KUR MBETJET MERREN SERIOZISHT

KUR MBETJET MERREN SERIOZISHT
1 Gazeta T&I Durrës Nr 7

Historisë së trajtimit ligjor të importimit të mbetjeve nuk po i duket fundi. Pas miratimit të tij nga Kuvendi më 2011 (lista e “gjelbër”) pamvarësisht kundërshtimeve të opozitës së majtë dhe të shoqërisë civile, vjen anullimi i tij më 2013 nga qeveria e majtë, e cila më 2016 e miraton në Kuvend me shumicë të thjeshtë. Por, kjo kthesë e fortë nuk përtypet tani as nga opozita e djathtë, e cila në kohën e qeverisjes së vetë e kishte mbështetur importimin e mbetjeve dhe as nga Presidenti, i cili nuk e dekreton atë. Argumentimi i tij për rikthimin në Kuvend të amendimit të ri të ligjit do të ishte: “Shqipëria nuk disponon infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore për monitorimin dhe kontrollin e importit të mbetjeve dhe ekziston rreziku i futjes ilegalisht të mbetjeve me rrezikshmëri të lartë” Ndërkaq, shoqëria civile e përfaqësuar nga organizata, specialistë dhe figura të njohura si ambientalistë mbeten konseguentë në të tri momentet, duke u rreshtuar fuqishëm kundër importimit të mbetjeve. Sidoqoftë, mund të thuhet se polemika e ashpër mbi lejimin e importit të mbetjeve ka patur të paktën dobinë e vet. Publiku ëshë sqaruar tashmë që nuk bëhet fjalë për plehra, por për mbetje të prodhimit dhe që Bashkitë e reja duhet të kishin filluar me kohë mbledhjen e diferencuar të mbetjeve që në burim. Ndoshta një nga lëvizjet e mundshme të Qeverisë do të ishte dhe orientimi i Bashkive kryesore për të parashikuar në buxhetin e tyre për vitin 2017 pikërisht manaxhimin e diferencuar të mbetjeve. Më e humbura nga kjo polemikë duket se ka dalë administrate publike, e cila akuzohet jo vetëm për mospaisjen në kohë me logjistikën e nevojshme, por edhe për mungesë profesionalizmi dhe integriteti. Bile, nga shumë kundërshtues arrihet deri aty sa të pranohet që është më mirë të mos kemi një ligj që lejon importimin e mbetjeve krahas dënimit penalisht futjen e plehrave të rrezikshme, të cilat administrata “e keqe” mund të na i fusë në territorin shqiptar edhe pa ligj. Ndryshe, ky ligj si shumë të tjerë nuk sjell asnjë dobi, sepse ne nuk mund të ngremë një administatë profesioniste dhe me integritet, pra nuk mund të bëjmë dot shtet?! Megjithatë, në pritje të zhvillimeve të ardhshme, na duket me interes të shohim çfarë bëhet me trajtimin e mbetjeve në Italinë fqinje. Në korrik të këtij viti, Ministri i Ambientit dhe Mbrojtjes së Territorit dhe Detit, ka dekretuar dhe ka përfshirë në përmbledhjen zyrtare të akteve normative të Republikës Italiane një Rregullore të re. Sipas këtij akti, mbetjet e prodhimit duhen kualifikuar si nënprodukte dhe jo si mbeturina (plehra). Ato, mbetjet, kursejnë lëndën e parë, prandaj duhen konsideruar edhe ato si pasuri kombëtare. Me qëllim homologimi me direktivat europiane përkatëse, Rregullorja jep definicione të qarta për “mbetjet” dhe “mbeturinat” si dhe trajtimin e tyre. Duke I konsideruar mbetjet të lidhura natyrshëm me prodhimin, ato cilësohen si nënprodukte, të cilat mund të përdoren si lëndë e parë po në atë cikël apo dhe në cikle të tjera nga të tretë. Për shembull, një punishte që prodhon vetrata duralumini krijon mbetje gjatë prerjeve të profileve. Një pjesë e tyre mund të përdoren përsëri për prodhimin e objekteve më të vogla, ndërsa mbetjet e tjera të shkurtra, së bashku me thërrimet e sharrimit grumbullohen për ricklim dhe përdorim në prodhime të tjera. Për të siguruar individualizimin e bizneseve që trajtojnë mbetjet si nënprodukte si dhe gjurmshmërinë e gjithë proçesit dhe transportimit deri tek destinacioni final, Rregullorja i detyron bizneset e përfshira të plotësojnë skedën teknike përkatëse. Këto skeda duhet të dorëzohen tek Dhoma e Tregtisë së kompetencës territoriale. Pra, Shteti i ka deleguar sistemit të Dhomave të Tregtisë detyrën e monitorimit të manaxhimit të mbetjeve si nënprodukte! Një shembull kuptimplotë edhe për ne shqiptarët i përdorimit të mjeteve dhe institucioneve për të koordinuar dhe manaxhuar me efikasitet një veprimtari delicate si trajtimi i mbetjeve të prodhimit. Dhe po të saktësonim që kjo Rregullore trajton jo vetëm mbetjet industriale, por edhe ato me origjinë shtazore dhe bimore, do na bëhej më e qartë se çfarë do të thotë të merresh seriozisht me mbetjet!