Tjetër letër për de-euron

Tjetër letër për de-euron
3 Gazeta T&I Durrës Nr 23

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë i ka dërguar së fundmi një letër Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, z.Arben Ahmetaj dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama, ku shpreh shqetësimin për rënien e shpejtë të euros në tregun e brendshëm, që po shkakton humbje të mëdha tek eksportuesit dhe disa segmente të industrisë prodhuese. Ata paralajmërojnë se nëse euro do të vazhdojë nënçmimin, kjo do të shoqërohet me rënie të fitimeve, me pasojë më pak investime dhe vende pune. Për herë të parë prodhuesit kërkojnë që të bëhet një analizë e thelluar në mënyrë që të gjenden shkaqet reale të rënies së saj të fortë. Në letër thuhet:
“Nisur nga shqetësimet e marra nga industritë prodhuese-eksportuese shqiptare, mbi fenomenin që po përballen muajt e fundit si pasojë e ndryshimit të pakontrolluar dhe të shpejtë të kursit të këmbimit të valutës së huaj, lind nevoja emergjente që ky shqetësim madhor të merret seriozisht në konsideratë nga institucionet shtetërore dhe në veçanti nga ministria Juaj.
Nga analizat e kryera përgjatë gjithë kësaj kohe mbi kompanitë prodhuese-eksportuese të disa sektorëve, vihet re se ky fenomen ka prekur drejtpërdrejt fitimin e eksportuesit, duke i nxjerrë kompanitë me humbje. Për ketë arsye, nuk mund të qëndrohet më në pasivitet për këtë çrregullim të tregut valutor.
Ndryshimi i kursit gjatë këtij 4 mujori për vitin 2018, është i papritur dhe mjaft shqetësues për prodhuesit. ndërkohë që nuk është marrë asnjë masë për të rikthyer stabilitetin e kursit të këmbimit dhe nuk kemi informacion se çfarë do të ndodhë më tej.
Nëse kursi i këmbimit do të ndjekë të njëjtin ritëm në muajt në vazhdim, sipërmarrjet prodhuese-eksportuese do të rezultojnë me një fitim të përgjysmuar, çka do të thotë mungesë investimesh, mungesë rritje pagash, ulje të punësimit, etj.. Qeveria duhet të ketë kujdes në çdo politikë publike që ndërmerr, me qëllim që të sigurojë prodhuesit shqiptarë, që nuk do të ketë ndikim negativ në konkurrueshmërinë e produkteve “Made in Albania”. Aq më tepër edhe në kuadër të nismave rajonale për një ekonomi të përbashkët të Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë u bën thirrje Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për ngritjen e menjëhershme të një grupi pune për analizimin e kësaj situate, si dhe marrjen e masave për të ndaluar zhvIerësimin e monedhës së huaj në vend”, përfundon letra.
Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve tha se ata kërkojnë të gjendet shkaqet dhe arsyet që kanë çuar në zhvlerësimin e lartë të euros, pasi nuk ka një shpjegim të logjikshëm zyrtar të asaj që po ndodh. Rritja ekonomike nuk vlerësohet në nivele aq të larta sa të justifikojë këtë forcim të lekut, pohoi ai. Prodhuesit nuk kanë marrë ende një përgjigje nga ministri Ahmetaj.
Euro ka hyrë në një trajektore rënëse në tregun e brendshëm që në gjysmën e dytë të vitit 2016, duke zbritur në 136 lekë në dhjetor, nga niveli prej 140 lekësh që ishte stabilizuar në periudhën 2010-2015. Tkurrja vijoi edhe përgjatë vitit 2017, ku euro e mbylli vitin me një mesatare prej 134 lekësh. Më i fortë ka qenë nënçmimi në muajt e parë të këtij viti, ku ditët e fundit euro zbriti nën 127 lekë, niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2009. Rënia e monedhës së përbashkët ka tërhequr dhe dollarin, i cili ka zbritur në 106 lekë, nga gati 130 lekë që ishte në fillim të vitit 2017.
Sipas vlerësimeve të mëparshme, më të humbur janë eksportuesit, si në euro ashtu dhe në dollarë, të ardhurat e të cilëve do të jenë 120 milionë euro më të ulëta këtë vit, vetëm si efekt i zhvlerësimit të dy monedhave.
Kush po përfiton prej zhvlerësimit të euros?
Në një intervistë për revistën Monitor, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Arben Shkodra, pyetjes se “kush po përfiton prej zhvlerësimit të euros”, i është përgjigjur: Tre janë përfituesit e mëdhenj ndaj zhvlerësimit të valutës në vend.
Së pari, importuesit, të cilët blejnë në valutë dhe shesin në lek, duke mos reflektuar asnjë ndryshim në çmimet. Nga kjo situatë, ato përfitojnë shuma të konsiderueshme dhe janë përfitues pasivë pa bërë asnjë lloj veprimi. Natyrisht nuk mundemi kurrsesi t’i paragjykojmë pasi kjo është veçse një situatë e favorshme për to, shton Arben Shkodra për “Monitor”.
Përfituesi i dytë, sipas zotit Shkodra, është qeveria, ku gjithashtu në mënyrë pasive përfiton në uljen e shifrave të borxhit të huaj për shkak të zhvlerësimit të valutës në vend. “Në çdo rast është i papranueshëm ky rol i përfituesit pasiv i qeverisë në këtë situatë për një kohë kaq të gjatë”.
Së treti, përfitues janë spekulantët e tregjeve valutore. Nëse do të kemi një ringritje të shpejtë, spekulantët, të cilët kanë edhe informacion të brendshëm do të përfitojnë tej mase. “Nëse do të kemi një rritje të shpejtë, do të të spekulojnë pasi mund të kenë shitur valutën me një çmim të lartë, e blenë atë me çmimin minimal dhe presin ringritjen për të pasur fitime të konsiderueshme. Në këtë aspekt pasiviteti, paaftësia apo mosndërhyrja e sistemit tonë shtetëror për të stabilizuar ndihmon spekulimet”.
Banka e Shqipërisë dhe Qeveria, duhet veprojnë menjëherë për të ndaluar këtë fenomen të zhvlerësimit të euros dhe dollarit në vend, rekomandon ai.
Për zhvlerësimin e euros në vend, Arben Shkodra thotë për “Monitor” se një ndër arsyet kryesore janë prurjet nga ekonomia e zezë, dhe për këtë, sipas tij, nuk ka dyshime. Ndërkohë që masat të cilat mori Banka e Shqipërisë, nën siglën e një plani veprimi për deeuroizimin e tregut, sollën një situatë kaotike, shoqëruar edhe me sjellje të çrregullta në treg, nën ndikimin psikologjik.
Sipas Shkodrës, jemi ndër të paktat ekonomi që përqafuan monedhën e përbashkët europiane shumë më shpejt sesa duhet, dhe kjo sipas tij jo për shkak të tregut, por për shkak të sistemit të ngritur. Nga shitblerjet më komplekse, si apartamentet dhe makinat, te pagesat e hoteleve, dhe deri te dyqanet e veshjeve, monedha e përbashkët përdoret lehtësisht.
“Për mendimin tonë, qeveria mund të fillonte procesin e deeuroizimit duke ndaluar shitblerjen e apartamenteve në monedhën e huaj, të ndalonte pagesat në hotele në euro në cash, të mos lejojë shitjet e produkteve në valutë”,- tha Shkodra duke argumentuar se mund të gjendeshin mënyra të tjera për deeuroizimin e ekonomisë. Madje mënyra që do të sillnin deeuroizimin e Shqipërisë në mënyrë më graduale.
