Mjedisi i biznesit në Shqipëri është i varfër, teksa 40% të punësuarve në vend që i përkasin sektorit bujqësor janë në kufijtë e ekzistencës, thuhet në vlerësimin e Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA) për zhvillimet ekonomike të vitit 2017 në Shqipëri,
CIA vëren se kodet komplekse të taksave dhe kërkesat e licencimit, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsioni endemik, zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjet e pazgjidhura të pronësisë, si dhe infrastruktura e vjetruar kontribuojnë në mjedisin e varfër të biznesit në Shqipëri, duke e bërë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja.
“Sektori bujqësor, i cili zë më shumë se 40% të punësimit dhe një të katërtën në PBB kufizohet kryesisht në operacionet e vogla familjare dhe në bujqësinë e ekzistencës, për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, të drejtave të paqarta të pronësisë dhe ngastrat e vogla të tokës” thuhet në vlerësimin e CIA për 2017-ën. Agjencia Amerikane ka vënë re se që nga viti 2014, ekonomia e Shqipërisë është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe rritja ekonomike arriti në 3.8% në vitin 2017, por lidhjet e ngushta tregtare, remitancat dhe e sektorit bankar me Greqinë dhe Italinë e bëjnë Shqipërinë të prekshme ndaj efekteve të krizave të mundshme të borxhit dhe rritjes së dobët në eurozonë.
Qeveria shqiptare ka forcuar mbledhjen e taksave dhe ka rritur në mënyrë të moderuar pagat dhe pensionet në një përpjekje për të ulur deficitin buxhetor. Vendi vazhdon të përballet me borxhin e lartë publik, duke tejkaluar kufirin ligjor të saj prej 60% të PBB-së në vitin 2013 dhe duke arritur në 72% në vitin 2016.
Banka e Shqipërisë ka konstatuar në një raport të fundit se në muajt e fundit të vitit 2017 në ekonomi është rritur tendenca për të investuar dhe është ulur prirja për të kursyer. Sipas Bankës, hendeku kursime-investime i sektorit privat u thellua në terma vjetorë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017, duke u vlerësuar në -2.8% ndaj PBB-së nominale (vlera negative e hendekut nënkupton investime më të larta se kursimet). Ky raport është 6.5 pikë përqindje më i ulët, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Investimet private janë zgjeruar ndjeshëm në terma të raportit ndaj PBB-së nominale. Në rastin e sektorit publik është vënë re një ngushtim i hendekut negativ kursime-investime. Ndikimi kryesor ka buruar nga zvogëlimi i raportit të investimeve publike në 8.1% gjatë tremujorit në fjalë, krahasuar me 10.4% një vit më parë. Ndërkohë, pesha e kursimeve publike ndaj PBB-së nominale është zgjeruar në 1.2%, krahasuar me 0.5% që ishte një vit më parë. Në tërësi, thekson Banka, evidentohet një rritje e investimeve kombëtare si dhe një pakësim i kursimeve kombëtare (që të dy faktorë që ndikojnë në zgjerimin e defiçitit korrent).
Rritja ekonomike në tremujorin e fundit 2017 ishte 3.4 për qind e mbështetur, sipas Bankës së Shqipërisë, nga rritja e shpenzimeve konsumatore dhe investimeve private, ndërkohë që stimuli fiskal është reduktuar. Deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë është zgjeruar.
“Të dhënat e disponuara sugjerojnë për ritme të ngjashme rritjeje edhe në tremujorin e parë të vitit 2018 Parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia do të vijojë të rritet gjatë horizontit afatmesëm, e ndihmuar nga përmirësimi i ambientit të huaj dhe nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese, rritja e presioneve të huaja inflacioniste dhe ankorimi më i mirë i pritjeve inflacioniste afatmesme, krijojnë premisa për forcimin e presioneve inflacioniste. BSH parashikon se inflacion do të kthehet në objektiv brenda vitit 2019”, – pohon BSH duke nënvizuar se politika monetare do të vijojë të jetë në kahun stimulues.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njofton se bazuar në analizën e të dhënave, për vitin 2017 rezulton se janë 23,182 tatimpagues të cilët kanë detyrimin për të dorëzuar pranë Administratës Tatimore deklaratën e pagesës së Tatimit mbi Fitimin. Nga këta 21,652 ose rreth 93.4% e totalit e kanë përmbushur tashmë këtë detyrim. Për 1,528 tatimpagues, të cilët nuk kishin dorëzuar këtë deklaratë, sipas legjislacionit në fuqi nga organet tatimore u bë rivlerësimi automatik për detyrimet që ata duhet të paguajnë për 2017-ën. Nga këta tatimpagues që kishin rivlerësim automatik, 54 dorëzuan deklaratën e tyre për vitin 2017.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, u bën thirrje tatimpaguesve, të cilët akoma nuk kanë dorëzuar deklaratën e pagesës së Tatim Fitimit për vitin 2017, të marrin të gjitha masat për ta përmbushur këtë detyrim. Nëse kjo deklaratë nuk dorëzohet, nga ana e Administratës Tatimore këta tatimpagues do të konsiderohen me risk dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve e investigimeve të vazhdueshme deri në dorëzimin përfundimtar të saj.
Të gjithë ato subjekte që do të arrijnë të marrin statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO) do të kenë lehtësi në procedurat doganore që do të sjellë ky process, jo vetëm për biznesin, por edhe për thjeshtimin e procedurave doganore. Nëndrejtore e Përgjithshme e Doganave Shqiptare, zonja Mirela Meko, u shpreh se biznesi duhet të njohë dhe kuptojë rëndësinë që ka nga përfitimi i statusit të OEA-së. Tashmë tregtia rajonale është një fakt dhe biznesi nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj këtyre lehtësive, por të njihet dhe të aplikojë për këtë status. Administrata Doganore Shqiptare ka vënë në zbatim statusin OEA-ve sipas standardeve ndërkombëtare dhe për këtë qëllim është nënshkruar një Marrëveshje për Njohje të Përbashkët me shtetet e CEFTA-s me kusht bazën ligjore dhe zbatimin në përputhje me BE – në, ku palët në CEFTA informojnë njëra-tjetrën në lidhje me identitetin e OEA-ve. Administrata Doganore Shqiptare ka krijuar një strukturë të posacme për OEA-të dhe lehtësirat doganore.
Njohja e OEA-ve rajonale midis vendeve anëtare të CEFTA-s do të sjell lehtësi të madhe për opertorët që do të përfitojnë këtë status dhe shkëmbimet tregtare mes vendeve.