Lajmet që vijnë nga tregu i këmbimit valutor për shumë kohësh, tashmë, po përbëjnë një problem të madh dhe serioz për sipërmarrjet vendase eksportuese. Humbjet llogariten në miliarda lekë dhe nuk duket se ka dritë në fund të tunelit. Raportime zyrtare e bëjnë “të zezë” edhe situatën në institucione publike. Kështu Banka e Shqipërisë ka raportuar në bilancin e saj vjetor të 2017-s, një humbje totale prej rreth 15 miliardë lekësh, apo gati 115 milionë euro, nga vetëm rreth 4 milionë euro që ishte humbja një vit më parë. Kjo humbje tepër e lartë ka ardhur tërësisht nga ndryshimet e kursit të këmbimit, teksa si rrjedhojë e nënçmimit të ndjeshëm të euros dhe dollarit ndaj monedhës vendase, Banka e Shqipërisë ka parë një zhvlerësim të rezervave të saj në këto dy monedha. Gjatë vitit 2017, euro u këmbye mesatarisht me 134.1 lekë, nga 137.4 lekë vitin e mëparshëm, me një nënçmim prej 2.4%. Edhe dollari ra nga 124 lekë në 119 lekë, duke u zhvlerësuar me 4.1%. Banka e Shqipërisë kishte në fund të vitit 2017 gati 3 miliardë euro si rezerva valutore, të cilat janë të mjaftueshme për të financuar më shumë se 7 muaj importe. Në krahasim me një vit më parë, rritja e rezervës valutore ka qenë 1.69%, nga 2.25% një vit më parë. Në total, për vitin 2017, Banka e Shqipërisë raportoi të ardhura nga interesat prej 2.7 miliardë lekë, nga 2.5 miliardë lekë vitin e mëparshëm. Edhe të ardhurat neto ishin me rritje, por gjithsesi rënia e fortë e valutave, që zhvlerësuan rezervat valutore, bëri që banka të rezultojë me një humbje tepër të lartë. Por, ndërsa Banka Qëndrore ka ekspertët dhe drejtoritë e saj respektive që analizojnë dhe përllogarisin dëmet e shkaktuara nga luhatja e kursit të këmbimit, nuk ka asnjë të dhënë se sa ka qënë për vitin 2017 dëmi i shkaktuar bizneseve, nga zhvlerësimi i tw dy monedhave, euro dhe dollar. Monedha e përbashkët europiane ka hyrë në një trajektore rënëse, sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye në fundjave me 128.5 lekë. Në këtë mënyrë, euro ka arritur një rekord të ri, duke zbritur në nivelin më të ulët që nga 26 qershori i vitit 2009. Në krahasim me fillimin e vitit 2018, euro ka rënë me 4.2 lekë. Viti 2018 nisi me euron në nivelet e 133.07. Duke iu referuar analistëve të tregut dhe ekspertëve bankarë, arsyet e dobësisë së euros në tregun vendas janë të shumta.
Së pari, oferta në euro ka qenë e lartë prej më shumë se një vit, si rrjedhojë e shtimit të hyrjes së saj nga kanalet informale. Kjo euro ka hyrë gradualisht në tregun vendas, ku efekti më i madh është në ndërtim, në blerje apartamentesh. Agjentët e këmbimit valutor kanë pohuar se ndërtuesit shesin apartamente në valutë dhe i këmbejnë ato në lekë.
Së dyti, politika e deurorizimit të Bankës së Shqipërisë e ka bërë euron të papreferuar. Të dhënat zyrtare treguan se në shkurt depozitat në valutë ranë me rreth 46 milionë euro, parà që ka dalë jashtë kanaleve bankare. Nga ana tjetër, ka një tendencë të individëve për të konvertuar kursimet në lekë, ndërsa dhe një pjesë e transaksioneve të biznesit po kryhen në lekë, duke anashkaluar euron.
Së treti, një arsye e rëndësishme që japin ekspertët lidhet me ritmet e dobëta të ekonomisë dhe konsumit. “Një e treta e arsyeve lidhet me faktin që ekonomia nuk po rritet, motorët janë ftohur”, thotë një ekspert. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në vitin 2017, paraja gjithsej në ekonomi (përfshirë depozitat pa afat, dhe me afat në lekë e valutë) ka shënuar në vitin 2017 rritjen më të ulët që nga viti 2005, qëkur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat, duke u zgjeruar me vetëm 26 milionë euro, që është një tregues i ekonomisë së ngadaltë.
Së katërti, 2018-a pritet të jetë një vit shumë aktiv në drejtim të konsolidimit të sistemit bankar dhe po shoqërohet me transaksione të mëdha të shit-blerjes së bankave ose konvertimit të kapitalit, që pritet të kenë ndikim si në kërkesën ashtu dhe në ofertën për valutë.
Së pesti, hotelet kanë marrë parapagim në valutë nga rezervimet e agjencive turistike, teksa edhe këtë vit vendi ynë pritet të arrijë rekord të numrit të turistëve që vijnë për pushime.Ekspertët e tregut valutor kanë pohuar se tendenca pritet të jetë për një euro të dobët, sidomos në periudhën e verës, kur ka fluks të shtuar valutor nga turistët dhe emigrantët. Kemi pra një panoramë me dy anë të medaljes: rritjen e të ardhurave dhe fitimit për sipërmarrjet importuese nga njëra anë dhe dëmtimin e paevitueshëm të sipërmarrjeve eksportuese dhe të turizmit nga ana tjetër. Dilema e vendimarrësve nuk duket e vështirë. Kujt duhet t’i japim prioritet, eksportuesve dhe turizmit vendas, dy kategori biznesesh ekonomike primare që sjellin parà nga jashtë vendit si dhe shumë punësim, apo tregtisë importuese që sjell ndoshta më shumë të ardhura fiskale, por pak punësim. Ndoshta disa masa të përkohëshme mund të lehtësonin disi humbjet e dy kategorive të cituara më lart. Kujtojmë se këto biznese, nuk kanë as mundësinë e rinegocimit të kontratave të bashkëpunimit, të cilat bëhen një herë në fillim të vitit dhe çmimi për njësi i produkteve dhe shërbimeve mbetet i tillë deri në përfundim të vitit fiscal. Por, nuk ka asnjë shpjegim politika deurorizuese e Bankës së Shqipërisë. Në çdo tekst të makroekonomisë shpjegohet se një monedhë vendase e fortë do të thotë investime të huaja të ulta dhe papunësi e lartë. Ndërkohë, Guvernatori deklaron të kundërtën, që leku i fortë sjell plot të mira për shqiptarët. Duket që ai ka koncepte të dallueshme nga gjithë të tjerët, për të mirën dhe të keqen në ekonominë e një vendi. Ndoshta do të jetë qeveria që në konsultim me botën akademike (deri tani e heshtur), do të arrijë të gjejë rrugët e ndërhyrjeve të duhura për të ekuilibruar situatat e kijuara. Apo ndoshta do të ishte më mirë t’i lemë dorë të lirë tregut derisa të vendoset një ekuilibër i ri për vlerën e këtyre dy valutave. Mund të mësonim shumë edhe nga përvoja dhe politikat e vendeve të tjera jashtë zonës së euros.
Dhe nëse nga ato që u thanë më sipër nuk ndodh asgjë, bizneset që janë mësuar të marrin përsipër shumë lloje risqesh, duhet të gjejnë vetë rrugët për reduktuar humbjet që mund të vijnë nga ky rrezik i ri, de – euro!