Aftësia e kufizuar, aspak paaftësi

Organizata CoDe Albania – Coherent Development Albania po zbaton në Durrës, projektin me titull “Aftësia e kufizuar nuk është paaftësi. Zhvillim ekonomik përfshirës”, kushtuar 100 të rinjve të moshës 19 -34 vjeç, me aftësi të kufizuar. Projekti financohet nga GIZ, Progami ProSEED. Ai synon të mbështesë fuqizimin social ekonomik të të rinjve me aftësi të kufizuar përmes zhvillimit të kapaciteteve në programin mbi aftësitë e jetës dhe këshillimin, si dhe ndërtimit të platformës mbi përshtatshmërinë dhe akomodimin e arsyeshëm në vendin e punës.
Zhvillimi Ekonomik Përfshirës nënkupton planifikim teorik dhe praktik të zhvillimit ekonomik, të nxitur nga vlerat e barazisë, transparencës, qëndrueshmërisë dhe angazhimit të të gjithë komunitetit, i cili është përbërës thelbësor i çdo strategjie të suksesshme të rritjes. Zhvillimi gjithëpërfshirës kërkon të përfshijë persona me aftesi te kufizuar në procesin e zhvillimit ekonomik, duke “njohur potencialin e tyre, vlerësuar kontributet e tyre, respektuar perspektivat e tyre, nderuar dinjitetin e tyre, si dhe duke iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të tyre “(AusAID 2008).
Punësimi i të rinjve me aftësi të kufizuar, edhe pse një e drejtë e përcaktuar në Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, ende sot vijon të mbetet një sfidë që padyshim kërkon vëmendjen dhe kontributin e institucioneve përgjegjëse, por edhe angazhimin e sektorit privat të punësimit. Zhvillimi ekonomik përfshirës do të krijonte kushte të barabarta punësimi për të rinjtë me aftësi të kufizuar, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në procesin e përfshirjes sociale dhe jetesës së pavarur.
Ligji 248, për stimulimin e punësimit synon t’i japë një shtysë bizneseve për të punësuar personat me aftësi të kufizuar. Sipas këtij ligji “një biznes që punëson një person me aftësi të kufizuar merr si rimbursim nga shteti 100% të pagës minimale për 6 muaj dhe 100% të sigurimeve shoqërore për një vit. Kjo, me matematikë të thjeshtë, do të thotë se një biznes që merr në punë një person me aftësi të kufizuar ka një risk minimal ekonomik, pasi sigurimet i paguan shteti për një vit.
Në rast se individi ka nevojë për ambient të përshtatur, shteti merr përsipër suvencionimin me 100.000 lekë për përshatjen e ambientit të punës, (nëse biznesi punëson 2 ose më shumë individë me aftësi të kufizuar, kjo shumë nuk mund të kalojë 200.000 lekë). Gjithashtu, në rast se ka individ që për një punë i nevojitet trajnim, shteti suvencionon biznesin në masën 70% të kostos së trajnimit si dhe 50% të pagës minimale për kursantin. Mund të aplikohet tek Zyra e Punës, mjafton që biznesi të paraqesë të dhënat financiare të 5 viteve të fundit si edhe një plan zhvillimi.
Fryma e këtij ligji mund të përkufizohet në dy parime bazë: 1) kosto minimale për biznesin 2) stimulim për personat me aftësi të kufizuar, për të qenë aktivë në shoqëri.
Një biznes ka një risk minimal, pasi shuma që biznesi paguan është e vogël. Mbrojtja dhe stimuli që shteti i bën bizneseve synon hapjen e dyerve dhe thyerjen e barrierave për punësimin e personave me aftësi të kufizuar.
Ka ardhur koha që të rinjve me aftësi të kufizuar t’u jepet më shumë besim, sepse ata munden. Nëse për çdo njeri punësimi është dinjitet, për personat me aftësi të kufizuar është edhe diçka më shumë, prova e gjallë se ata pavarësisht se janë ndryshe, janë të barabartë me të tjerët.
Ka shumë të rinj me aftësi të kufizuar, të cilët janë të aftë për punë, kërkojnë punë dhe duhet t’u mundësoni shanse të barbarta për punësim. Punësimi i tyre do të thotë rritje e fuqisë blerëse, pra një përfitim për ekonominë. Për punësimin e të rinjve me aftësi të kufizuar nuk mjafton vetëm një ligj i shkruar, nevojitet mbështetja dhe mirë adresimi i të drejtës së tyre për punësim. Personat me aftësi të kufizuar duhet të eleminojnë frikën se mos nuk ja dalin dhe bizneset se mos zgjedhja e tyre rezulton e gabuar. Në fakt, bizneset që kanë punësuar persona me aftësi te kufizuar nuk rezultojnë të jenë penduar.
Përfshirja në  punësim e PAK ndikon në autonominë financiare, në uljen e papunësisë në rradhët e personave me aftësi të kufizuar, rrit diversitetin e fuqisë punëtore, të cilat reduktojnë nevojën për kujdes, rritin kontributin në familje, çojne në ulje të kërkesës për asistencë sociale, zgjerim të bazës tatimore si dhe në rritje të produktivitetit të punës.
Përfitimet ekonomike janëtë nivelit individual/familjar dhe shoqëror, duke ndikuar në rritjen e të ardhurave dhe mbrojtje nga varfëria.
Pse punësimi i personit me aftësi të kufizuar rezulton vendimmarrje e zgjuar?

  • Përmes akomodimit të arsyeshëm, punonjësit me aftësi të kufizuarë janë po aq produktivë sa punëtorët e tjerë dhe përfshirja e tyre mund të çojë në përfitime ekonomike për biznesin.
  • Eksperienca ka treguar se punonjësit me aftësi të kufizuar kanë norma më të ulta qarkullimi, pjesëmarrje më të lartë dhe më pak aksidente në vendin e punës sesa ata pa aftësi të kufizuar.
  • Punësimi i personave me aftësi të kufizuar mund të rrisë moralin dhe punën në grup në mesin e të gjithë stafit, e cila nga ana tjetër mund të rris produktivitetin.
  • Krijimi i strukturave dhe sistemeve për të akomoduar PAK, persona me aftësi të kufizuar mund të lehtësojë aksesin dhe për punonjësit e tjerë.
  • PAK përbëjnë deri gati një të pestën e popullsisë, ata përfaqësojnë një grup kryesisht të pashfrytëzuar të konsumatorëve.
  • Mund të përmirësojë gjithashtu imazhin dhe përgjegjësinë sociale e binzesit, e cila mund të tërheqë klientët dhe të promovojë besnikërinë e markës.

Përfshirja e PAK në zhvillim ekonomik është jetike, për aq kohë sa studimet dhe praktikat   ndërkombëtare konstatojnë marrëdhenien shkak – pasojë  të varfërisë  me aftesitë  e kufizuara.
Për të arritur përfshirjen, nevojitet një qasje e dyfishtë: përqëndrimi në shoqëri për të hequr barrierat që përjashtojnë si dhe përqendrimi në grupin e personave, të cilët janë të përjashtuar, për të ndërtuar kapacitetin e tyre dhe për t’i mbështetur ata për të lobuar për përfshirjen e tyre.
Bashkëpunimi dhe rrjetëzimi në të gjitha nivelet në shoqëri janë strategji thelbësore për të arritur përfshirjen.

Ja vlen të thyeni një barrierë thjesht me një mendim, sepse gjithçka është e realizueshme nëse e beson.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin