën 36.8 milion Euro, ndërsa 16 milion euro financohen nga qeveria shqiptare.
Mësohet se ky projekt do të ndikojë në cilësinë e lëvizjes së qytetarëve midis dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit Nënë Tereza do të jetë rreth 12 minuta me tren ekspres, ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 22 minuta. Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore.
Sipas autoriteteve, sektori i hekurudhës dhe këto lidhje që do të krijohen, do të ndihmojnë që të afrojnë Shqipërinë jo vetëm me vendet fqinje, por edhe me pjesët e tjera të rajonit dhe natyrisht edhe me BE. Projekti gjithashtu do të ketë një impakt të madh në ekonomi dhe këtë do ta arrijë me anë të përmirësit të flukseve në tregti.
Mësohet nga burime zyrtare se po punohet edhe për projekte të tjera në infrastrukturën hekurudhore, si ai për lidhjen e Vorës me Shkodrën dhe Hanin e Hotit drejt Malit të Zi. Ky projekt përveçse rehabiliton linjën e amortizuar nga Vora në Shkodër, do të mundësojë dhe standartizimin e hekurudhës me Malin e Zi, si dhe fokusohet në krijimin e lidhjeve hekurudhore efikase midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Projekt tjetër hekurudhor që është aktualisht në fazën e studimit të fizibilitetit, është Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Pogradec – Lin dhe ndërtimi i linjës së re Lin – kufiri me Maqedoninë (koridori VIII, pjesa hekurudhore). Qeveria shqiptare po shikon mundësinë e lidhjes se rrjetit tonë hekurudhor, me korridorin hekurudhor TEN-T Orient/East Med ne Greqi nëpërmjet Kapshticës dhe Follorinës përkatësisht ne linjën hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec – Kapshticë – Follorinë – Selanik /Athinë (Pireu) që lidh portin e Durrësit në Detin Adriatik me portin e Selanikut dhe të Pireut në Athinë, të cilat janë nga portet më të mëdhenj të mallrave në Mesdhe.
Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Durrësi në Tiranë dhe lidhja hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës është një nga projektet më strategjike dhe të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare. Segmenti hekurudhor Tiranë – Durrës dhe lidhja me aeroportin e Rinasit është tashmë pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor: Route 2 – Podgoricë – Durrës / Tiranë. Ky projekt ishte një nga tre projektet fituese në Samitin e Parisit, të mbajtur në korrik 2016, ku konkurronin për fonde të BE/WBIF (Fondi i Investimit për Ballkanin Perëndimor) projekte nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ky projekt paraqet edhe një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt Aeroportit Nënë Tereza nëpërmjet përdorimit të trenit, që do konkurrojë drejtpërsëdrejti me përdorimin e makinave private, duke ndikuar edhe në përmirësimin e qarkullimit të makinave në oraret e pikut te levizjes. Projekti realizon me efektivitet të plotë multi-modalitetin e sistemit te transportit ne zonën metropolitane te DURRANA-s. Do të krijohet një sistem transporti i integruar, efikas e funksional ne rrjetin e infrastrukturës rrugore, Aeroportit Ndërkombëtar te Tiranës dhe Portit i Durrësit si porti më i madh në vend dhe nga më të rëndësishmit në Ballkanin Perëndimor.
Objektivat kryesore në drejtim të rezultateve lidhen me rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore nga stacioni qendror hekurudhor Durrës deri në vendndodhjen e ardhshme të Terminalit të Transportit Publik të Tiranës (PTT) për një gjatësi 34.2 km dhe gjithashtu për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit (gjatësi 5.7 km). Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një terminali te ri hekurudhor intermodal në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), si dhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin