Nafta dhe tolli

Nafta dhe tolli
1 Gazeta T&I Durrës Nr 22

Fjala “toll” është dëgjuar shumë herë kohët e fundit, për të mirë apo për të keq. Megjithatë, kjo fjalë, disi e re për veshin tonë, na bëri të kujtohemi që rrugët e ndërtuara duhen edhe mirëmbajtur, punë e cila duhet paguar. Po kush duhet të paguajë dhe sa? Këto dy pyetje u shtruan publikisht për rrugën më të rëndësishme të vendit tonë, Rrugën e Kombit. Dihet tashmë se fatura që qytetarët shqiptarë kanë paguar për rrugën Durrës-Kukës përbën një rekord, jo vetëm për rajonin, por edhe në Europë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në total buxheti ka paguar 1.2 miliardë euro për ndërtimin e autostradës me gjatësi 170 kilometra. Ky është një nga rastet e rralla, kur një vend shpenzon 13 për qind të Prodhimit Kombëtar në një vepër të vetme publike. Por, kjo shifër nuk e tregon të plotë faturën që shqiptarët kanë paguar në emër të rrugës Durrës-Kukës. Para se kjo vepër të ndërtohej, qytetarët kanë paguar edhe 200 milionë euro të tjera përmes taksës “Majko”. Këto para, të cilat u mblodhën për ndërtimin e Rrugës së Kombit, u shpenzuan nga qeveria e atëhershme për qëllime të tjera. Pra, në total janë 1.4 miliardë euro të taksapaguesve shqiptarë që duhen shpëtuar me anë të mirëmbajtjes. Për këtë qëllim, tashmë, qeveria aktuale ka nënshkruar një kontratë koncensionare për mirëmbajtjen e kësaj rruge si dhe po investon nga fondet e veta dhe nga fondet e koncensionarit për përfundimin e rrugës.
Koncesioni i rrugës së kombit nuk përfshin të gjithë rrugën Durrës-Kukës. Konsorciumi i kompanive “Kastrati” dhe “Salillari” do të mirëmbajë vetëm segmentin nga Miloti në Morinë, ndërsa pjesa tjetër do të mirëmbahet me paratë e buxhetit që paguhen po nga qytetarët. Segmenti Milot-Morinë është 118 kilometër i gjatë dhe sa herë që qytetarët do të kalojnë në të me autoveturë, ata do të paguajnë 5 euro tek koncesionari privat. E thënë ndryshe, tarifa e kalimit në rrugën Milot Morinë është 4.2 euro për 100 kilometër për autoveturat, ndërsa 22.5 euro për kamionët. Por fatura nuk mbaron me kaq. Përtej pagesave direkte, qytetarët do ta paguajnë koncesionarin edhe nga buxheti. Qeveria shqiptare i ka garantuar koncesionarit privat të paktën 7.9 milionë euro të ardhura në vit. Nëse koncesionari mbledh më pak nga pagesat, atëherë qeveria do i paguajë diferencën nga buxheti i shtetit. Kontrata me koncesionarin duket e qepur mirë, teksa ka qenë prezente edhe konsulenca e specializuar.
Por, vetëm dy ditë funksionimi sollën reagime mjaft të papritura: djegëje e tollit nga qytetarët, deklarata njëzëri të perfaqësuesve të biznesit kundër cënimit të pronës private dhe emërtimit “oligark” si dhe justifikime të qeverisë me qëllimin e mirë, ruajtjen e rrugës si aset kombëtar. Pa dashur të komentojmë apo t’i japim të drejtën ndonjerës palë, Dhoma e quan më me vend të shtrojë pyetjet: A duhet që qytetarët shqiptarë të paguajnë dy herë për të njëjtin funksion, njëherë me taksën e qarkullimit brenda çmimit të një litri naftë dhe së dyti me tarifën e tollit? A nuk janë antikushtetuese këto dy pagesa njëherësh? Ose ndryshe, a kemi arritur në momentin që ta çlirojmë çmimin e 1 liri naftë nga taksa e qarkullimit, për të zbatuar një studim në sirtaret e qeverisë, i cili e shpie çmimin e saj në 0.95 €/litër, njëlloj sa vendet e tjera të rajonit?
