Pas dy seminareve, kushtuar gjetjes përkatësisht të rrugëve për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të karburanteve, seminar 5 Maj 2017 “Mundësi të zbatimit të TVSH në favor të biznesit” përbën një realizim tjetër të misionit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës: mbrojtja e interesave dhe rritja e aftësive konkurruese të biznesit operues në Qarkun tonë dhe më gjerë. Shumë pozitive për këtë seminar ishte prania e Znj. Diana Leka, Drejtore e Sekretariatit të KI. Dihet që ky organizëm ka si detyrë për t´i sugjeruar Qeverisë masa për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Tre do të ishin çështjet kryesore
që u shtjelluan në këtë seminar nga Z. Artur Papajani dhe Z. Eduart Gjokutaj, dy nga specialistët më të njohur në vend për TVSH:
– Një historik i përgjithshëm i zhvillimit të kësaj takse në Shqipëri dhe i proçedurave tatimore në veçanti.
– Mundësitë e rimbursimit automatik të TVSH dhe përdorimi i kredisë së saj për shlyerjen e detyrimeve të tjera sipas parimit: “një biznes – një llogari me shtetin”.
– Mundësitë e shkallëzimit të TVSH në 4 nivele, sipas produkteve dhe sektorëve ekonomikë në Shqipëri, duke u nisur nga përvoja rajonale dhe europiane.
Si rezultat i realizimit të këtyre dy mundësive, do të kishim një rritje të aftësive likuiduese të bizneseve. Vërtetë shteti do të arkëtojë më pak në buxhet nga TVSH. Por, paratë e kursyera nga subjektet dhe konsumatorët shqiptarë do të investoheshin apo konsumoheshin në drejtime të tjera, që përkthehen në punësime të reja apo të ardhura të tjera edhe për vetë shtetin! Me këtë vizion, do të synohet përsëri (ashtu si me çështjet lidhur me uljen e çmimit të energjisë apo të karburanteve) të krijohet një grupim biznesor i Dhomave dhe Shoqatave, për të mbështetur kërkesat e komunitetit shqiptar të biznesit ndaj Qeverisë dhe Kuvendit, për rimbursimin automatik dhe shkallëzimin e TVSH. Ndryshe, forcat politike sot në fushatë, do të kenë edhe një herë rastin të tregojnë se janë “pro
biznes” dhe po ashtu që duan t’u japin qytetarëve shqiptarë mundësinë për një kosto jetese më të lire. Dhe për këto synime mjafton që një biznes të ketë
vetëm një llogari me shtetin!