Lajme shkurt

Lajme shkurt
3 Gazeta T&I Durrës Nr 24
  • FMN i “heq veshin” Bankës së Shqipërisë

Portofolat e kredisë me rrezik të lartë në bankat tregtare në Shqipëri duhet të monitorohen nga një autoritet mbikëqyrës i huaj. Kështu i ka sugjeruar Bankës së Shqipërisë, stafi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, pasi një autoritet i jashtëm mbikëqyrës do të japë një vlerësim me korrekt për të identifikuar boshllëqet e mundshme në praktikat e menaxhimit të rrezikut, duke u fokusuar në ekspozimet e mëdha.
Fondi vlerësoi se përmirësimi i mbikëqyrjes ndaj bankave, i përafruar me standardet e BE-së, do të siguronte BSH-së më shumë mjete për të menaxhuar më mirë rreziqet sistemike të bankave dhe për të forcuar bilancet e tyre. Bankat vendase pritet të përafrohen me kuadrin IFRS9 deri në fund të vitit 2018, por Fondi kërkon që të forcohet më tej monitorimi i rreziqeve sistemike, për të mbajtur nën kontroll rrezikun e huamarrësve të mëdhenj.
Shqipëria këtë vit është vendi më barrën më të lartë të kredive me probleme në rajon, duke lënë pas edhe Serbinë që deri vjet kryesonte renditjen për NPL-të e larta.
Kredia për sektorin privat ishte e dobët për shkak edhe të kërkesës së ulët nga ana e bizneseve. Për pasojë, bankat vazhdojnë të investojnë në borxhin e qeverisë si dhe duke kredituar biznese jashtë vendit. Ndërsa kredia për sektorin privat pritet të rimëkëmbet në 2018, Fondi sugjeron se, autoritetet duhet të jenë të vëmendshme dhe të monitorojnë nga afër rreziqet potenciale që lidhen me ekspozimet e mëdha të korporatave dhe në sektorin e ndërtimit.

  • Tatimet bëjnë gati listën e bizneseve “me risk”!

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se sipas analizës së fundit të sektorëve me risk, tregtia dhe ndërtimi, por edhe shërbimet, si hotele e restorante janë pjesë e listës dhe si rrjedhojë do të jenë subjekt i kontrolleve.
DPT zhvilloi mbledhjen e 16-të, të Komitetit të Përmbushjes mbi “Analizën e përgjithshme të sektorëve me risk”, ku bëri të ditur këto të dhëna.
Drejtoria e Menaxhimit të Riskut, analizoi të dhënat e nxjerra nga moduli i riskut dhe identifikoi sektorët më me risk, si tregtia, ndërtimi, shërbimet, minierat dhe guroret, si dhe hotelet dhe restorantet. Administrata Tatimore raporton se do të vijojë kontrollet dhe veprimet e tjera të përcaktuara me ligj per këta sektorë. Ajo nxit tatimpaguesit të rrisin nivelin e pajtueshmërisë tatimore, si rruga më e mirë për të krijuar një partneritet të bazuar mbi besimin.
Më herët, në analizën vjetore 2017, takimet kishin konstatuar se të gjashtë sektorët më riskozë për evazion fiskal rriten më tej ekspozimin për të fshehur pagesën e taksave dhe tatimeve më 2017, sipas një analize të posaçme që bëri Drejtoria e Përgjithshme e Tatimet.
Tatimet vunë në dukje se niveli i riskut për evazion u rrit me 53 % gjatë vitit 2017 në sektorët: Shitje me Shumicë, Hotele dhe Restorante, Shitje me Pakicë, Transport, Sporte aktivitete shlodhëse dhe argëtuese, Ushqim pije dhe duhan në degët e tatimeve në Durrës, Vlorë, Korçë, Shkodër, Sarandë, Lezhë, Gjirokastër dhe Berati.
Pikët e riskut për evazion u rriten më shumë në hotele dhe restorante me 129 për qind dhe më pas në sektorin e transportit me 77%. Në aktivitetet e transportit rreziku për evazion u rrit me 49%.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka analizuar 3,906 tatimpagues me 2017 dhe i ka krahasuar treguesit me periudhën maj 2016.

  • Biznese të reja? Ja sektorët më tërheqës!

