Strukturat turistike akomoduese

Strukturat turistike akomoduese
3 Gazeta T&I Durrës Nr 26

Zyrtartisht deklarohet se vitet e fundit Shqipëria është konfirmuar si një destinacion turistik në ngjitje të majave të turizmit europian, duke tërhequr miliona vizitorë të huaj, trend i cili pritet të vazhdojë me të njëjtin ritëm për dekadën në vijim.

Megjithatë, një nga aspektet kryesore në pritjen e turistëve, strukturat akomoduese, pra hotelet, motelet, bujtinat, e të tilla duket se janë të pamjaftueshme. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtretërve në Shqipëri është mbi 42 mijë, shumë i vogël krahasuar me ambicien e turizmit.

Krahasuar me vendet e tjera të Europës, kjo shifër duket edhe më e vogël. Në krye të listës, me kapacitetin më të madh në kontinentin e vjetër, ndodhet Franca me mbi 5.1 milionë shtretër, e ndjekur nga Italia me 4.9 milionë. Fqinji ynë jugor, Greqia, renditet e gjashta me 1.2 milionë shtretër, ndërsa Kroacia e teta, me gati 1 milion shtretër.

Me 42 mijë shtretër, Shqipëria renditet e parafundit, duke kaluar vetëm Lihtenshtajnin, një mikroshtet, me vetëm 2,434 shtretër. Sipër nesh renditen vende si Malta dhe Islanda me 43 mijë shtretër dhe Maqedonia me 45 mijë të tillë.

Edhe nëse do të marrim parasysh akomodimet private dhe informalitetin në këtë sektor, si një nga arsyet për këtë numër kaq të vogël, ajo përsëri nuk justifikon faktin se Mali i Zi numëron trefishin, me 120 mijë shtretër. Pjesa komerciale e Malit të Zi numëron 65 mijë shtretër, ndërsa akomodimet private regjistrojnë 55 mijë dhoma. Kjo reflektohet edhe në portalet e rezervimeve online, ku Mali i Zi liston mbi 4 mijë prona, kundrejt 2500 pronave në vendin tonë.

Një e dhënë në favor të turizmit shqiptar ndërkohë është ritmi i shtimit të këtyre kapaciteteve, ku në 2016 krahasuar me 2015, strukturat u rritën me 20.3% ndërsa shtretërit me 13.3%.

Si turizmi nxit investimet drejt hoteleve?

Fokusi drejt turizmit, por edhe numri gjithnjë e në rritje i turistëve të huaj, po nxit investimet drejt hoteleve. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për lejet e reja të ndërtimit në tremujorin e parë të 2018-s janë dhënë leje për t’u ndërtuar 25 hotele (apo ndërtesa të ngjashme me to) me një sipërfaqe totale prej 19,031 metra katrorë. Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, lejet e reja të ndërtimit janë pesëfishuar. Në tremujorin e parë të 2017-s u dhanë vetëm pesë leje ndërtimi, me një sipërfaqe totale prej 10,145 metër katrorë.

Gjatë 2017-s u dhanë në total 53 leje ndërtimi për hotele, i cili shënoi edhe nivelin më të lartë të katër viteve të kaluara. Ndërkohë në 2018-n, vetëm në  tremujorin e parë janë dhënë sa gjysma e totalit të lejeve në vitin e kaluar.

Edhe pse numri i lejeve është rritur, sipërfaqja në lejet e reja ka qenë më modeste. Sipërfaqja mesatare për njësi hoteli (apo ndërtesë të ngjashme me të) është 761 metër katrorë. Në të njëjtën periudhë një vit më parë, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit për tremujorin e parë të 2017-s ishte 2029 metër katror për njësi (nga 10,145 që ishte totali).

Qeveria nëpërmjet nxitësve fiskalë, fillimisht miratoi ligjin për lehtësim nga taksat për hotelet dhe resortet me 4 dhe 5 yje. Një valë hotelesh të reja po ndërtohen në bregdetin e Jugut dhe Adriatikut. Tre investime janë bekuar së fundmi me statusin “strategjik” duke përfituar nga lehtësitë që ofron kjo kornizë ligjore, ndërkohë që tre të tjerë janë në proces shqyrtimi ose plotësimi dokumentacioni. Nga gjashtë fusha, që mund të përfitohet statusi, dominojnë kërkesat për fshatra turistikë, projektet e të cilëve po mbijnë “si kërpudha pas shiut” në gjithë bregdetin shqiptar.Komiteti i Investimeve Strategjike, i cili “bekon” investitorët me statusin “strategjik”, ka shqyrtuar tetë dosje ku të paktën për tre prej tyre ka dhënë miratimin, dy janë refuzuar dhe pjesa tjetër është kërkuar të plotësojnë dokumentacion shtesë. (Shqyrtimi është bërë në fund të 2017 por zbardhja e vendimeve është kryer në shkurt 2018). Ky komitet ka rrëzuar vetëm dy projekte, nën argumentin e mungesës së maturimit apo të strukturave të akomodimit.

Kur ka një interes në rritje të polakëve, çekëve dhe së fundmi nordikëve drejt Shqipërisë, epiqendra e turizmit është kthyer tek Golemi. Kjo, sepse ka më shumë struktura akomoduese ndërkohë,që pjesa tjetër e vendit vuan “çorganizmin”, me të cilin është ndërtuar, por edhe tipologjinë që kanë strukturat akomoduese, që nuk ofrojnë numër të lartë shtretërish.

Ajo që lakohet shpesh është mungesa totale e resorteve. Shumë prej projekteve që po ndërtohen përgjatë gjithë bregdetit shqiptar janë “vetëpagëzuar” me këtë status, por asnjëri prej tyre nuk përmbush kriteret që kërkohen për këtë aspekt. Në draft strategjinë për turizmin që përfshin vitet 2018-2022 dhe që është në diskutim me grupet e interesit, Ministria për Turizmin dhe Mjedisin ka nënvizuar se deri në vitin 2022 Shqipëria do të ketë pesë resorte me katër dhe pesë yje. Por ndërsa objektivi është i qartë, ai që mbetet i mjegullt është fakti kush do t’i ndërtojë dhe ku do të ndërtohen, pasi një pritshmëri kaq ekzakte, duhet të kishte mbyllur të paktën në letër projektet.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin