Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës merr pjesë në takimin në kuadër të Projektit “iBLUE”

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës merr pjesë në takimin në kuadër të Projektit “iBLUE”
Njoftime

Me datë 18-19 Qershor 2019, në kuadër të këtij Projekti, Kryetari i Dhomes z. Alban Isteri  dhe Koordinatori i projektit z. Ilir Rembeci morën pjese në takimin e rradhës të partnerëve të Projektit “iBLUE”, i cili u zhvillua në Lisbonë, Portugali.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës është partnere në “iBLUE” ,projekt i programit Interreg- Med të financuar nga BE, së bashku  me organizata dhe institucione që vijnë nga 8 shtete të BE, si: Italia, Franca, Kroacia, Sllovenia, Spanja, Portugalia, Greqia dhe Qipro.

Në këtë takim dy ditor u zhvillua trajnimi për metodologjinë e biznesit 3 PBM në prani të kompanive portugeze dhe ekspertëve të projektit.

Në fund të takimit partnerët morën angazhimet për transferimin e modelit biznesor pranë kompanive të sektorit. Dhoma ka një plan veprimi për zbatimin e këtij modeli në kompanitë shqiptare, sigurisht duke ofruar dhe asistencën teknike ndaj bizneseve tona të sektorit për zbatimin e modelit biznesor tri kollonësh, i cili është bazuar në 3 shtyllat kryesore: ekonomike, mjedisore dhe sociale.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, nga ana e saj, synon që me anë të zbatimit të projektit “iBLUE” të nxisë ringritjen e sektorit të lundrimit turistik në Shqipëri. Ndihet shumë nevoja për të mësuar dhe adaptuar në Shqipëri  praktikat më të mira dhe kuadri ligjor më i favorshëm i huaj, europian e më gjerë.

Besojmë që aktivitetet e Dhomës në kuadër të projektit “iBLUE” do të jenë edhe një kontribut i çmuar për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në vendin tonë.