Tipike në blu

Tipike në blu
2 Gazeta T&I Durrës Nr 23

Është bërë tashmë eventi që identifikon qytetin e Ankonës në Rajonin Marke dhe në Itali, me vokacionin e një qyteti të detit dhe në det, i mbështetur në Adriatik, por me një shpirt të ankoruar në traditat e tokës. Një ngjarje 4 ditore që bashkoi aktorët protagonistë, të cilët e shohin habitatin e tyre me sy blu: bota akademike dhe kërkimi shkencor, peshkatarë dhe sipërmarrës, shoqata, restaurues, vreshtarë, sportistë, artistë dhe gazetarë. Në këtë ngjarje tipike të fantazisë italiane mori pjesë edhe delegacioni nga Durrësi, meqë shumica e aktiviteteve i kushtoheshin posaçërisht lidhjes së tij me Ankonën. Grupi zyrtar, i kryesuar nga Zh. Varfaj, Zv/Kryetar i Bashkisë, i shoqëruar nga zj.I.Xhakoni dhe F. Kërtusha nga Departamenti i Politikave të Zhvillimit si dhe nga z. A.Xhavara, Kryetar i Dhomës, zhvilloi një sërë takimesh, që të gjitha të konceptuara si pjesë e tipikes blu. Takimi i parë qe ai me përfaqësuesit e Komunës dhe të Dhomës së Tregtisë së Ankonës. Kuadri ekonomik territorial dhe i shkëmbimeve të ndërsjellta me Shqipërinë dhe Durrësin në veçanti, veprimtarite ndërkombëtare që lidhin dy brigjet pellgut Adriatik – Jon ishin tematikat e trajtuara në takim. Sipas Zv/Kryetarit Pier, deti është i aftë të verë në kontakt dhe relacion, të prodhojë botë tutje në tokë. Ndërsa G. Kataldi, Kryetar i Dhomës së Tregtisë shprehu besimin në ekonominë “blu”, sepse për çdo euro të prodhuar prej saj, aktivizohen disa të tjera në pjesën tjetër të ekonomisë. Studimi në shifra dhe fakte të pasura “Fokus mbi sistemin ekonomik dhe marëdhëniet me Shqipërinë”, dëshmoi vëmendjen e veçantë të drejtuesve të institucioneve të Rajonit Marke për vendin tonë. Vërtetë, shifrat 1.5 dhe 2.9 milion banorë, përkatësisht të popullsisë së Markes dhe Shqipërisë, tregojnë qartë se jemi tregje të rëndësishme për njëri tjetrin.
Në takimin e dytë, kushtuar peshkimit dhe kultivimit të peshkut, u trajtua roli enteve publike dhe i kërkimit shkencor në zhvillimin e këtij sektori. Sipas shpjegimeve të F. Bigoni, Zv/president i Federpesca, të O.Carnevali, profesore e Biologjisë Detare dhe T. Medi, përfaqësues i FLAG, vendimet e rëndësishme për peshkimin dhe akuakulturën në rajonin Marke kalojnë më parë në shqyrtimin e koalicionit tripalësh komunë, universitet, shoqatë peshkimi. Mbi bazën e këtyre analizave janë ngritur dhe funksionojnë merkato itiko ( shitja e peshkut me ankand) apo Skalo sh.a, e specializuar në shpërndarjen e produkteve të detit të tejngrira. Në veçanti, mjaft interesante ishin sqarimet mbi veprimtarinë e FLAG – grupi i veprimit lokal për peshkimin, një partneritet publiko-privat, i krijuar për manaxhimin e fondeve të BE për detin dhe peshkun. Një organizëm i tillë do të ishte mjaft i dobishëm të ngrihej edhe në Durrës, menjëherë pas çeljes së negociatave për antarsimin në BE.
Vizita në premisat e Autoritetit Portual i dha mundësinë grupit durrsak të njohë sistemin e ngritur për Adriatikun Qendror me 6 porte: Pezaro, Falkonara, Ankona, San Benedetto di Tronto, Pescara dhe Ortona, përmes manaxhimit të të cilit Ankona paraqitet si epiqendër e një “autostrade detare”, me shifra pozitive për vitin 2017, me 4,085 prekje anijesh.
Takimi me pronarët e “Adria Ferries”, kompania lider ne lidhjen me Shqipërinë, i bëri të njohur grupit vizitor edhe për mbështetjen e saj për turizmin në vendin tonë. Siç shpjegoi z. A. Rossi, titullar i kompanisë, tragetet e saj po sjellin në Durrës nga Trieste, Ankona dhe Bari mjaft turistë të huaj për destinacione turistike shqiptare, kjo në sajë të lidhjeve me agjensitë dhe tour-operatorët më të rëndësishëm të vendit tonë.
Enogastronomia, e pandarë nga turizmi për italianët, pati tri paraqitje të tipikes blu.
E para, një drekë informale pranë fermës agroturistike “Moroder”, ku grupi durrsak pati rastin të shohë në detaje pregatitjen e verërave të një kantine me egzistencë 7 brezash. Ferma, me 70 ha tokë të mbjellura me vreshta, perime dhe fruta, plotësonte kushtet e kilometrit zero.
E dyta, një soire adriatiko-jonike në hotelin “Exelsior La Fonte”, ku u shërbyen 7 pjata me produkte deti, të përgatitura nga dy chef guzhine në garë, shqiptari A.Marku nga restorant “Rapsodia” dhe italiani Fabio, me një ëmbëlsirë të përgatitur nga të dy, si shenjë miqësie dhe bashkëpunimi. Në darkë ishte e pranishme edhe Ambasadori i Shqipërisë në Romë, Shkëlqesia e Saj, A.Bitri, e cila theksoi në mënyrë të veçantë komukimin njerëzor dhe mirëpritjen e emigrantëve shqiptarë në Itali, dhe sidomos në rajonin Marke.
E treta, dreka në bordin e tragetit Michela,me një demostrim të gastromosë lokale, “stoccafisso all’Anconetana”.
Një stendë e përbashkët, me materiale promovuese të Bashkisë dhe të Dhomës, shërbeu si mbyllje e prezencës së grupit durrsak në Ankona.
Në përfundim, duhet të shënojmë se vizita në Ankona ka qenë shumë impenjative, por edhe shumë instruktive për përfaqësuesit e Bashkisë dhe të Dhomës. Duke theksuar dëshirën e vazhdueshme të institucioneve në Durrës për një bashkëpunim më të ngushtë me Italinë, rajoninMarke dhe komunën ë Ankonës, grupi konstatoi që egzistojnë mundësi reale bashkëpunimi, si:
– Ngritja e një kantjeri riparimesh të vogla, brenda portit të ri të peshkimit
– Investime shtesë për ndërtimin e Mekato Itiko (shitja e peshkut me ankand), brenda portit të ri të peshkimit
– Bashkëpunim ndërmjet Federparsca dhe OMP Durrës për komercializimin e peshkut dhe sistemin e shërbimeve, brenda portit të ri të peshkimit
– Bashkëpunim dhe komplementaritet ndërmjet APD Durrës dhe APC Ankona
– Binjakëzim ndërmjet bashkive Durrës dhe Ankona
– Gjallërimi i veprimtarisë ekonomike dhe shoqërore së komunitetit shqiptar në rajonin Marke, në veçanti në komunën e Ankonës
– Organizimi në Durrës, në të ardhmen e afërt, i një aktiviteti të ngjashëm me “Tipike blu”, me pjesmarrjen dhe mbështetjen e të gjithë sipërmarrjes së përfshirë në ekonominë “blu”
E quajmë me vend të shënojmë se ekonomia e detit, e quajtur ndryshe ‘’blue economy’’, ose ‘’blue growth’’ përbën një nga katër kollonat e strategjisë Eusair për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Makrorajonit Adriatik-Jon. Ndërkaq eventi ‘’Tipike në blu’’ është një mozaik plot fantazi ngjarjesh në përputhje me vizionin për këtë strategji.