Lajme shkurt

Lajme shkurt
3 Gazeta T&I Durrës Nr 26
  • Rritet numri i bizneseve që “përfitojnë” parà

Zgjerimi i numrit të bizneseve të profileve të ndryshme, që përfitojnë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit do të shkojë në 255 të tillë, në tre vitet në vijim. Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të ketë një rritje të buxhetit deri në 65.6 miliardë lekë në 2021 nga 60.8 miliardë lekë që është aktualisht. Nga analiza që i bëhet buxhetit për të tre vite në vijim, bie në sy se për programin “Mbështetje për zhvillimin ekonomik” do të kemi rritje të fondit. Nga 670 milionë lekë aktualisht, në vitin që vjen do të shkojë në 771 milionë lekë.

Vlerën më të lartë të fondit ky program do ta ketë në vitin 2020, ku shteti shqiptar do të shpenzojë rreth 781 milionë lekë për zhvillimin ekonomik, vlerë kjo që do të pësojë një ulje të lehtë në vitin 2021 duke shkuar në 779 milionë lekë.

  • “Gremiset” huaja për ekonominë

Stoku i huasë për ekonominë ka shënuar një rënie dramatike në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke mos reflektuar aspak rritjen e vendit, që në tre muajt e parë të vitit sipas INSTAT u zmadhua me 4.4%. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë në muajin qershor zbriti në 530 miliardë lekë, me një tkurrje prej 9.3 miliardë lekë, apo 1.7%, në krahasim me muajin e mëparshëm. Rënia ka qenë e pandalshme në 6 muajt e parë të këtij viti, duke u tkurrur me 20 miliardë lekë. Kjo është tkurrja më e madhe historike, të paktën që prej vitit 2002, kur Banka e Shqipërisë raporton statistikat e kredisë. Ky është niveli më i ulët i stokut të huasë për ekonominë, që prej tetorit të vitit 2011. Tkurrja në qershor ka ardhur si rrjedhojë e rënies së kredisë për korporatat publike, me 12 miliardë lekë, si rrjedhojë e shlyerjes së overdraft të KESH në banka, pas lëvrimit të huasë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërsa në raport shkruhet se me fundin e 2017-s, tkurrja e kredisë ka ardhur si rrjedhojë e rënies së huasë në valutë për bizneset, por edhe për individë. As stoku i kredisë në lekë për biznese nuk ka shënuar rritje, përkundrazi.

Që prej shtatorit të vitit 2017, huaja për ekonominë po rezulton me rënie të ndjeshme. Bankat janë skeptike për të dhënë hua, teksa janë përqendruar në segmentin e mesëm dhe ankohen se mungojnë projektet e mira për të financuar. Arsye të tjera që kanë ndikuar në rënien e stokut janë fshirja e kredive që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, si dhe nënçmimi i euros.

  • Bujqësia lehtëson burokracitë

Ministria e Bujqësisë finalizon fazën e dytë të reformës së derregullimit, e cila synon minimizimin e dokumenteve të kërkuara dhe reduktimin e burokracive.  Kjo fazë do të sjellë një sërë lehtësirash proceduriale, gjë që do të reflektohet në mënyrë direkte në sektorët përkatës të bujqësisë, zhvillimit rural, peshkimit dhe agropërpunimit, sektorë të cilët  janë pjesë e një reforme ristrukturimi.

Për ngritjen dhe forcimin e sektorëve, të cilët paraqesin potencial të madh si ekonomik edhe njerëzor, siç është peshkimi, është vendosur që me përfundimin e fazës së dytë, lejet e peshkimit të kalojnë në afat nga 5 vjeçar në 20 vjeçar. Ky lehtësim do të hapë dritën jeshile dhe për industri të tjera dhe sektorë të tjerë, si turizm, etj. Lehtësira të tjera parashikohen dhe për procedura të tjera, si: “Regjistrim i Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve (PMB)”, ku koha do të reduktohet nga 180 ditë në 60. Për “Ambalazhimin e Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve (PMB)”, afati do të jetë nga 15 në 10 ditë. Për “Tregtimin me shumicë të barnave për kafshë”, afati kohor bëhet nga 15 në 10 ditë. Dhe për “Prodhimin e Barnave për kafshë”, koha e kërkuar nga 30 ditë bëhet në 20 ditë. Më përfundimin e fazës së dytë dhe tre liçensa, të cilat ofroheshin nga Ministria e Bujqësisë, si licenca për: “Prodhim dhe/ose tregtimi i farave dhe fidanëve”, “Ndërzimi natyror i kontrolluar (stacionet e ndërzimit natyror)” dhe “Prodhimi primar me shumicë”do të eliminohen, duke mos qenë më pjesë e dokumentacionit të kërkuar.

