Përse Turqia (III)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  • Çfarë mund të shesësh
  • Makineri dhe pajisje

Ky sektor përfaqëson zërin më të rëndësishëm në Importet Turke (mbas disa artikujve të përdorimit të gjerë). Ndër furnitorët kryesorë gjenden Italia sidomos përsa i përket makinerive për përpunimin e tekstileve, atyre për agrikulturën, për përpunimin e metaleve, të plastikës, drurit, lëkurave dhe këpucëve si dhe ambalazhimit. Megjithatë Turqia, ka një kapacitet gjithmonë e në rritje për të prodhuar vetë impiante të një niveli mesatar dhe po konfirmohet gradualisht edhe si vend prodhues dhe eksportues në rang ndërkombëtar. Perspektivat më interesante për shitje në këtë vend lidhen gjithnjë e më shumë me makineritë me nivel të lartë sofistikimi.

  • Tekstile

Ky përfaqëson në tërësi një sektor strategjik për Turqinë, pasi është zëri i parë në eksportet vendase. Rritja e vëmendjes së Industrisë Turke ndaj cilësisë së produktit përfundimtar, ka çuar edhe në rritjen e kërkesave për copa dhe fije cilësore. Një vëmendje të veçantë meritojnë tekstilet teknike të cilat gjejnë përdorim në fusha nga më të ndryshmet si: mjekësi, industrinë e automjeteve, agrikulturë, mobilim, etj.

 

  • Produkte kimike

Edhe pse kontribuon veçanërisht në nanoteknologji, në bio-kimikë, në gjenetikë, në kiminë organike, kjo fushë mbetet transversale për të gjithë sektorët prodhues (tekstile dhe veshmbathje, elektroshtëpiake, makineri dhe pajisje industriale, prodhimet e gomës dhe të plastikës, ndërtimit, industrinë e automobilave) dhe përfaqëson një nga zërat më të rëndësishëm të Importeve Turke.

  • Shërbime informacioni dhe komunikimi

Turqia synon të ketë një rritje të aftësive në këtë fushë, kjo falë incetivimit që ka bërë në fushat e kërkim-zhvillimit nëpërmjet krijimi të parqeve teknologjike dhe nëpërmjet rritjes së ndërveprimit midis bizneseve dhe universiteteve. Falë këtij orientimi, lindin mundësi të shumta tregtimi sidomos në disa sektorë Niçe si: Paketa software, transmetim të dhënash, telekomunikacion, siguri. Edhe bio-teknologjia industriale dhe ajo agrare, si dhe sektori i elektronikës për ushtrinë janë fusha me potencial të lartë.

 

 

  • Faktorët kryesorë të rriskut në fushën e biznesit
2015 / 2016 2016 / 2017 2017 / 2018
Aksesi ndaj financimit 12,2 10,6 11,8
Normat e taksimit 14 8,3 7,4
Burokraci shtetërore inefiçente 7,1 10,5 8,9
Nivel i ulët i shërbimeve të shëndetit publik 0,9 2 0,8
Korrupsioni 1,5 2,7 0,3
Krime dhe vjedhje 0,3 0,9 0,3
Nivel i ulët etike pune i forcës punëtore vendase 2,3 4,5 2,9
Fuqi punëtore e pa shkolluar siç duhet 12 12,3 11,7
Ofertë infrastrukturore e papërshtatshme 6,6 4,8 6,2
Inflacion 5,1 7,4 7,9
Politika të paqëndrueshme 6,2 9,9 13,7
Paqëndrueshmëri e qeverisë/grushte shteti 1,3 2,9 7,3
Normativa shtrënguese për punën 5,2 7,1 2,4
Normativat fiskale 8,4 7,2 4
Veprime rregulluese ndaj valutave të huaja 11,3 5 9,1
Kapacitet i pamjaftueshëm për inovacion 5,5 3,8 5,3
 

Shënim: Faktorët e paraqitur në këtë tabelë, kanë ardhur si rezultat i plotësimit të një pyetësori të zhvilluar me sipërmarrës të ndryshëm të huaj që operojnë në këtë vend. Nga një listë totale me 16 faktorë, të intervistuarit duhet të përcaktonin 5 faktorët më problematikë. Shifrat e kësaj tabele përfaqësojnë rezultatin përmbledhës të vlerësimeve të dhëna nga këta sipërmarrës.

Përditësimi më i fundit: 23/10/2017

  • Rreziqet politike
  • Paqëndrueshmëri në politikën e brendshme

Gjendja e emergjencës e deklaruar mbas tentativës së dështuar për grusht shteti më 15.Korrik.2017 (e cila do të mbahet deri më 19.04.2018) si dhe lufta kundër rrjetit që dyshohet se është përgjegjës për këtë grusht, kanë rritur tensionet dhe kanë shtuar më tej polarizimin e shoqërisë turke, duke marxhinalizuar zërat kritikë brenda qeverisë. Reforma kushtetuese e promovuar nga Presidenti Erdogan (e cila parashikon një centralizim të madh të pushtetit duke rrezikuar kështu dobësimin e shtetit të së drejtës) u aprovua më 16.Prill.2017 me një referendum popullor, rezultati i  të cilit është kundështuar shumë pasi ka krijuar dyshime të mëdha për parregullsi.

  • Kushtëzime të lirive themelore

Minoritetet etniko-linguistike, fetare, LGBTI, ankohen për diskriminim dhe mbrojte të pamjaftueshme. Në kuadër të masave të marra për gjendjen e emergjencës, me mijra nënpunës publikë janë shkarkuar nga detyra, gazetarë të shumtë, akademikë, aktivistë, parlamentarë dhe disa administatorë lokalë të partive filo-kurde janë arrestuar. Me qindra shoqata dhe gazeta janë mbyllur, për shkak të dyshimeve se mund të ishin të lidhura me organizata terrorriste, duke kufizuar shumë në këtë mënyrë lirinë e shtypit, të shprehjes së lirë dhe pjesmarrjes.

  • Pasojat e krizave në rajon

Ankaraja e konsideron krizën Siriane si të ishte çëshje e sigurisë kombëtare për shkak të prezencës së grupeve DAESH dhe të grupeve të ngjashme me PKK(PYD/YPG). Fluksi i refugjatëve sirianë rëndon edhe më shumë rrezikun e infiltrimit të elementëve radikalë dhe të celulave terrorriste. Përqasja ndaj sigurisë, e ka shtyrë Ankaranë të nisë një mision ushtarak përtej kufijve (të quajtur “Mburoja e Eufratit”), i cili, edhe pse ka përfunduar, ka hapur rrugën ndaj rrezikut për përshkallëzime të mëtejshme. Kjo, edhe falë mundësisë për ndërhyrje të mëtejshme ushtarake të drejtpërdrejta në Siri dhe në Irak.

  • Terrorizmi dhe operacionet e sigurisë brenda vendit

Dështimi në Korrik të 2015 i proçesit të zgjidhjes, ka sjellë rifillimin e përleshjeve të armatosura midis forcave të sigurisë turke dhe PKK-së në Jug-Lindje të vendit. Zona të ndryshme në provincat me shumicë kurde, i janë nënshtruar shtetrrethimit, ndërkohë që numërohen qindra viktima mes të cilëve ushtarakë, guerrilas të PKK-së dhe civilë. Situatë kjo që ka sjellë evakuimin e më shumë se gjysmë milioni njerëzish. Prej Qershorit 2015, atentate të shumta nga DAESH, rebelët kurdë (PKK/TAK) dhe marksistë-leninistët  (DHKP-C) kanë shkaktuar në total më shumë se një mijë viktima.

  • Rreziqet ekonomike
  • Kursi i këmbimit

Me normalizimin e politikave monetare ekspansioniste të vëna në jetë nga SH.B.A. dhe vendet e Europës si kundërpërgjigje ndaj krizës ekonomike, flukset financiare ndërkombëtare të cilat më parë i ishin drejtuar ekonomive në rritje dhe me rendiment të lartë, si Turqia, tashmë janë rikthyer në vendet e zhvilluara. Vendimet e marra nga Bankat Qëndrore të huaja ndikojnë drejtpërdrejt mbi lirën turke, kursi i këmbit të së cilës ndaj euros dhe dollarit, nuk arrihet të mbahet stabël për shkak të rezervave të ulëta në dispozicion.

  • Deficitet në Bilancin Tregtar

Turqia varet pothuajse plotësisht nga jashtë për importin e energjisë. Kështu që, fatura e lartë elektrike, përfaqëson një element dobësie për ekonominë vendase. Rezultati negativ i bilancit tregtar, kompensohet pjesërisht nga sektori turistik. Deficiti që rezultonte gjatë periudhës Qershor 2016-Qershor 2017 ishte 22,5 miliardë dollarë dhe PBB ishte 2,6%. Për të financuar këtë deficit, Turqia ka nevojë për kapital të huaj, kapital ky që tashmë është bërë më i kushtueshëm, mbas uljes së normës së vlerësimit nga ana e 3 agjensive ndërkombëtare të vlerësimit (Moody’s, Standard &Poor’s e Fitch).

  • Inflacioni

Në vitin 2017, norma mesatare e inflacionit ishte 11,14%, shumë herë më e lartë se objektivi 5% i vendosur nga Banka Qëndrore. Kjo për shkak të transferimit mbi mallrat e konsumit të kostos më të madhe nga zhvlerësimi i lirës turke dhe për shkak të vështirësive të Bankës Qëndrore për të realizuar pritshmëritë mbi inflacionin për shkak të presionit politik për të mbajtur të ulta normat e interesit.

  • Ekonomia informale dhe evazioni fiskal

Sipas vlerësimeve më të fundit, ekonomia informale është sa 30% e PPB-së Turke. Kjo është një nga shifrat më të larta ndër vendet e Organizatës së Kooperimit dhe Zhvillimit Ekonomik (OECD-së). Rritja e shpejtë ekonomike e viteve të kaluara dhe llogaritë publike aktuale, ende nuk e kanë detyruar qeverinë turke të vërë në jetë një politikë më të fortë kundër evazionit fiskal. Përhapja e shpejtë e mjeteve të pagesës elektronike në popullatë, sidomos midis të rinjve, besohet se do të mundësojë  një frenim të këtij fenomeni falë gjurmueshmërisë së transaksioneve financiare. 

  • Rreziqet operative
  • Barrierat tarifore dhe jo-tarifore

Megjithëse që prej vitit 1996 ka hyrë në fuqi një Bashkim Doganor midis Bashkimit Europian dhe Turqisë, në shumë sektorë tregtarë mbeten ende disa rregulla të ngurta të cilat mund ti bëjnë më të vështira shkëmbimet, por sidomos të ndërlikojnë dhe të zgjasin shumë procedurat burokratike që lidhen me importin e mallrave në vend.

  • Mbrojtja e pronësisë intelektuale

Megjithë masat e marra nga qeveria turke gjatë viteve të fundit për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, falë edhe rritjes së ndërgjegjësimit nga ana e opinionit publik dhe rritjes së numrit të funksionarëve publikë dhe gjyqtarëve të cilët kanë ndjekur kurse specifike trajnuese në këtë sektor, mbeten ende për t’u përballuar çështje të ndryshme. Duke nisur që nga kohëzgjatja e proceseve gjyqësore, tek niveli i përhapjes së praktikave të fallsifikimit e deri tek efikasiteti i kontrolleve ndërkufitare.

  • Nivel i lartë taksimi mbi disa mallra

Qeveria turke ka hartuar disa ligje të cilat e kanë rritur ndjeshëm nivelin e taksimit mbi disa kategori të caktuara mallrash, kryesisht mallra importi. Këto lloj përqindjesh, në shumicën e rasteve, e rrisin shumë çmimin final të produktit që del në treg. Vlejnë për tu theksuar rastet e disa produkteve luksi, midis të cilave sidomos autoveturat,  produktet e sektorëve të elektonikës dhe ICT-së, ato agroushqimore dhe pijet alkolike.

  • Sistemi ligjor

Falë edhe proceseve aktuale të përshtatjes së normativave lokale me legjislacionin e Bashkimit Europian, sistemi ligjor turk ka shënuar përgjatë viteve të fundit një progres domethënës, duke filluar që nga hyrja në fuqi e Kodit të ri Tregtar në Korrik 2012. Sistemi legjislativ vendas mbetet megjithatë me nivel të lartë burokracie dhe ndërlikimesh. Gjithashtu, kohëzgjatja e zgjidhjes së një çështje mund të jetë edhe shumë e madhe.

  • Aspektet normative dhe legjislative
  • Kuadri rregullator i shkëmbimeve tregtare

Zhdoganimi dhe dokumentet e nevojshme për import: Në bazë të marrëveshjes së Bashkimit Doganor me vendet e BE-së.

Klasifikimi doganor i mallrave: Nomenklatura e kombinuar e mallrave

Kufizimet ndaj importeve: Janë të ngjashme me ato të Komunitetit Europian për armët dhe aksesorët e tyre; materialet radioaktive dhe makineritë e lidhura me to; pajisjet e telekomunikimit; materialet për aviacionin civil; lëndët plasëse; tretësit dhe disa produkte të naftës; mbetjet; plehrat organikë; materiale të përdorura dhe të riparuara;  materiale jo-konform standarteve të përcaktuara nga Ministria e Ekonomisë Turke; produkte që dëmtojnë shëndetin,kafshët, njerëzit dhe bimët; substanca kimike të përcaktuara si të rrezikshme sipas standarteve ndërkombëtare.
Është i ndaluar importi i hashashit dhe opiumit të pregatitur; vezët e krimbit të mëndafshit; çfarëdolloj tipi dheu, gjethe, kërcell, kashtë dhe pleh natyral për përdorim bujqësor; pajisje të ndryshme që shërbejnë për të luajtur bixhoz; produkte që mbartin markën e një produkti tjetër tregtar; etiketa dhe materiale amballazhimi fallco si dhe materiale të ndryshme të përfshira në listën njoftuese 15.
Importi i përkohshëm: Lejohet importi i përkohshëm i mallrave që shoqërohen me Carnet A.TA. si dhe me lejen doganore përkatëse mbas mbërritjes së mallit. Është e nevojshme që të paraqiten dokumentet e mëposhtme: fatura e qerasë, fatura e produktit, C.M.R. dhe dokumenta të tjerë, një letër ku përcaktohet qëllimi i përdorimit, kontrata me furnitorin dhe nëse është e nevojshme katalogët dhe/ose dokumenta teknikë të cilët përcaktojnë specifikat teknike të mallrave.

  • Aktivitete investuese dhe struktura prodhuese në vend

Kuadri rregullator mbi investimet e huaja: Neni 3/a i ligjit mbi investimet, parashikon për investitorët e huaj, mundësinë për të kryer lirisht investime direkte. Fitimet neto, pagesat e dividentëve, shitja, likuidimi dhe dëmshpërblimet e investimeve të huaja, pagesat e kapitalit të huaj të kredituar si dhe interesat përkatëse mund të transferohen lirisht jashtë vendit nëpërmjet bankave dhe institucioneve financiare private. Mund të investohet 100% i kapitalit në të gjithë sektorët, duke përfshirë edhe atë bankar dhe atë të sigurimeve. Përjashtim bën vetëm sektori i radios dhe televizioni (në këtë rast lejohet pjesmarrja deri në 50% të kapitalit). Ka edhe sektorë të tjerë që përfshihen tek përjashtimet si: transporti ajror, administrimi i porteve, nafta, etj. Turqia ofron një sërë incentivash për investitorët e huaj të tilla si: përjashtime nga TVSH-ja, përjashtim nga taksat doganore, norma më të ulta taksimi, mbështetje për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit, mbështetje për pagimin e normave të interesit dhe dhënien e tokave në përdorim. Përfitimet e shoqërive të huaja, mund të tranferohen jashtë në fund të çdo viti fiskal, mbasi Asambleja e Ortakëve të ketë kryer pagesën e dividentëve. Në Zonat e Tregtisë së Lirë, përveç përjashtimeve fiskale, shtohen edhe përjashtimet nga TVSH-ja mbi mallrat dhe shërbimet e importuara dhe të eksportuara.
Legjislacioni mbi Shoqëritë Tregtare: Sipërmarrësit e huaj mund të krijojnë në Turqi, si filiale ashtu edhe shoqëri për kapital (Sh.p.k. ose Sh.a.). me kushte të barabarta me sipërmarrësit lokalë. Për të hapur një Sh.p.k. është i mjaftueshëm një kapital minimal prej rreth 2.600 € (10.000 lira turke), ndërkohë që për të hapur një Sh.a. kapitali minimal është rreth 13.000 € (50.000 lira turke). Kapitalet mund të jenë si në para ashtu edhe në natyrë; në makineri; në know-how (sipas nenit 342 të Kodit Tregtar Turk për një Sh.a. ose për Sh.p.k. know-how nuk përbën kapital në natyrë) ose edhe nëpërmjet transferimit të teknologjisë. Gjatë krijimit të një Sh.a.-je, 1/4-ta e kapitalit të nënshkruar duhet të derdhet që në aktin e krijimit, ndërsa pjesa tjetër brenda 24 muajve në vijim. Ndërsa gjatë krijimit të një Sh.p.k.-je, i gjithë kapitali duhet të derdhet menjëherë (por edhe për Sh.p.k.-të 25%  e kapitalit mund të derdhet menjëherë gjatë krijimit dhe pjesa tjetër brenda 24 muajve në vijim). Sh.p.k.-të nuk mund të zhvillojnë aktivitet në sektorin: bankar, atë të sigurimeve, financiar, të leasingut, aktivitet faktoringu dhe zyra këmbimi valutor. Të gjitha këto janë aktivitete që mund të zhvillohen vetëm nga shoqëri me kapital aksionar dhe që kanë nevojë për autorizime të veçanta.
Sistemi fiskal: Sipas parimit të Rezidencës, personat fizikë rezidentë dhe personat juridikë me seli ligjore ose tregtare në Turqi, i nënshtrohen detyrimit të pagesës së tatimit mbi të ardhurat panvarësisht se ku janë realizuar ato.
Ndërkohë që marrëveshjet për eleminimin e Taksimit të Dyfishtë të cilat ndjekin parimin e Burimit, parashikojnë që nëse personat fizikë dhe juridikë nuk kanë rezidencë ose seli tregtare apo ligjore në Turqi, të tatohen vetëm për pjesën e të ardhurave që krijohen në këtë vend.
Tatimi mbi të ardhurat e personave fizikë: 15-35%
Taksimi i aktiviteteve të biznesit: 20%
Taksa mbi vlerën e shtuar (TVSH): 18%
Viti fiskal: nga 1 Janari deri më 31 Dhjetor

Përditësimi më i fundit: 13/09/2017

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin