Nga veprimtaria e portit

Nga veprimtaria e portit
2 Gazeta T&I Durrës Nr 22

15 kroçera dhe velierë kanë prenotuar lundrimet e tyre drejt portit të Durrësit në sezonin turistik të vitit 2018.
Nga të dhënat e agjencisë “Intermed Shipping”, që janë pasqyruar në faqen e internetit të APD, mësohet se lundrimet drejt Durrësit do të fillojnë më 9 Maj dhe do të përfundojnë më 20 Nëntor të këtij viti.
Anija turistike “La Belle de L’Adriatique”, e cila hapi sezonin e kroçierave edhe vitin e kaluar në qytetin bregdetar, do të ankorohet përsëri e para për këtë vit në Durrës. Mësohet gjithashtu se velieri turistik “Sea Cloud”, e cila preferon lundrimet në Durrës prej më shumë se 10 vitesh, gjatë këtij sezoni turistik do të ankorohet 7 herë në portin më të madh të vendit tonë. Të gjitha kroçierat dhe anijet turistike si “Seven Seas Voyager”, “Berlin”, “Nautica” apo”Sirena” vijnë në Durrës për të disatin vit radhazi. Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçierave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës.

• Analiza Ekonomiko-Financiare e APD për vitin 2017, marrin pjesë edhe drejtues të institucioneve, konçesioneve dhe agjencive portuale. Analiza Ekonomiko-Financiare e APD për vitin 2017, që u zhvillua sot në mesditë në Sallën e Trajnimeve të APD synon të jetë një veprimtari e përvitshme. Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Afrim Bakaj, tha se kjo Analizë shërben për të pasqyruar ecurinë dhe rezultatet e vitit 2017-të, dhe mbi të gjitha për të përcaktuar objektivat e këtij viti. Sfida kryesore e vitit 2018 – tha z. Bakaj – do të jetë: Shtimi i sipërfaqeve të reja në Zonën Lindore; Hartimi i Projektit për thellimin e basenit dhe kanalin hyrës; Projekt-ideja për lidhjen hekurudhore edhe të Terminalit Perëndimor me rrjetin kombëtar.Analiza vjetore ishte konceptuar si një takim pune. Materialin kryesor të përgatitur me këtë rast nga një grup drejtuesish dhe specialistësh, e referoi Zv. Drejtori i përgjithshëm, z. Petrit Çerçizi. Duke folur për detyrat e vitit 2018 z. Çerçizi tha se realizimi i këtyre arritjeve dhe objektivave për vitin 2018 do të sjellë rritjen me 50 % të normës së fitimit për APD-në. Prefekti i qarkut Durrës, z. Roland Nasto, vlerësoi punën e bërë gjatë vitit të kaluar dhe tha se objektivat e këtij viti janë krejtësisht të realizueshme. Ai theksoi rëndësinë e projekteve të thellimit dhe të lidhjes hekurudhore portuale me sistemin kombëtar. Ndërkaq, kryetari i Këshillit Drejtues të APD, z. Gledan Llatja u ndal në rëndësinë e hartimit të kontratave të performancës që do ti bëjë të prekshme edhe arritjet konkrete për çdo punonjës. Ai theksoi rëndësinë e monitorimit të kontratave konçesionare dhe bashkëpunimit me vetë koncesionet. Në takim përshëndeti edhe nënkryetari i Bashkisë, z. Arbër Braho. Objektivat themelore të këtij viti në APD janë: Rritje me 15 % e vëllimit të mallrave; rritje e volumit të trageteve me 2%; rritje e vëllimit te kontejnerëve me 12%. Në Analizën Ekonomiko-Financiare 2017 morën pjesë edhe përfaqësues të Koncesionarëve, nga Kompanitë Stivadore, nga Agjencitë Detare dhe Spedicionere, përfaqësues nga Agjencitë e Trageteve, etj. Ftesës iu përgjigjën pozitivisht edhe përfaqësues e Drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, nga Kapiteneria e Portit, Regjistri Detar, nga Dega e Doganës Durrës, si dhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kufirit dhe Migracionit. Sot në sallë ndoqën Analizën vjetore edhe disa prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të APD.

• Tragetet, 118 mijë udhëtarë dhe 219 mijë ton mallra gjatë muajve Janar-Mars 2018
Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës –Ankona – Trieste e kthim, gjatë tre muajve të parë të këtij viti, kanë trasportuar 15 përqind më shumë mallra dhe 10 përqind më pak udhëtarë, krahasuar me periudhën Janar-Mars të vitit 2017. Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD mësohet se gjatë periudhës 3-mujore 2018, tragetet janë shfrytëzuar nga afro 118 mijë udhëtarë dhe 23.549 autovetura gjithsej. Burimet e Sektorit të Statistikave, thanë se në 3-mujorin që sapo u mbyll tragetet kanë transportuar gjithashtu, afro 219 mijë ton mallra, të ngarkuar në kamionë dhe trajlera. Kjo është një sasi 15 përqind më e lartë se sa e tre muajve të parë të vitit 2017, ndërsa importet dhe eksportet janë rritur përkatësisht me 13 dhe 19 përqind. Tragetet gjithashtu kanë transportuar 17.073 kamionë dhe 1.417 trajlerë në tre muaj, përkatësisht 7 dhe 13 përqind më shumë se sa në Janar-Mars 2017. Nga të njëjtat burime mësohet se tragetet kanë kryer gjithsej 224 lundrime vajtje-ardhje, ose 1 lundrim më shumë se në tre muajt e parë të vitit të kaluar.

