Anijet tregtare që transportojnë mallra import-eksporti drejt dhe nga porti i Durrësit, gjatë 3 muajve të parë të këtij viti kanë lundruar drejt 11 vendeve të ndryshme. Portet e vendeve të Mesdheut janë më të frekuentuarat nga anijet me mallra import-eksporti, por nuk mungojnë edhe vende si Rusia, Turqia, Bullgaria, Ukraina, etj. Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, Turqia, është vendi me numrin më të madh të porteve, plot 10 të tillë, ku gjatë periudhës Janar-Mars të këtij viti janë përpunuar anijet që mbërrijnë më pas në Durrës apo që nisen prej tij. Më pas vijnë Italia dhe Rusia, secili me nga 6 porte të frekuentuara nga anijet me mallra për dhe nga porti i Durrësit, si dhe Greqia, Franca dhe Ukraina. Në këto tre vende, anijet tregtare me mallra import-eksporti për dhe nga Durrësi gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë përpunuar përkatësisht në tre porte secili. Anijet tregtare që i drejtohen Durrësit gjatë vitit ndalen edhe në porte të vendeve të tjera si Rumani, Kroaci, Ekuador, Tunizi, SHBA, Qipro, etj.
Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës –Ankona e kthim gjatë katër muajve të parë të këtij viti kanë transportuar më shumë mallra dhe më pak udhëtarë se sa në periudhën Janar-Prill 2017. Brenda katër muajve, tragetet janë shfrytëzuar nga më shumë se 158 mijë udhëtarë, me 30.873 autovetura gjithsej.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se periudhën Janar-Prill 2018 tragetet kanë transportuar afro 293 mijë ton mallra, të ngarkuar në kamionë dhe trajlera.
Kjo është një sasi 12 përqind më e lartë se sa ajo e katër muajve të parë të vitit 2017, ndërsa për të njejtën periudhë importet dhe eksportet janë rritur përkatësisht me 10 dhe 16 përqind.
Tragetet kanë transportuar 22.985 kamionë dhe 1.888 trajlerë në katër muaj, përkatësisht 6 dhe 5 përqind më shumë se sa në Janar 2017.
Nga të njëjtat burime mësohet se tragetet kanë kryer 299 lundrime vajtje-ardhje, ose 2 lundrime më shumë se një vit më parë.
- Vjen në Durrës kroçera “La Belle de L’Adriatique”, e para për sezonin turistik 2018
Në portin e Durrësit mbërriti kroçera e parë e këtij sezoni turistik. Pas Prillit të vitit të kaluar, anija turistike “La Belle de L’Adriatique” vjen për herë të dytë në portin më të madh të vendit tonë. Kroçera kishte 188 turistë francezë në bord, njofton agjencia “Intermed Shiping”.
Ajo do lundroi nga Bari (Itali) drejt Durrësit natën e së martës dhe u ankorua në kalatën 5 të hënën rreth orës 7.00. Kroçera ka një gjatësi prej 110 metrash dhe pas qëndrimit deri mbrëmjen e së mërkurës në Durrës u nis drejt Dubrovnikut. “La Belle de L’Adriatique” është kroçera e parë e vitit, ndërsa kroçera “Berlin do të jetë e fundit dhe pritet të mbërrijë në fund të muajit tetor të këtij viti. Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët vizitojnë qytetet e Durrësit, Krujës, Beratit dhe Tiranës. Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, vazhdimisht APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçerave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës.
- Filmi artistik “Derë e Hapur”, xhiron sekuencat e fundit pranë APD
Sot paradite grupi i xhirimit “Derë e hapur” regjistroi sekuencat e fundit të filmit, i cili në ditët e ardhshme do të paraqitet në dy festivale të rëndësishme. Drejtorja e fotografisë ka fiksuar nga një prej ballkoneve të pallatit “Fly” lëvizjet e një automjeti në port, pjesë e skenarit të filmit, një pjesë e të cilit u xhirua në mjediset e portit në fillim të tetorit 2017. Producenti Eno Milkani tha për APD se filmi në proces montimi do të paraqitet këto ditë në seksione të veçanta në Festivalin e Selanikut dhe më pas në atë të Kanës. Filmi me regjisor Florenc Papën sjell në vemendje një temë të mprehtë sociale, atë të trajtimit të grave dhe vajzave në zonat periferike dhe rurale të vendit. Në kastin e filmit bëjnë pjesë aktoret Luli Bitri, Jonida Vokshi, Guljelm Radoja, Lutfi Hoxha, etj.
Producenti Milkani shtoi se shumica e xhirimeve janë kryer në Durrës e Tiranë, në Librazhd, Prrenjas, si dhe në fshatin Lin të Pogradecit.
Prej shumë dekadash, por edhe kohët e fundit, në portin e Durrësit janë xhiruar filma dokumentarë dhe filma artistikë të metrazhit të gjatë, produksione vendase dhe të përbashkëta me kineastë të huaj.
- Janar-Prill 2018 në port: Përpunohen mbi 1 milion e 230 mijë ton mallra, 8 përqind më shumë se vjet
Gjatë periudhës Janar-Prill të këtij viti anijet tregtare dhe tragetet e linjave nga/për në Durrës kanë transportuar 8 përqind më shumë mallra, se sa e njëjta periudhë e vitit 2017. Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, afro 454 mijë ton mallra të përpunuara i përkasin eksporteve, me një rritje prej 4 përqind, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Në katër muaj, importet kanë arritur në shumën prej 777 mijë ton, ose 10 përqind më shumë se sa 4-mujori i parë i vitit 2017. Nga anijet janë përpunuar afro 938 mijë ton mallra, ose 6 përqind më shumë se sa 4-mujori i parë 2017, ndërsa nga tragetet afro 293 mijë ton, 12 përqind më shumë se sa periudha Janar-Prill i vitit të kaluar. Anijet dhe tragetet në këto katër muaj kanë transportuar 1.230.605 ton mallra gjithsej.
- Janar-Prill 2018, në port përpunohen 180 anije dhe 299 tragete
Gjatë periudhës Janar-Prill të këtij viti në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar 180 anije dhe 299 tragete me mbi 1 milion e 230 mijë ton mallra dhe 158 mijë udhëtarë. Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se në Terminalin Lindor janë përpunuar 38 anije, në atë të Mallrave Gjenerale, që njihet edhe si Terminali Perëndimor 79 anije dhe në Terminalin e Kontejnerëve 63 anije të tjera. Vetëm nga anijet tregtare në katër muajt e parë 2018 janë përpunuar mbi 937 mijë ton mallra gjithsej, afro 55 mijë ton më shumë se sa në Janar-Prill 2017. Tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona e kthim kanë kryer 299 lundrime me mbi 158 mijë udhëtarë në bord, si dhe 293 mijë ton mallra me kamionë dhe trajlerë. Nga anijet dhe tragetet gjatë periudhës Janar – Prill 2018 janë përpunuar 87 mijë ton më shumë se sa në katër muajt e parë të vitit të kaluar.