Lundrimi turistik në Shqipëri, sfida dhe perspektiva

Lundrimi turistik në Shqipëri, sfida dhe perspektiva
1 Gazeta T&I Durrës Nr 22

Kjo ishte tema e seminarit të zhvilluar më 27 Prill në kuadër të projektit “iBLUE”, të programit “Interreg Med”, i financuar nga Bashkimi Europian. Siç theksoi zoti Xhavara, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës ndjehet mirë dhe bile krenare që është partnere në këtë projekt me organizata dhe institucione që vijnë nga 8 shtete të BE, si: Italia, Franca, Kroacia, Sllovenia, Spanja, Portugalia, Greqia dhe Qipro.
Prezantimi i Universitetit Udine – Itali, partneri lider, shpjegoi qartë se projekti synon të mbështesë rigjallërimin e sektorit të lundrimit turistik në pellgun e Mesdheut. Si instrument ndihmës është zgjedhur një model biznesi, i mbështetur në tri kollona: ekonomik, social dhe ambiental.
Dhoma, nga ana e saj, synon që me anë të zbatimit të projektit “iBLUE” të nxisë ringritjen e sektorit të lundrimit turistik në Shqipëri. Pa hezitim, mund të thuhet që ky sektor është zhvilluar deri më sot në mënyrë pothuaj spontane. Megjithatë, sot kemi rreth 200 pronarë shqiptarë anijesh turistike, shumica e të cilave lundrojnë me flamur të huaj, rreth 50 biznese prodhuese apo shërbimi për mjetet e lundrimit turistik dhe vetëm një port turistik në Orikum, të dhënë në konçesion nga shteti. Ndërkaq, ndihet shumë nevoja për të mësuar dhe adaptuar në Shqipëri nga praktikat më të mira dhe kuadri ligjor më i favorshëm i huaj, europian e më gjerë.
Sigurisht që këto synime të Dhomës mund të arrihen vetëm me përfshirjen dhe angazhimin e të gjithë protagonistëve dhe aktorëve të këtij sektori. Prandaj, në këtë seminar u thirrën dhe morën pjesë rreth 60 përfaqësues të institucioneve, bizneseve, specialistë, që të gjithë me interesa direkte ndaj zhvillimit të këtij sektori në vendin tonë, të cilët prezantuan idetë si dhe punën e tyre deri më sot. Citojmë këtu, përfaqësues të qeverisë me vizionin për zhvillimin e infrastrukturës (portet turistike) dhe lidhjes me fluksin turistik si dhe disa gjetje, përkatësisht nga zotërinjtë E.Thana dhe E. Orozi, apo të z. A. Çollaku me disa rekomandime ndaj përmirësimit të performancës së këtij sektori. Në seminar qenë të pranishëm edhe specialistë të fushës, të cilët debatuan me përfaqësuesit e qeversisë dhe dhanë sugjerimet e tyre. Ndër to ishte ai zj. N. Tare, për dëmin që sjell praktika e trajtimit si anije mallrash edhe për mjetet e lundrimit turistik. Po aq i dëmshëm u konsiderua nga z. B. Mersini dhe nga z. O. Metalla regjimi doganor i përkohshëm (6 muaj) për imbarkimin në portet turistike. Ndërkohë, z. A. Garori vuri theksin tek çertifikimi për ndërtimin e jahteve.

Po ashtu, qenë të pranishme në seminar disa nga praktikat më të mira të Mesdheut nga vendet partnere, sikundër prezantimet e kompanive “Marina Orikum”, “Liburnet” dhe “HAG”, si praktikat më të mira, të evidencuara nga ky sektor në Shqipëri. Mjaft diskutime pati nga vetë pronarët e mjeteve të lundrimit turitik, ndër të cilat veçojmë atë të z. A. Reçi me pyetjen e thjeshtë, por dhe shumë shqetësuese: ku do ta imbarkoj sivjet jahtin tim?
Nga ana e pushtetit vendor, Bashkia Durrës inkurajoi Dhomën për punën e saj cilësore me projektin, me anë të zj. I.Xhakoni, e cila shpjegoi shkurtazi edhe synimet e projektit paralel “Fishing Tourism”. Tepër e veçantë ka qenë mbështetja e Prefektit të Durrësit, zoti R.Nasto, i cili cilësoi si mjaft të nevojshëm për të gjithë lundërtarët botimin e përbashkët me Dhomën, librin “Manuali i lundrimit në detet Adriatik dhe Jon”, i cili iu shpërnda të gjithë pjesmarrësve në një format në CD. Po ashtu, ai theksoi nevojën për publikimin dhe shpërndarjen e hartave detare si dhe të zgjidhjeve imediate për imbarkimin e mjeteve detare turistike. Sugjerimi për ngritjen e një pontili mobil në Port, në vendin ku më parë vendoseshin anijet e peshkimit, u konfirmua si plan edhe i vetë Portit nga përfaqësuesit e tij të pranishëm në seminar. Po ashtu, u sugjerua si një mundësi tjetër, shndrrimi në port turistik i portit ushtarak në Bisht Pallë.
Prezantimi i zj. A.Çunaj i idesë së dy projekteve mbi lundrimin turistik, të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, krijuan bindje më të fortë tek pjesmarrësit që ndaj këtij sektori po përqëndrohet një vëmendje gjithnjë më e madhe.
Për angazhimet që do të marrin përsipër të gjithë stakeholderat e këtij sektori dhe paraqitjen e arritjeve në takimin tjetër vitin e ardhëshëm e deri në fund të zbatimit të këtij projekti, Dhoma e konsideron pjesmarrjen e saj aktive si një “vlerë e shtuar” të këtij projekti. Kjo vlerë e shtuar qëndron edhe në vënien në dispozicion të një seti praktikash më të mira mesdhetare së bashku me kuadret ligjore përkatëse të vendeve partnere. Këtij kontributi të Dhomës duhet t’i shtojmë sigurisht dhe asistencën teknike ndaj bizneseve tona të sektorit për zbatimin e modelit biznesor tri kollonësh.
Besojmë që aktivitetet e Dhomës në kuadër të projektit “iBLUE” do të jenë edhe një kontribut i çmuar për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në vendin tonë. Një përmbledhje e arritjeve, e gjetjeve dhe e një seti rekomamandimesh, do t’i dërgohen si një feedback i këtij seminari Qeverisë, Ministrive dhe Institucioneve që mbulojnë infrastrukturën dhe turizmin. Kështu shpresojmë të zgjohet vëmendja e vendimarrësve ndaj ketij sektori çuditërisht të lënë mënjanë. Pikë kyçe mbetet fillimi i punës në konçesionet e dhëna, plotësimi me konçesione të tjera (deri në dhjetë sipas specialistëve) si dhe modernizimi i kodit për lundrimin turistik. Dhoma do të jetë tepër e impenjuar që në takimin e marsit të 2019, të parashikuar nga projekti, të kemi një tabllo krejt ndryshe dhe shumë më të mirë të performancës së lundrimit turistik në Shqipëri.