PSE UNË I DI DHE NUK I DI SHTETI?

PSE UNË I DI DHE NUK I DI SHTETI?
1 Gazeta T&I Durrës Nr 3

“Lehtësimi i sipërmarrjes me anë të thjeshtimit të proçedurave fiskale, duke reformuar të gjithë mekanizmin e funksionimit, në raport me territorin ku zhvillohet ekonomia, përmes luftës kundër informalitetit” ishte argumenti qendror i mbledhjes së fundit të Këshillit Ekonomik Kombëtar. I ngjashëm me të ishte lajtmotivi i seminarit të 17 qershorit të organizuar nga Dhoma Durrës me agjencinë AIDA: grante shtetërore në mbështetje të promovimit të NVM-ve, akses falas në rrjetin EEN në favor të ekspasionit të sipërmarrjes shqiptare në tregun europian, programe të financuara nga BE me biznese shqiptare si partnere e mjaft të tilla si këto. Cili është reagimi i biznesit ndaj këtij vërshimi të mbështetjes enkas për të?
“Kam aplikuar tek AIDA që prej 3 muajsh për një grant mbështetës promovimi, por akoma nuk kam marrë asnjë përgjigje” njofton administratori i një biznesi prodhues vendas.
A ka një afat të caktuar, Brenda të cilit duhet të përgjigjet një institucion publik? Ndryshe, proverbi “ nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”, nuk ka nevojë për vërtetim. Ky rast, por dhe argumenta shumë më të thellë e kanë shtyrë Kryetarin A. Xhavara të propozojë ngritjen pranë Dhomës të një sporteli pilot, ku biznesi aplikon për një shërbim të AIDA-s dhe po aty merr përgjigjen. Argumentat e Drejtorit Ekzekutiv G. Beqiri se duhet një akt ligjor për lejimin e kësaj proçedure të re, flasin vetëm për akoma më shumë këmbëngulje për të arritur pranë sipërmarrjes, operuese kudo në territorin shqiptar.
Befasues ishte realizmi i një pjesëmarrësi tjetër në seminar:
“Në punën time si biznes prodhues shoh të dal çdo ditë jashtë loje në krahasim me kolegët e rajonit. Duke paguar 5 cent më shumë për çdo kwh për enegji, 5 cent më tepër për çdo litër naftë më pak cilësore, akcizë për produkte bazë jashtë listës për ata, aksizë për birrën vendase të njëjtë me atë të importit, po bëhemi gjithnjë e më pak konkurrues me të ngjashmit tanë në Maqedoni, Malin e Zi, Serbi e në ndonjë vend tjetër pranë”. Dhe për rrjedhshmëri llogjike ndaj morisë së mbështetjeve vjen edhe pyetja e tij ngacmuese “Pse unë i di gjithë këto dhe shteti nuk i di”?
Ndryshe, a duhet të studiohen më thellë në bashkëpunim me biznesin nevojat reale të tij, kur hartohen programet shtetërorë mbështetëse ndaj të bërit biznes në Shqipëri?