• Përfaqësia e APD në Bari: së shpejti implementohet sistemi GAIA edhe në portin e Durrësit-Në portin italian punohet për dyfishimin e sporteleve për udhëtarët dhe automjetet-

Një përfaqësi e APD, kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Afrim Bakaj, zhvilloi të enjten një vizitë pune në Portin e Barit (Itali). Z. Bakaj dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari, z. Adrian Haskaj, u pritën nga Presidenti i Autoritetit portual të Adriatikut jugor, z. Ugo Patroni Griffi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Autoriteteve Portuale, z. Tito Vespasiani. Në takimin që u zhvillua në mjediset e Autoritetit të Sistemit Portual të Adriatikut Jugor, që përfshin portet e Barit, Manfredonias, Barletës dhe Monopolit, u hartua marrevëshja për dorëzimin e platformës software “GAIA”, e cila do të nënshkruhet nga palët në ditët në vijim, duke i hapur rrugë implementimit dhe përshtatjes së saj në Portin e Durrësit. Kjo platformë IT (software aplikativ), i është vënë në dispozicion gratis Autoritetit Portual Durrës, si pjesë e “Memorandumit të Mirëkuptimit ”, me objektiv rritjen e kontrollit dhe sigurisë për udhëtarët, mjetet dhe mallrat midis dy Porteve tona, si dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për pasagjerët. Nga ana tjetër pala italiane bëri me dije se brenda muajit Qershor pritet dyfishimi i kapacitetit të sporteleve të udhëtarëve, që mbërrijnë dhe udhëtojnë nga Bari drejt portit të Durrësit. Përfaqësia e APD zhvilloi vizita edhe në mjediset portuale, veçmas në Terminalin e Udhëtarëve të Portit të Barit.

• Tragetet, 18.490 kamionë dhe trajlerë me 219 mijë ton mallra në tre muaj

Tragetet që shfrytëzojnë në hyrje dhe dalje portin e Durrësit në 3-mujorin e parë të këtij viti kanë transportuar 17.073 kamionë dhe 1.417 trajlerë.
Shifrat janë përkatësisht 7 dhe 13 përqind më të larta se sa në Janar-Marsin 2017.
Burimet e Sektorit të Statistikave në APD, thanë se në 3-mujorin që sapo u mbyll tragetet kanë transportuar afro 219 mijë ton mallra, të ngarkuar në kamionë dhe trajlera. Shifrat e mallrave me kamionë dhe trajlerë janë 15 përqind më të larta se sa ato të periudhës Janar-Mars të vitit 2017, ndërsa importet dhe eksportet janë rritur përkatësisht me 13 dhe 19 përqind. Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim kanë transportuar 1246 kamionë dhe trajlerë më shumë se sa në tre muajt e parë të vitit 2017. Nga Sektori i Statistikave në APD mësohet se gjatë periudhës 3-mujore 2018, tragetet janë shfrytëzuar gjithashtu nga afro 118 mijë udhëtarë dhe 23.549 autovetura gjithsej.

• Janar – Mars 2018: në kalata përpunohen 14 përqind më shumë mallra se në 3 muajt 2017. Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 355 anije dhe tragete, duke shënuar një rritje prej 14 përqind më shumë mallra krahasuar me periudhën Janar-Mars të vitit 2017. Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, gjatë këtij 3-mujori nga anijet dhe tragetet janë përpunuar në kalata mbi 894 mijë ton mallra të ndryshme gjithsej, ose afro 107 mijë ton më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Nga anijet janë përpunuar mbi 675 mijë ton mallra, ndërsa afro 219 mijë ton të tjerë janë transportuar dhe përpunuar nga kamionët dhe trajlerët, që shfrytëzojnë tragetet e linjave Durrës – Bari, Durrës – Ankona – Trieste e kthim. Mallrat e eksportit të përpunuara në portin e Durrësit kanë patur një rritje prej 20 përqind gjatë periudhës 3-mujore. Ndërkohë importet kanë shënuar një rritje prej 9 përqind gjithsej, krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2017.

• Janar – Mars 2018: 8.909 kontejnërë TEU më shumë se në 3-mujorin 2017
Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti në Terminalin e Konteinerëve në portin e Durrësit janë përpunuar 33.416 konteinerë TEU (njësi konteinerike) gjithsej. Shifra e këtij viti shënon një rritje prej 8.909 konteinerë TEU më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Burimet nga Sektori i Statistikave në APD, bëjnë të ditur se gjatë këtyre tre muajve në Terminalin e Konteinerëve janë përpunuar 50 anije të specializuara. Në 3-mujorin e parë të vitit 2018 janë përpunuar 16.613 konteinerë TEU me mallra eksporti, dhe thuajse po aq të tjerë, 16.803 gjithsej, me mallra importi. Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 355 anije dhe tragete me mbi 894 mijë ton mallra të ndryshme gjithsej, duke shënuar një rritje prej 14 përqind më shumë mallra, krahasuar me periudhën Janar-Mars të vitit 2017.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin