Lehtësi në agroturizëm, statusi i fermerit

Qeveria është duke përgatitur një standard të ri në fushën e agroturizimit. Sipas kreut të dikasterit të Bujqësisë, z. Niko Peleshi, paketa e re e masave stimuluese dhe lehtësuese, siç i quan qeveria, parashikon se kush merr statusin në agroturizëm, duhet të kujdeset të ketë në fshat një fermë të paktën një hektar, restorant, ku 30 % të prodhimeve i merr nga ferma e vet dhe 70% të prodhimeve nga zona përreth, si dhe të paktën 6 dhoma hoteli. Sipas projektit, nëse plotësohen këto kushte, sipërmarrësi fermer apo jo i tillë, po mendohet të përfitojë përjashtim nga taksat për 10 vjet dhe TVSH në 6%.
Qeveria ka ndryshuar edhe konceptin e deritanishëm të fermerit. Një nga dallimet që bëhet në projektin e qeverisë, është ajo që ka të bëjë me përkufizimin e fermerit, ku kërkohet që t’i jepet fund përkufizimit të njëjtë për të gjithë ata që jetojnë në zonat rurale dhe aktualisht konsiderohen fermerë. Sipas qeverisë, normalisht fermer është ai individ apo ajo familje që siguron të ardhura primare nga bujqësia. Ndërkohë në kushtet kur ferma shqiptare është 1.2 hektarë në mesatare, zotëruesi i saj nuk mund të konsiderohet me këtë sipërfaqe si fermer.
Sipas të dhënave zyrtare, në katër vite është dyfishuar sipërfaqja e ujitur dhe sot, sipërfaqja e ujitur ka shkuar 225-240 mijë hektarë. Synohet, sipas ministrit të Bujqësisë se duhen rreth 100-120 mijë hektarë të tjerë të shtohen në këtë sipërfaqe, që të thuhet që kemi çuar ujin në çdo parcelë. Por, pavarësisht kësaj, sado të përmirësohet situata me ujitjen apo kullimin, fermeri me sipërfaqen mesatare të tokës nuk siguron dot atë lloj mirëqenie që ne duam të çojmë në zonat rurale. “Duhet të ndërtojmë politika të ndara”- thotë ministri Peleshi, duke shtuar se synohen politika për atë fermer që tenton të rritet, ka një sipërfaqe të madhe toke, do të bëjë një fermë më të madhe, të investojë, të marrë kredi dhe e sheh të ardhmen tek ky sektor si biznes.
Dhe për këtë tipologji fermeri qeveria ka planifikuar një politikë e veçantë, siç janë skemat kombëtare të mbështetjes apo IPARD, që kanë filluar të aplikohen.
Skema e mbështetjes në bujqësi është një model i ndryshëm, thonë zyrtarët, por jo i përmbysur tërësisht. Skemat e mbështetjes ofrojnë grante dhe subvencione në gjithë zinxhirin e vlerës për 15 produkte të përzgjedhura si produkte me konkurrueshmëri të lartë, pra, me potencial eksporti, që aktualisht eksportohen ose me potencial për të zëvendësuar importet.
Tani në skemën e mbështetjes fokusohen kategori produktesh dhe kulturash që premtojnë rritje ekonomike, Kjo mbështetje shoqërohet me një masë të shtuar për kooperimin pra, për ato që qeveria i quan Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, grup fermerësh apo për fermat me kontratë.
Me këtë qasje të fermës me kontratë, tregtari mund të marrë dhe një rol tjetër, përveç atij të blerjes nga fermerët dhe shitjes apo eksportimit të produkteve. Ai mund të jetë furnizuesi i inputeve bujqësore, mund të jetë edhe këshilluesi për fermerët. T’i orientojë për llojin e farës apo fidanit që duhet të kultivojnë dhe natyrisht t’ju garantojë edhe blerjen, sepse një nga dhimbjet më të mëdha të kokës që ka fermeri, është shitja e prodhimit. Nga ana tjetër qeveria po përgatit paketën mbështetëse, që e mbështet fermerin duke i kthyer mbrapsht TVSH
Skema e re mbështetëse për fermerët, kush do të përfitojë nga fondi 20 milionë euro?
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural prezantoi skemën e re mbështetëse, e cila përbëhet nga një fond prej 20 milionë eurosh. Prioritet i kësaj mbështetje financiare do të jetë, së pari rritja e eksporteve, duke mbështetur të gjithë ato produkte bujqësore që kanë peshë në shportën totale të eksporteve, së dyti afrimi i sa më shumë fermerëve në organizma të përbashkët çka siguron qëndrueshmëri dhe prodhim më të lartë dhe së treti politikat që mund të ndërmerren për të zhvilluar sektorët e ndërmjetëm si agroturizmi, agropërpunimi, peshkimi dhe akuakutura. Ministri i Bujqësisë, Z. Niko Peleshi tha se tashmë janë jetësuar ferma të mëdha, dhe se trend janë fermerët e rinj të shkolluar jashtë që kanë investuar kursimet e tyre në bujqësi. Ministri u ka kërkuar fermerëve të ndryshëm të grupohen në Shoqëri të Bashkëpunimet Bujqësor (SHBB), sepse në këtë mënyrë mund të përfitojnë më shumë nga Skema e Mbështetjes. Rolin më të madh në këto skema mbështetëse do ta luajnë Agjencitë Rajonale të Zhvillimit Rajonal.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri me dije se konceptimi i skemës mbështetëse është kryer në bashkëpunim me shumë aktorë vendas dhe të huaj. Nga ky bashkëpunim u krye identifikimi i sektorëve prioritare të sipërpërmendur dhe po kështu u përcaktuan 15 produkte të shportës bazë, ku përfshihen që nga drurë frutorë, prodhime të serave, bimë medicinale. Kjo shportë u kompozua në bazë të kritereve që kanë të bëjnë me matjen e fluksit të eksportit të produktit, me potencialet e tyre në të ardhmen me masën e punësimit.
Nga përfituesit e Skemës Kombëtare të Mbështetjes do të jenë dhe fermerët dhe sipërmarrësit e rinj të moshës 22 – 35 vjeçare, të cilët do të përfitojnë një trajtim tjetër. Gjithashtu nga kjo skemë do të përfitojnë dhe prodhuesit e produkteve artizanale. Risi e kësaj skeme është kryerja e aplikimit online për Skemën e Mbështetjes, me zero shpenzime. Regjistrimi do të bëhet në portalin e-Albania, vetëm me anën e kartës së identifikimit dhe Nipt- it të fermerit.