Fermerët, “nipti” dhe fondet

Fermerët, “nipti” dhe fondet
1 Gazeta T&I Durrës Nr 26

Ka dy pamje, të cilat të bëjnë shumë përshtypje, kur flitet për fermerët dhe fiskalizimin e tyre. Pamja e parë e shprehur në shifra tregon se nga 354 mijë fermerë në të gjithë vendin, vetëm 40.265 prej tyre janë të dukshëm për shtetin dhe disponojnë një “nipt” për aktivitetin e tyre. Ky dokument i identifikon ata si shitës të prodhimeve të tyre përtej konsumit familjar dhe për hir të tij, ata përfitojnë vlerën e 20 % të çmimit të shitjes. Pamja tjetër tregon se këtij “formalizimi” ia shohin “hajrin” jo tamam fermerët, por grumbulluesit dhe sekserët e prodhimeve bujqësore. Në fakt, kemi të bëjmë me një pikë kthese. Ka shembuj që tregojnë se, në disa rrethe, jo thjesht fermerë të veçantë, por i tërë fshati kanë aplikuar për t’u pajisur me dokument identifikimi të shitjes së produktit të tepërt (e quajmë shkurt NIPT). Dhe këta janë ndikuar edhe nga mundësia për të përfituar nga mbështetja me grante, nga mbështetja me kredi, nga programet mbështetëse, qoftë në nivelin qeveritar, qoftë në nivelin komunitar, sikundër është bërë e njohur zyrtarisht. Tre vjet më parë kanë qënë vetëm 11 mijë fermerë. Ka shembuj të tjerë që kërkesën për t’u pajisur me NIPT e shohin me frikë, duke e vlerësuar si një rritje të detyrimeve tatimore etj. etj.

Sipas ekspertëve në DPT, në bazë të ligjit të shoqërive tregtare, kjo kategori fermerësh nuk konsiderohen tregtarë e, në këtë kuptim, pajisja me NIPT e tyre bëhet vetëm për qëllime të kompensimit të TVSH.

Sot me 20 përqind kompensim për fermerët, duhet pasur situata në kontroll, sepse agrobiznesi dhe grumbulluesit e zbresin TVSH- në që u paguajnë fermerëve. Specialistët theksojnë se, veç kësaj, pajisja me NIPT ndihmon dhe formalizimin e transaksioneve dhe, për qëllime të skemës së kompensimit ato faturohen, kështu që plotësohet zinxhiri i TVSH-së. Ky shpjegim teknik iu jep përgjigje edhe pyetjeve të mësipërme që i bëjnë, edhe ekspertët, edhe fermerët.

Po përse kundërshtohet marrja e NIPT të fermerit?

Kjo kategori fermerësh, që nuk deklaron asnjë të ardhur apo shpenzim, nuk lëshon fatura tatimore, sipas udhëzimit të sipërcituar, konsiderohen thjesht fermerë dhe jo tregtarë.

Ky regjistrim dhe certifikata e NIPT-it lëshuar fermerit është e vlefshme vetëm për qëllime të përfitimit nga skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë sipas këtij ligji. Asnjë detyrim tjetër fiskal, asnjë penalitet, asnjë sekuestrim malli, as edhe “kupon tatimor”, sikundër po e servirin ata që nuk lexojnë dhe nuk njohin as këtë përshkrim të shkurtër të procesit të pajisjes me NIPT dhe të përfitimit të 20 % të çmimit të shitjes së produktit, që i takon dhe duhet ta marrë fermeri. Në bankë? Nëpërmjet Postës Shqiptare? Ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe nuk ka asnjë pengesë që skema të funksionojë sikundër e kërkojnë fernerët, por jo tregtarët dhe grumbulluesit, të cilët duhet dhe po kontrollohen në vijimësi për abuzimet me nënçmimin e produkteve dhe me hiletë e tjera që kanë filluar t’u bëjnë fermerëve të thjeshtë.

Sikundër përmendëm, nga 354 mijë fermerë në të gjithë vendin, vetëm 40.265 prej tyre janë të dukshëm për shtetin dhe disponojnë një nipt për aktivitetin e tyre, duke e pasur kështu “derën” të hapur për aplikime dhe përfitime të fondeve të vëna në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë për mbështetjen e këtij sektori.

Shifrat e fundit zyrtare që i përkasin datës 15 Gusht, tregojnë se numri i fermerëve të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka lëvizur shumë pak krahasuar me dy muaj më parë, ku vetëm 83 fermerë më shumë janë pajisur me nipt, çka tregon trendin e vakët të interesit që kanë fermerët për t’u formalizuar.

Më shumë se  313 mijë prej tyre vijojnë të mbeten indiferentë ndaj financimeve që jep Ministria e Bujqësisë për zhvillimin e zonave rurale, duke bërë që vetëm 11 për  qind  prej tyre gëzojnë përfitimet që vijnë nga pasja e një nipti si dhe të derdhin kontribute shoqërore dhe shëndetësore.

Megjithëse Ministria e Bujqësisë vuri në dispozicion 20 milion euro për 54 skema të financimit në bujqësi dhe kusht kryesor është pajisja e fermerit me nipt, kjo nuk e vuri në lëvizje këtë kategori, që të përfitojnë nga momenti për hapjen e niptit, në mënyrë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e  financimeve. Ministria e Bujqësisë ka sërish në dorë një instrument të fuqishëm: financimi prej 94 milion eurosh, një fond i përbashkët midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Por edhe ky fond duket sikur do ta lerë të pambuluar pjesën e  “padukshme” të bujqësisë shqiptare, të cilët janë punonjës më së shumti në këtë sektor për arsye mbijetese. Ndoshta, jo vonë edhe ata do të tentojnë ta kthejnë atë, bujqësinë e formalizuar, në një mekanizëm të zhvillimit dhe të rritjes së të ardhurave të tyre.

Në të vërtetë, prodhimet e parcelave të vogla deri në 1,5 ha, për shkak të kostove të larta nuk bëhen dot konkurruese me ato të importit. Nga ana tjetër, në Eurpë,  titulli “fermer” i jepet atij personi, i cili së bashku me familjen e tij mbulon jo më pak se 50 ha. Prandaj, duket si shpërdorim i parasë publike dhënia e granteve familjeve fshatare me pronësi ngastra të vogla. Dhoma gjykon se zhvillimi i bujqësisë shqiptare kërkon strategji krejt të tjera: stimulimi me grante vetëm i fermave të mëdha, sipas modelit europian. Ndryshe, ose grantet do të sillnin vetëm mbijetesë, por jo zhvillim, ose ca më keq fondet do të mbesin të palëvruara. Siç është theksuar edhe nga specialistët e huaj, thelbi nuk qëndron as tek nipti, as tek fondet në dispozicion, por tek dallimi principial ndërmjet “fshatarit” dhe “fermerit”!