“Banka e Shqipërisë dhe qeveria duhet të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur dhe për të rritur konkurrueshmërinë. Nuk mund të qëndrojnë pasivë për këtë çrregullim të tregut, duke qenë se preken të gjithë eksportuesit”, rekomandon Shkodra.
Zhvlerësimi i euros, ul më tej konkurrueshmërinë e vendit. Zhvlerësimi i euros në tregun vendas ka ndikuar drejtpërdrejtë te konkurrueshmëria. Sekretari i Përgjithshëm i Prodhuesve thotë se, aktualisht, nuk ka asnjë raport apo analizë mbi konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Për prodhuesit, konkurrueshmëria është një nga dy shtyllat kryesore për t’u pasur në konsideratë. Në vendet e tjera, qeveritë e përkthejnë konkurrueshmërinë si program politik.
“Nuk kemi një shifër të qartë se cilat janë nevojat reale të ekonomisë, veçanërisht për sektorin e prodhimit”, – pohon Shkodra për “Monitor”.
Me rënien euros në pikiatë, eksportuesit (prodhuesit që eksportojnë) janë ata që e pësojnë më shumë.
Për shoqëritë prodhuese eksportuese, që kanë kontratat në vazhdim me klientë të huaj, produktet e tyre do të vazhdojnë të shkojnë jashtë vendit me çmimin e negociuar më parë dhe diferenca në kursin e këmbimit do të prekë drejtpërdrejt fitimin e eksportuesit, duke i nxjerrë kompanitë me humbje. Në rast se prodhuesit shqiptarë rrisin çmimin, ata automatikisht humbasin konkurrueshmërinë, duke humbur edhe tregun e huaj. Në shumicën e rasteve, eksportuesit do ta kenë të vështirë të rinegociojnë çmimet e kontratave.
Si mund të mbrohen?
E vetmja mënyrë për të mbrojtur eksportuesit shqiptarë, sipas Shkodrës, është diferencimi në trajtim i eksportuesve. Shkodra thotë se qeveria duhet të organizojë një tryezë serioze dhe permanente me prodhuesit shqiptarë. Prej saj, ne presim që të evidentohet situata aktuale, problemet që kanë prodhuesit dhe presim që angazhimi qeveritar të jetë serioz.
“Qeveria nuk ka një strategji apo plan në lidhje me konkurrueshmërinë. Ministria për Europën dhe Punëve të Jashtme nuk ka një ide të qartë të mbështetjes që mund t’u japë prodhimeve shqiptare për të aksesuar në tregjet e huaja. Qeveria, në tërësi nuk ka një ide të qartë se si mund ta mbështesë prodhimin vendas si p.sh.: diferencim në trajtim të prodhueseve kur flasim për taksat, tatimet, tarifat, procedurat etj. Shohim me keqardhje që, sipërmarrjet e rajonit po bëhen më konkurruese, pasi qeveritë e tyre kanë shtuar vëmendjen dhe përkujdesjen ndaj prodhimeve të tyre, pasi siç e dimë, profili i një vendi përcaktohet edhe nga produkti vendor.”
Në artikullin “De – euro”, të numrit të kaluar të kësaj gazete, Dhoma i ka bërë bjë analizë të ngjashme fenomenit të deeuroizimit në vendin tonë. Meqenëse një monedhë e fortë vendase ka si pasojë largimin e investitorëve të huaj dhe rritjen e papunësisë, Banka e Shqipërisë duhet të heqë dorë menjëherë nga politika e zhvlerësimit të euros, e shpallur nga Guvernatori i saj. Tregu i sotëm nuk ka aspak nevojë për eurot e hedhura nga Banka e Shqipërisë, mjaftojnë dhe janë të shumta eurot që vijnë nga burimet informale dhe “të zeza”. Ndërkohë, është e nevojshme një analizë e thellë për gjetjen e rrugëdaljeve për biznesin prodhues dhe eksportues. Që të mos jetë më nevoja për një tjetër letër!

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin