Lajme shkurt

Kujdes, po afron data e mbledhjes me forcë të detyrimeve të papaguara

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sinjalizuar përsëri tatimpaguesit lidhur me zbatimin e procesit të fshirjes së detyrimeve tatimore me kusht. Sipas DPT-së, ka hyrë në një fazë të rëndësishme zbatimi i ligjit “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit”, konkretisht në atë të fshirjes së gjobave dhe kamatëvonesave që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Sikurse dihet, zbatueshmëria e kësaj mase lehtësuese financiare për tatimpaguesit, është e mundur deri në datën 31 Dhjetor 2017. Tatimpaguesit duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi pasi pas kësaj date, ato do të jenë të ekspozuar përpara masave shtrënguese të mbledhjes së detyrimeve tatimore të papaguara. Fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, të regjistruara në llogarinë e subjektit, me kushtin që, brenda datës 31.12.2017, të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi për:

  • detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014, duke u aplikuar sipas llojit të tatimit;
  • kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014;
  • taksat/tarifat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Durrësit kujton tatimpaguesit që mund të përfitojnë nga fshirja me kusht e detyrimeve, t’i drejtohen çdo banke të nivelit të dytë duke kryer pagesën, vetëm për detyrimin principal për tatimin/taksën/kontributin/tarifën.

 

Shtyhet shitja e Bankës Kombëtare Greke (NBG Albania)

Shoqëria e sigurimeve Eurosig, Banka Amerikane e Investimeve (ABI) dhe Banka e Parë e Investimeve (FIB)  janë tre institucionet financiare që kanë dorëzuar ofertat për blerjen e NBG-së dhe janë në pritje të shpallje të fituesit.

Por, nga burime pranë ofertuesve mësohet se një tjetër skenar që po diskutohet është ai i shtyrjes së procesit, kjo për dy arsye kryesore. Së pari, tre ofertat e dorëzuara kanë qenë më të ulëta sesa priste banka. Ofertën më të lartë e ka bërë Eurosig, i dyti është ABI dhe e treta është FIB. Së dyti, krahas ofertës së ulët, bankat që kanë paraqitur ofertë janë relativisht të vogla, ndërsa Eurosig nuk ka përvojë në sistemin bankar. Mësohet që preferenca është mes ABI dhe FIB.

NBG, me seli qendrore në Greqi njoftoi para disa muajsh se do të shesë bankat më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, si pjesë e angazhimeve për të cilat është rënë dakord me rregullatorët. Në fund të tremujorit të dytë 2017, totali i aktiveve të NBG në Shqipëri ishte 40.5 miliardë lekë, duke përbërë 2.8% të totalit të aktiveve të sistemit bankar, ndërsa banka ka 4.8% të stokut të kredive sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.

 

Punëdhënësit kontrollojnë elektronikisht pagimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore

Shërbimi më i përdorur në aplikacionin mobile nga qytetarët është kontrolli i deklarimit dhe të pagesës së kontributeve nga punëdhënësit. Sipas të dhënave nga portali e-Albania, ky shërbim ka 1,628 përdorime në muaj dhe u vjen në ndihmë përdoruesve të marrin informacion online rreth kontributeve të deklaruara dhe paguara nga punëdhënësit, prej muajit dhjetor të vitit 2011.

Sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sigurimet shoqërore numërojnë rastet më të larta të mospagimit të detyrimit, megjithëse si vlerë në stokun e borxhit zinte vetëm 10% të totalit.

Shërbimi i dytë më i përdorur është nxjerrja e faturës së energjisë elektrike (e-pagesa) me 1,406 përdorime në muaj. I treti më i përdorur është kontrolli për kundërvajtjet rrugore dhe i pagimi i tyre me 1,388 përdorime në muaj.

 

Prodhuesit shqiptare: Qeveria të lehtësojë klimën e biznesit në sektorin prodhues

Prodhuesit shqiptarë, nëpërmjet një deklarate për median i kanë shpjeguar qeverisë se ku duhet të fokusohen politikat e saj për biznesin prodhues. Sipas këtij grupimi të biznesit, kërkohet përmirësimi i kuadrit ligjor dhe garantimi i sigurisë ligjore, përmirësim i procesit të inspektimit, nëpërmjet, i) shtrirjes së inspektimit “online” në të gjithë fushat e inspektimit, si një skemë që mbështet prodhuesit e formalizuar dhe lufton informalitetin; ii) përballimit të tarifave të analizave laboratorike të kërkuara në procesin e inspektimit nga buxheti i shtetit; iii) rishikimit dhe lehtësimit të procedurave për kontrollet dhe vetëkontrollet ndaj sipërmarrjes prodhuese; si dhe iv) heqjes së tarifës së skanimit në dogana, pasi bie në kundërshtim me legjislacionin për inspektimin, etj.

 

Vendorët krijojnë borxh të ri

Referuar burimeve zyrtare dhe përditësimit të informacionit për periudhën prill-qershor 2017, rezulton se detyrimet e prapambetura, të krijuara rishtazi për njësitë vendore deri në qershor 2017, arrijnë në vlerën 9.5 miliard lekë. Në tremujorin e dytë të vitit 2017, janë krijuar detyrime që kapin vlerën 3.2 miliard lekë (kryesisht investime, shpenzime për mallra dhe shërbime). Sipas informacionit të njësive të vetëqeverisjes vendore, një pjesë e detyrimeve të krijuara deri në qershor 2017 janë likujduar dhe ndërkohë pritet likujdimi i plotë i tyre në periudhën në vazhdim.

Peshën më të madhe të detyrimeve të reja të krijuara rishtazi e ka bashkia Tiranë me  3.7 miliard lekë. Vlera e mbetur e cila parashikohet të shlyhet në vitin në vazhdim, bazuar në planin e shlyerjes së dërguar nga të gjitha bashkitë në Ministrinë e Financave është 9.1 miliard lekë.

 

Bashkëpunimi Shqiptaro-Çekë për rritjen e importeve të teknologjisë çeke nga kompanitë shqiptare

Ambasadori i Shqipërisë në Çeki Z.Riza Poda , zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Bankës Çeke të Eksport-Importit, Z.Karel Bures, ku u diskutua lidhur me mundësinë e financimit nga kjo bankë të importeve të teknologjisë çeke nga kompani shqiptare, si dhe gjetja e mundësive që kjo bankë të mbështesë financiarisht bizneset shqiptare, të interesuara të importojnë teknologji çeke për zgjerimin e aktivitetit të tyre ekonomik.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Çeke të Eksport-Importit, banka që ai drejton është e gatshme të kreditojë deri në 85% të importeve të linjave përpunuese çeke nga biznesi shqiptar, me një afat shlyerje 10 vjeçar dhe përqindje interesi 3.5%, terma këto të negociueshme, me kusht garanci shtetërore.

Kompanitë shqiptare të interesuara për teknologjinë çeke dhe financim nga kjo bankë, duhet të shprehin interesin konkret për linjat dhe teknologjinë përkatëse të kompanive prodhuese çeke, mundësinë e tyre të financimit dhe “export insurance”.

Pas kësaj, Banka e Eksport-Importit, sipas proceduarave bën studimin e riskut dhe më pas informon kompaninë e interesuar shqiptare për kredinë që mund të ofrojë për financimin e eksportit të teknologjisë çeke në Shqipëri dhe kushtet përkatëse.