Lajme shkurt

  • Qeveria “ndan” parâ edhe për peshkatarët, ja kush përfiton

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit kriteret bazë që do të përdoren për përcaktimin e sektorëve që do të mbështeten në bujqësi dhe masën e financimit të tyre. Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2018  do të përdoret për: a) rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore, b) përmirësimin e zinxhirit të sigurisë ushqimore të produkteve blegtorale, c) nxitjen e formalizimit dhe kooperimit të prodhuesve nëpërmjet pagesave për furnizimin me inpute dhe pagesave ndaj prodhimit të dorëzuar; ç) mbarështimin e bletarisë; d) përmirësimin e menaxhimit të peshkimit; dh) nxitjen e kultivimit të sipërfaqes së tokës së papunuar; e) mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
Dhoma është interesuar për sektorin e peshkimit dhe ka mësuar se qeveria ka akorduar:
1. a) Mbështetje e pronarëve të anijeve të peshkimit dhe/ose organizatave të menaxhimit të peshkimit deri në 85,000 lekë për njësi, sipas faturës tatimore, për sistemet e monitorimit të anijes për pajisjet MTU (Njësi Transmetuese të Sinjalit), të instaluara në bordin e anijeve të peshkimit, për identifikimin dhe lokalizimin e anijeve nëpërmjet satelitit;
1. b) Mbështetje deri në 70% të vlerës, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për instalimin e bankinave lundruese, nga organizatat e menaxhimit të peshkimit.
Vendimi përfshin edhe një numër të konsiderueshëm të tjerë, të planifikuar për financim.

  • Prodhuesit e Shqipërisë dhe Kosovës: Hiqni tarifën e skanimit

Rritja e bashkëpunimit dhe lehtësimi i procedurave mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka ndihmuar në bërjen efektive të këtyre objektivave. Prodhuesit e dy vendeve kanë hartuar një draft me kërkesa konkrete për atë që duhet të bëjë politika, ku përfshihet: a) Heqja e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë; b) Heqja e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri; c) Njohja e çertifikimeve dhe analizave fitosanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe çertifikatave; d)Thjeshtimi i procedurave për eksportimin e produkteve farmaceutike për sipërmarrësit e Kosovës dhe Shqipërisë; e) Përshpejtimi i procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve.
Sipërmarrjet kanë kërkuar që të hartohet një plan i përbashkët strategjik i dy qeverive, për eleminimin e të gjithë barrierave tarifore dhe jo-tarifore në qarkullimin ekonomik dhe tregtar, etj.

  • Kontrata për Rrugën e Arbrit, qeveria do shlyejë 240 milionë euro për 13 vjet

Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë bëri me dije se është nënshkruar kontrata me kompaninë Gjoka Konstruksion për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Kontrata ka në objekt përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit.
Vepra do të kushtojë 240 milion euro dhe në kontratë është parashikuar që shteti do të marrë përsipër të likujdojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare. Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge gjatë gjithë periudhës së koncesionit.
Kjo është eksperienca e parë e firmosjes së një kontrate të tillë, por qeveria deklaroi se do të vazhdohet edhe me projektet e tjera të mëtejshme të Partneritetit Publik-Privat.

  • Nafta, thirrje të huajve për investime

Tre vendburime ekzistuese për prodhim dhe nxjerrje nafte do të jenë në dispozicion të investitorëve të huaj që do të shprehin interes. Ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë (MIE), Damian Gjiknuri ka nënshkruar një urdhër ku autorizon Albpetrolin për të ndjekur procedurat. Bëhet fjalë për vendburimet Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë. Në një shkresë të MIE qartësohet se data për shprehjen e interesit nuk mund të jetë më larg se 31 marsi 2018.
Në faqen e internetit Albpetrol do të publikohet harta për vendburimet ekzistuese “Cakran-Mollaj”, “Gorisht-Kocul” dhe “Amonicë, si dhe formulari i aplikimit.

  • Pronësia industriale, gati paketa ligjore

Një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Për pronësinë industriale” qeveria bën gati paketën me aktet nënligjore për zbatimin e plotë të tij. Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale njoftoi se ka nxjerrë për konsultim të paktën nëntë vendime dhe rregullore që synojnë të reformojnë sektorin. Reformimi do të vijë me një çmim më të kripur për të gjithë ata që do të regjistrojnë patentat e shpikjeve apo markat e tyre.
Në një vendim të veçantë që është nxjerrë për konsultim dhe që ka në bazë tarifat për këto shërbime bie në sy aplikimi i një rritjeje që kryesisht është në vlerë 1-2 mijë lekë.
Tarifat e propozuara mbeten akoma të pazbatueshme për aq kohë sa vendimi është një draft në konsultim. Palët e interesit duhet që të japin mendimin e tyre deri në datë 1 mars në mënyrë që më pas të procedohet me miratimin në hallkat e tjera të nevojshme duke bërë që gjithë aktet të jenë në fuqi një vit pas ligjit.

  • Faturat kompjuterike, ja kur përdoren

Përdorimi i faturave tatimore kompjuterike të TVSH-së, lejohet kur tatimpaguesi është i aftë të lëshojë fatura tatimore kompjuterike për çdo transaksion të tatueshëm, me numër serial unik dhe të papërsëritshëm, të printuara nga sistemi i tij i regjistrimeve. Për të ushtruar këtë të drejtë, tatimpaguesi paraprakisht duhet të depozitojë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve:

  1. a) një kërkesë me shkrim të shoqëruar me deklaratën ose vërtetimin përkatës, në të cilin tregohet se sistemi i tij i regjistrimeve është i kompjuterizuar dhe i aftë të prodhojë fatura tatimore me numër serial unik dhe të papërsëritshëm për çdo transaksion;
  2. b) Modelin e faturës kompjuterike që kërkon të përdorë, e cila duhet të përmbajë elementët dhe të dhënat e përcaktuara në ligjin për TVSH-në;
  3. c) Tatimpaguesi tregon në kërkesën e paraqitur numrin e transaksioneve që parashikon të kryejë në një periudhë tatimore.
    Pas miratimit të përdorimit të faturës tatimore kompjuterike të shitjes, tatimpaguesi menjëherë paraqitet dhe tërheq numrat serial në dispozicion pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar.
  • Strategjia e re e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor

 

Strategjia e re e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor, e prezantuar nga zv.presidentja Federica Mogherini dhe Komisionerit Johannes Hahn, ka përcaktuar tre detyra kryesore për vendet e rajonit: forcimimi i shtetit ligjor, konkurrueshmëria, si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Komisioni Evropian njoftoi gjashtë iniciativa sipas strategjisë së miratuar së fundmi, pra veprime specifike që BE do të marrë gjatë viteve të ardhshme për të mbështetur përpjekjet transformuese të Ballkanit Perëndimor në fushat me interes të ndërsjellë.
Këto përfshijnë: forcimin e sundimit të ligjit, bashkëpunimin e përforcuar mbi sigurinë dhe migracionin, zgjerimin e zhvillimeve socio-ekonomike, nisma për lidhje në fushën energjetike dhe të transportit, iniciativa për axhenda dixhitale, si dhe në fund, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo pajtimet mes fqinjëve.

  • Një sondazh që duhet komentuar

Praktikat e ekonomisë së fshehur, ose informale, sikundër jemi mësuar të shprehemi, kanë përbërë dhe përbëjnë një problem për çdo ekonomi, por ato janë mjaft të ndjeshme në ekonomitë e reja, sepse dëmtojnë konkurrencën e ndershme dhe klimën e biznesit. Ka qënë një sondazh rajonal, që ka përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën, por është mbikqyruar edhe nga Bullgaria dhe Kroacia, që ka nxjerrë në dritë disa nga dukuritë që kanë nevojë të komentohen dhe të përmirësohen me politika të zgjuara shtetërore. Një forum me pjesëmarrjen e ekspertëve të këtyre shteteve u zhvillua në fillim të këtij muaji në Shkurt të Maqedonisë dhe u fokusua në barrën e lartë ndaj biznesit, që çon në fshehjen e aktivitetit.
Po cilat janë gjetjet? Cili është shkaku i ekonomisë së fshehur? Një nga konkluzionet e raportit, që duhet thënë që në krye të ditës,  është se “barra e taksave, një nga shumë faktorët që kontribuon të evazionin fiskal, është në plan të parë aty ku politikat publike duhet, dhe shumë shpesh janë, shënjestruar në mënyrë që të ndryshojnë një sistem që nxit angazhimin në evazionin fiskal dhe mashtrimin. Barra e taksave lidhet jo vetëm me shumën e paguar, por gjithashtu në lehtësimin e vështirësive për pagimin e taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore”, – thuhet në raport
Sondazhi rajonal për praktikat e ekonomisë së fshehur në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri nxjorri në pah evazionin e lartë të ekonomive të këtyre vendeve. Në Shqipëri, psh 84.3% e kompanive të anketuara konfirmuan se tentojnë të fshehin të ardhurat vazhdimisht, në më të shumtën e rasteve, ose ndonjëherë. Për Maqedoninë, kjo përqindje është dukshëm më e ulët, ku 54.4% e bizneseve të anketuara konfirmojnë se praktikat e ekonomisë së fshehur përdoren në sektorin e tyre në mënyrë ‘konstante’, ‘në shumicën e rasteve’, ose ‘ndonjëherë’. Raporti thekson se fshehja e xhiros është më domethënëse në Shqipëri, ku 40% e atyre që pohuan se tentojnë të fshehin të ardhurat thanë se kjo praktikë përdorej në “më të shumtën e rasteve”.
Lidhur me përdorimin e kuponëve fiskalë, 17% në Maqedoni, 52% në Shqipëri dhe 29.6% e të anketuarve nga Kosova konfirmuan se ata nuk kishin marrë kurrë, ose kishin marrë rrallë kuponë tatimorë për veshjet dhe këpucët. Për alkoolin dhe cigaret, 20% në Maqedoni, 52% në Shqipëri dhe 40% e të anketuarve nga Kosova gjithashtu konfirmuan se ata kishin marrë rrallë, ose nuk kishin marrë asnjëherë kupon tatimor.
Megjithëse rastet për moslëshimin e kuponit tatimor janë relativisht të rralla në të tre vendet dhe janë poshtë nivelit 18%, ka përjashtime të dukshme, si p.sh., për Shqipërinë për kategoritë alkool/cigare (26.5%), libra (28.3%) dhe për Kosovën gjithashtu për librat (26%). Sondazhi me bizneset konfirmon këto gjetje, teksa 52% në Maqedoni dhe 68% në Shqipëri kanë konfirmuar se moslëshimi i kuponit tatimor kryhet vazhdimisht në pjesën më të madhe ose ndonjëherë në sektorët e tyre përkatës, ku dominon përgjigja “ndonjëherë”, theksohet në raport.
Sondazhet me popullatën dhe bizneset në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë kanë konstatuar një tendencë të dukshme të bizneseve për të fshehur një pjesë të të ardhurave të tyre, që nga ana e saj ndikon negativisht konkurrencën dhe mbikëqyrjen e qeverisë si dhe të ardhurat publike, thuhet në raport.
Sondazhi u krye nga Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) në Maqedoni dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri, me metodologji identike. Raporti titullohet: “Barra e lartë ndaj biznesit çon në fshehjen e aktivitetit – Perspektiva e biznesit dhe Ekonomia e Fshehur në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë”.