Të ardhurat nga taksa e qarkullimit dhe e karbonit që pritet të arrijnë këtë vit në 16.5 miliardë lekë (120 milionë euro). Po kaq ishin këto të ardhura edhe për vitin 2017, që sigurohen nga ato 32 lekë taksë qarkullimi brënda çmimit të 1 litri naftë të të konsumuar nga automjetet. Ndërkohë, fondet që akordoi buxheti i shtetit për mirëmbajtjen e rrugëve në vend vitin e kaluar, duke përfshirë edhe Rrugën e Kombit, ishin rreth 3 miliardë lekë ose 22 milionë euro! Kjo do të thotë së diferenca prej afro 98 milion euro është përdorur jo për destinacionin e mirëmbajtjes së rrugëve, si është përcaktuar me ligj, por për qëllime të tjera, si ndërtim rrugësh, shlyerje e borxhit të trashëguar, financimi i shëndetësisë apo ndihma ekonomike”! Shkurtazi, zotëruesit e automjeteve duhet të paguajnë jo vetëm për mirëmbajtjen e rrugëve të konsumuara prej tyre, por edhe për plot halle e nevoja që i ka detyrë qeveria t’i mbulojë. Kjo është sheshazit një padrejtësi ndaj tyre, sepse ndër të tjera ata duhet të paguajnë për shëndetin, ndihmën ekonomike e tjetër e të gjithë atyre që nuk zotërojnë një automjet! Ndërsa vazhdojnë studimet e problematikës që sjell mirëmbajtja e rrugëve, Dhoma i mbetet qëndrimit dhe propozimit të saj që të para dy viteve:
Taksa e qarkullimit të nxirret jashtë nga çmimi i litrit të naftës dhe të caktohet në madhësi fikse, me destinacion të përcaktuar: vetëm mirëmbajtjen e rugëve. Pra, propozohet që Kuvendi të miratojë një ligj të ri që heq taksën e qarkullimit nga çmimi i karburantit dhe e cakton atë si një taksë vjetore fikse. Llogaritë tregojnë që nëse kjo taksë do të ishte mestarisht 40 euro, qeveria do të kishte mundësinë të mblidhte, nga 540 mijë mjete në përdorim, rreth 22 milion euro me destinacion mirëmbajtjen e rrugëve, aq sa ka shpenzuar këtë vit për mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve të vendit. Por, nëse ky ligj hyn në fuqi, ta zemë në muajin qershor, qeveria duhet të heqë dorë nga 70 milion euro, të cilat kishte planifikuar t’i mblidhte nga taksa e qarkullimit. Sipas ligjit egzistues qeveria mbledh 10 milionë euro në muaj nga kjo taksë. Ndërkaq, propozimi i Dhomës sjell një “trade of” të madh: Çdo vit në do të mbeten në xhepat e shqiptarëve rreth 120 milionë euro, që nuk do të paguhen më si taksë qarkullimi, sepse çmimi i karburantit do të bëhet afro 40% më i lirë sesa sot, duke u barazuar me vendet e rajonit! Nga ana tjetër, qeveria nuk do të “dëshpërohej” nga mungesa në arkën e saj të atyre 120 milionë euro në vit, sepse shqiptarët që do i kenë ato, ose do i shpenzojnë ose do t’i investojnë. Kjo do të thotë që krijohet një rritje e re e GDP, pra edhe e të ardhurave të tjera për arkën e shtetit.
Sigurisht mbetet pyetja: a duhen tollet? Axhenda europiane e konektivitetit, rrugët dytësore pa pagesë, mirëmbajtja e të gjitha rrugëve egzistuese kanë nevojë për një fond më të madh se ato 22 milionë euro, të cilat do të mblidheshin nga taksa e re fikse e qarkullimit. Llogjika të shpie në krijimi e një sistemi me tri komponentë: “fondi i posaçëm i rrugëve”, “tarifimi i ponderuar” dhe “PPP”. Madhësia vjetore e fondit të posaçëm të rrugëve varet nga ritmet e përcaktuara (ambicja) për plotësimin e axhendës së konektivitetit. Mund të supozonim që vlera e saj është përcaktuar nga Kuvendi, sipas propozimit të qeverisë me rreth 500 milion euro në vit. Kjo vlerë e madhe tregon që krahas 22 milion euro taksë e re qarkullimi, shqiptarët duhet të paguajnë një tarifë kalimi tek tolli. Sipas konsulencës së huaj, tarifa e përballueshme nga familjet shqiptare duhet të caktohej 1 deri 2.5 euro për 100 km. Ky nivel mund të arrihej nëse tarifojmë në sistem: rruga Tiranë – Durrës apo rrugë rrugë të tjera, ku mund të vendosen tollet, rrihen shumë tepër se rruga Durrës – Kukës, por një mesatare e ponderuar do të ishte shumë më e ulët se 5 euro. E njëjta gjë për kamionët. Llogaritja e kësaj pjese të dytë të “fondit” kërkon vlerësimin e kilometrazhit mesatar vjetor të 540 mijë mjeteve në qarkullim, që po ja lemë specialistëve. Pjesa që mund të mbetet për të mbledhur të gjithë “fondin” do të kërkohej nga buxheti shtetit, kreditimi apo PPP. Për përdorimin e këtyre të fundit nuk duhet hezituar aspak. Filozofia moderne për vendet demokratike dhe tregun e lirë njeh principin: “Qeveria qeveris njerëzit, ndërsa njerëzit manaxhojnë sendet”. Ndyshe, është më mirë që rrugët t’i ndërtojnë bizneset private, të cilat janë shumë më nikoqire në përdorimin e parasë se ndërmarrjet shtetërore. Partneritetet publiko private aktivizojnë kursejnë paratë e buxhetit të shtetit, prandaj ato duhen përdorur pa hezitim. Dyshimet për mundësi abuzimi, korrupsioni, marrëveshje “trust” në tendera, klientelizëm, pastrim parash apo veprime të tjera të paligjshme qëndrojnë. Por, kjo nuk do të thotë të heqim dorë prej PPP, sepse ka plot institucione apo organizma që merren me keto shkelje të rënda të ligjit.
Të gjithë jemi në dijeni që opsionet e mësipërme janë studjuar dhe shqyrtohen akoma nga qeveria. Vendimi që do të merret është çështje zgjedhje. Ndërsa Dhoma, me propozimet e saj, e ka bërë zgjedhjen e saj: nafta dhe tolli shkojnë bashkë!