Pesë muajt e parë të vitit kanë rezultuar pozitivë sa i përket iniciativave për hapjen e bizneseve të reja: në sportelet e QKB janë regjistruar në total 9322 subjekte. Por cilët janë sektorët që po tërheqin më shumë bizneset dhe ata më pak të kërkuar?
Sipas shifrave  të QKB-së, vihet re se në krye të listës qëndron sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë si dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave,  ku për periudhën Janar-Maj 2018 janë regjistruar plot 2798 biznese, që përbën edhe shifrën më të lartë. Ndërsa një interes gjithashtu të lartë, ka pasur edhe sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 2260 biznese të reja të regjistruara në këtë fushë.
Ndërsa kategori të tjera që kanë pasur një numër mesatar regjistrimesh, rreth 400-500, janë shërbime administrative dhe mbështetëse; industria përpunuese; arsimimi; aktivitete profesionale; shkencore dhe teknike; etj. Ndërsa numrin me të ulët të regjistrimeve të bizneseve të reja e ka pasur sektori i furnizimit me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave me vetëm 16 subjekte.

  • Kuvendi kërkon sistem të ri faturimi të energjisë elektrike

Enti Rregullator i Energjisë duhet të nxisë Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për vënien e sa më shpejt në punë të sistemit të ri të faturimit, që është leximi i matësit në 3 ose 6 muaj. Kërkesa vjen nga Kuvendi, i cili në rezolutën e miratuar për vitin 2018 thekson se kjo mënyrë lehtëson matjen.
Po ashtu, Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese kërkon që energjia e prodhuar nga panelet fotovoltaike të familjarëve, të hidhet në rrjet ndonëse nuk është përcaktuar çmimi i blerjes. Në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit, tashmë ERE do të ketë detyrim të raportojë çdo 3 muaj në Kuvend mbi ankesat e qytetarëve dhe jo njëherë në vit sikurse bëhej deri më tani.

  • Aeroporti i Kukësit: Fillon studimi i hapësirë fluturuese

Albcontrol ka përzgjedhur kompaninë fituese, që do të kryejë studimin e hapësirës fluturuese të Aeroportit të Kukësit, duke rritur mundësitë e funksionimit të kësaj vepre infrastrukturore.  Sipas formularit të fituesit, kompania “Consulting & Management Albania” sh.p.k. duhet të përmbyllë këtë proces brenda një periudhe 3-mujore nga data e nënshkrimit të kontratës, e cila do të ketë një vlerë prej 10.8 milion lekësh.
Zhvillimi i këtij tenderi erdhi pak pas njoftimit të bërë nga kryeministri Rama mbi ekzistencën e një investitori serioz për këtë aeroport. Ndërkohë, përveç vlerësimit të përgjithshëm të fizibilitetit kompania fituese do të duhet të bëjë edhe rekomandimin mbi procedurat e përshtatshme të afrimit dhe nisjes si dhe llojin e operimeve në aerodrom, përfshirë llojet e avionëve që do të shërbejnë  dhe drejtimin e zgjerimit të pistës, nëse është e nevojshme.
Aeroporti i Kukësit iu është dorëzuar autoriteteve shqiptare në vitin 2006, por që prej asaj kohe nga ky aeroport nuk është realizuar asnjë fluturim. Deri 2 vite më parë, pengesa ishte marrëveshja koncesionare e aeroportit të Rinasit, që i siguronte këtij të fundit ekskluzivitetin e fluturimeve. Por, tashmë kjo pengesë është hequr, duke lejuar fluturime për dhe nga Kukësi.

  • Rrugët, 622 km do të finacohen nga Banka Botërore

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar Planin e Menaxhimit Social dhe Mjedisor për akset rrugore në qarkun e Tiranës, Dibrës, Shkodrës dhe Kukësit, që përfshin të gjitha punët fizike, aktivitetet dhe shërbimet e nevojshme për t’i sjellë rrugët në nivelin e shërbimit të kërkuar dhe për t’i mirëmbajtur e menaxhuar. Në total janë 14 akse ku parashikohet të ndërhyhet në tre kategori kryesore, ku bie në sy autostrada Tiranë -Durrës, Durrës-Fier, Shkodër-Kukës apo Lezhë-Shëngjin. Objektivat kryesorë të kontratave lidhen me rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit, me të cilin kryhet menaxhimi dhe mirëmbajtja,  maksimizimin e vlerës së parave që shpenzohen për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor si dhe përmirësimin e gjendjes dhe sigurinë e rrjetit rrugor në dobi të përdoruesve të tij.
Në total janë rreth 622 km rrugë që pritet të jenë objekt i këtyre kontratave, vlera e të cilave nuk është përcaktuar ende. Kjo në ndryshim nga plani i menaxhimit për rajonin jugor Vlorë – Gjirokastër, e cila në total kap vlerën e 13.7 milion euro. Financimi i këtyre kontratave do të bëhet nga Banka Botërore, ndërsa kontratat do të ketë një kohëzgjatje prej 5 vitesh