Faza e parë e reformës së derregullimit, e cila përfundoi në Dhjetor 2017, solli reduktimin e shërbimeve të ofruara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në masën 63%.  Numri i shërbimeve u ul në 22, dhe numri i dokumenteve të kërkuara nga 108 shkoi në 40.

  • Shqipëria, e destinuar për vendin fundit…

Shqipëria ka normën më të ulët të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të shprehur në fuqi blerëse, pra të rregulluar sipas standardit të jetesës në secilin vend. Një projeksion i fundit i Bankës Qendrore Europiane tregon se Shqipëria është e destinuar që të qëndrojë e fundit, me përjashtim të ndonjë mrekullie. Në skenarin më të mirë, shqiptarët do të arrinin gjysmën e europianëve, pra sa 50% e pasurisë së tyre kombëtare për frymë, në vitin 2025, por vetëm në rast se Shqipëria do të regjistronte një normë rritje prej thuajse 7% çdo vit, deri në 2025. Ky është edhe viti që vlerësohet gjerësisht si ai zgjerimit të radhës së Bashkimit Europian, çka do të thotë se, në rastin më të mirë të mundshëm, në vitin 2025, kur Ballkanit mund t`i hapet dera për në Europë, një shqiptar mesatar do të ketë një standard jetese sa gjysma e një europiani mesatar.

Skenari tjetër ndërkohë, ngjyra e kuqe, thotë se, rritja do të duhej të ishte pranë 5% në rast se vendi do të arrijë këtë objektiv brenda 2030-ës. Skenari më pesimist, thotë se do të duhet të presim vitin 2035. Por gjithsesi, me normat aktuale të rritjes ekonomike, duket se do të duhet të kalojë viti 2030 për të arritur një PBB për  frymë sa 50% e europianëve.

  • Fitimet e konçensioneve “fluturojnë”

Sipas të dhënave më të fundit që vetë kompanitë kanë dorëzuar në QKB rezulton se, 3 ndër 5 koncesionet më fitimprurëse në vendin tonë kanë rritur ndjeshëm fitimet  e tyre përgjatë 2017-ës. Vetëm dy prej kompanive, raportojnë përgjysmim të fitimeve, njëra është “Saniservice”, që ka koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Fitimet e “Saniservice” kanë zbritur kështu nga 160 milionë lekë në 2016-ën, në vetëm 72  milionë lekë gjatë 2017-ës, pra një rënie me 55%, më shumë se përgjysmim. Kjo ka bërë që “Saniservice” të zbresë në vendin e 5-të sa i përket koncesioneve më fitimprurëse, nga vendi i 3-të i vitit paraardhës.

Rënie të konsiderueshme ka pësuar edhe “Aleat”, kompania që prodhon pasaportat dhe kartat e identitetit, fitimet e së cilës kanë rënë nga 943 milionë lekë, në vetëm 542 milionë lekë, por pa i rrezikuar vendin e dytë në listën e koncesioneve më fitimprurëse.

Kompania më e madhe koncesionare në vend ndërkohë, “Tirana International Airport”, ka rritur fitimet nga 1.8 miliardë lekë, në 2.3 miliardë lekë, ose rreth 18 milionë euro fitim në vit. Rritja fiksohet në 27%.

Për koncesionin e kontrollit teknik të automjeteve, “SGS”, fitimet neto gjatë vitit 2017 fiksohen në 160 milionë lekë, nga 145 milionë lekë që ishin në 2016, me një rritje në 10%. Ky koncesion do të skadojë më 3 shtator të vitit të ardhshëm.

Kompania tjetër koncesionare, GFI Albania, që markon karburantet, ka parë fitimet neto të saj të rriten në 133 milionë lekë, nga 114 milionë të vitit  paraardhës, një rritje me 16%.