Taksa e pasurisë, së pari duhet të mblidhet

Qeveria ka miratuar disa nga vendimet kyçe që “reformojnë” taksimin mbi pronën, duke nisur nga formula e re dhe shkalla e taksimit deri te krijimi i një drejtorie të veçantë, e cila do të ndihmojë vendorët në proces si dhe do të luajë rolin e arbitrit në konfliktet e mundshme. Por, kur data 1 prill dhe muaji prill kanë kaluar tashmë, mbeten akoma të paqarta një seri detajesh, mes të tjerave:
– Cili do të jetë agjenti mbledhës i kësaj takse
– A është gati Regjistri Qendror i bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme
– Si do të veprojnë bashkitë që sot kanë në dorë veç metodologjinë dhe “kadastrën e vjetër”. (Baza e re e të dhënave, sipas konfirmimeve zyrtare, pritet të jetë gati vetëm pas dy viteve)
Pra, çfarë mungon në fakt në këtë“sipërmarrje” të qeverisë?
Mungon, së pari, agjenti tatimor që do të mbledhë këtë taksë. Edhe pse është deklaruar se agjent do të jetë OSHEE, ende nuk është kaluar asnjë hallkë që të sanksionojë këtë pjesë. Së dyti, mbetet e paqartë se çfarë baze të dhënash ka sot Drejtoria e Taksës dhe Pasurisë, funksionimi dhe organizmi i së cilës u rregullua vetëm një javë më parë, me një vendim qeverie. Sipas informacioneve tona, edhe Bashkia e Durrësit ende nuk ka informacion për aksesin që do të kenë në këtë regjistër dhe burime që nuk duan të identifikohen shprehen se 2018 do të jetë një vit jo dhe aq produktiv në mbledhjen e taksës, pasi rakordimi i regjistrit qendror me regjistrin e bashkisë dhe situatën reale në terren do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë. Qeveria nuk ka ende një agjent tatimor të përcaktuar.

Taksa për ndërtesat është një nga ato taksa që grupohen si vendore dhe që shkojnë direkt në buxhetin e bashkive. Tradicionalisht, kjo taksë është mbledhur në nivele të ulëta, për arsye nga më të ndryshmet dhe ndryshimi thelbësor i formulës, por edhe i mënyrës sesi do të mblidhet, synon pikërisht rritjen e të ardhurave. Në vitin 2017 nga kjo taksë u arkëtuan në nivelin 4.9 miliardë lekë dhe sipas Ministrisë për Financat dhe Ekonominë, ndikimi tek të ardhurat buxhetore pritet të jetë me 3 miliardë lekë në potencialin shtesë të saj.
Por ndërsa arkëtimi deri në prill do të bëhet sipas modelit të vjetër dhe pas prillit shtrin efektet formula e re, institucionet kanë rënë në rrjetën e plotësimit të kuadrit, por pa mundur ta përmbyllin atë. Qeveria deklaroi javën e shkuar në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë se, me shumë gjasa ky agjent do të jetë OSHEE. Por nuk u dha ndonjë garanci se ka një marrëveshje të mbyllur me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Edhe pse nuk ka asnjë nxitim për të përcaktuar një agjent, sepse taksa shtrin efektet nga data 1 prill, por mund të arkëtohet në çdo moment si një e tërë ose me këste deri më 31 dhjetor 2018, sërish mungesa e organit që do të bëjë mbledhjen e të ardhurave, në kushtet kur ka vite që flitet, nuk është diçka që e ndihmon procesin.
Bashkitë: Përcaktimi i agjentit t’u lihet vendorëve si kompetencë
Bashkitë duket se janë konfuze në atë që i pret lidhur me taksën e pronës. Atyre u janë ngarkuar përgjegjësi të shumta dhe kjo me të drejtë, sepse është një taksë që përfitohet drejtpërdrejt prej tyre, por ama duket se ka edhe një ndërhyrje në kompetenca. Në nenin 12, pika 3, të ligjit “Për financat e vetëqeverisjes vendore” thuhet: “Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të hyjnë në marrëveshje me njëra-tjetrën, apo me agjentë tatimorë për mbledhjen e të ardhurave vendore, me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas një procedure transparente dhe konkurruese”. Këtë përgjegjësi që ua saktëson ligji apo kompetencë, vetë bashkitë kanë shprehur gatishmërinë për ta plotësuar të vetme. Pra që të negociojnë me agjent tatimor, në mënyrë të pavarur. Shoqata Shqiptare e Bashkive, vetëm pak kohë më parë, i është drejtuar Ministrisë për Financat dhe Ekonomisë, me disa pika lidhur me rezervat e taksës së pronës ku pjesa e agjentit ishte një prej tyre.
Gjithsesi, nën zë, në bashki pranojnë se ky është një kthim pas në raport me angazhimin e qeverisë për fuqizim të njësive vendore, pasi ato duhet të asistoheshin me fonde dhe ekspertizë, por duhet të kishin më shumë kompetenca. Sipas tyre, në finale rëndësi ka që të mblidhen më shumë të ardhura dhe nëse kjo arrihet, atëherë misioni është përmbushur. Por, gjasat janë që viti i parë të shërbejë vetëm si një vit prove dhe i shoqëruar me shumë probleme.
Taksa e pasurisë është burimi kryesor për të ardhurat vetiake të çdo bashkie në vendet e zhvilluara, prandaj kështu do të bëhet edhe në Shqipëri. Megjithatë, merr shumë rëndësi edhe qëndrimi i forcave poltike ndaj vlerës së kësaj takse për kategori të ndryshme taksapaguesish. Ndryshimet në qëndrime bënë që Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak Durrës të mos miratonte draftin e propozuar bga stafi administrativ, ruajtja e vlerës nominale, siç është shprehur në ligj. Në kushtet për të dhënë mendimin e saj, Dhoma do të sugjeronte uljen në masën 30% të kësaj takse (sa e lejon ligji) për të gjitha bizneset që janë burime ekonomike primare. Në këtë grup do të përfshiheshin: e gjithë industria fasoniere, bizneset eksportuese apo prodhues vendas, të gjitha njësitë e akomodimit turistik, peshkimi, bizneset e ngritura në parqe industriale /zona ekonomike) e ndonjë tjetër.
Sidoqoftë, poltika vendore duhet të kontribojë që taksa e pasurisë të zerë peshën e vet në buxhetin e Bashkisë Durrës, dhe për këtë qëllim, së pari taksa e pasurisë duhet të mblidhet