Qeveria ka prezantuar së fundi skemën e re mbështetëse nga një fond prej 20 milionë eurosh, që synon që t’i japë zgjidhje rritjes së eksporteve bujqësore. Skema do të mbështesë të gjithë ato produkte bujqësore që kanë peshë në shportën totale të eksporteve, afrimit të sa më shumë fermerëve në organizma të përbashkët dhe politikat që mund të ndërmerren për të zhvilluar sektorët si agroturizmi, agriturizëm, agropërpunim, peshkim dhe akuakulturë.
Sipas skemës së re, fermerët që aplikojnë bashkë marrin 25% më shumë. Qeveria u ka kërkuar fermerëve të ndryshëm të grupohen në Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), sepse në këtë mënyrë mund të përfitojnë më shumë nga Skema e Mbështetjes.
“Ne kemi mundësi që përmes ARZH-ve të mund të zbusim kostot. Mbështeten me 25% më shumë nëse aplikojnë si grup fermerësh”, u tha në një njoftim zyrtar, ku u deklarua gjithashtu se konceptimi i skemës mbështetëse është kryer në bashkëpunim me shumë aktorë vendas dhe të huaj. Nga ky bashkëpunim, është kryer identifikimi i sektorëve proritarë në bujqësi, agriturizëm, agropërpunim, peshkim dhe akuakulturë dhe janë përcaktuar 15 produkte të shportës bazë, ku përfshihen drurët frutorë, prodhimet e serave, bimët medicinale.
Kjo shportë u kompozua në bazë të kritereve që kanë të bëjnë me matjen e fluksit të eksportit të produktit, me potencialet e tyre në të ardhmen me masën e punësimit.
Sipas të njëjtit njoftim, fermerët që kooperojnë në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor do të përfitojnë më shumë sesa një fermer i vetëm. Përpunuesit e qumështit, blegtorët, prodhuesit dhe grumbulluesit e bimëve medicinale do të kenë kriteret e tyre që kanë të bëjnë me arritjen e standardeve. Një mbështetje do t’u jepet grumbulluesve të cilët kërkojnë të bëjnë qendra të reja grumbullimi në sektorin e peshkimit. Përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes do të jenë dhe fermerët dhe sipërmarrësit e rinj të moshës 22 – 35 vjecare, të cilët do të përfitojnë një trajtim tjetër. Gjithashtu nga kjo skemë do të përfitojnë dhe prodhuesit e produkteve artizanale
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural do të sigurojë që kryerja e aplikimit në Skemën e Mbështetjes të bëhet on-line me zero shpenzime. Regjistrimi do bëhet në portalin e-Albania vetëm me anën e kartës së identifikimit dhe NIPT- it të fermerit. Ngritja e sporteleve Agropika do t’u vijë në ndihmë fermerëve për plotësimin e formularit të aplikimit, si dhe do të ketë informacion të plotë rreth fushave që mbulon dhe çfarë ofron kjo skemë.