Innoventer

Innoventer
3 Gazeta T&I Durrës Nr 26

Në pesë vende të Rajonit: Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Greqi dhe Qipro, për herë të parë vjen një paketë dhe një kurs trajnimi inovativ, për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sipërmarrjet sociale. Paketa e trajnimit për sipërmarrësit është krijuar dhe po zbatohet në pesë vendet e Rajonit në kuadër të Projektit INNOVENTER – Formim Profesional për Sipërmarrësit Socialë, mbështetur nga fondet e BE, nëpërmjet Programit Balkan-Mediterranean.

Sipas njoftimit zyrtar, paketa e trajnimit synon t’u vijë në ndihmë sipërmarrësve në këto vende që të përmirësojnë veten dhe biznesin dhe, në të njëjtën kohë, të angazhojnë si punëmarrës edhe individë të pafavorizuar, pa rrezikuar qendrueshmërinë dhe suksesin e sipërmarrjes së tyre.

Vendet e Rajonit përballen me të njëjtat sfida dhe probleme si, rritja e ngadaltë ekonomike, konkurrueshmëria e ulët, niveli i ulët i sipërmarrjes si dhe norma e lartë e papunësisë, veçanërisht brenda grupeve të pafavorizuara si, të rinjtë që sapo kanë dalë nga bankat e shkollës, të papunët afatgjatë, individë nga familje me problem social-ekonomike, punëkërkuesit pa profesion, etj..

Përveç faktorëve që lidhen me situatën ekonomike globale dhe me politikat e brendshme ekonomike dhe fiskale të secilit prej vendeve të Rajonit, një faktor i rëndësishëm që ndikon në këtë situatë është edhe mungesa e një lidershipi të mirëkualifikuar sipërmarrës, të aftë për të identifikuar dhe përdorur burimet e papërdorura, qofshin këto virtuale apo reale. Ekzistenca e një klase sipërmarrësish, të cilët i përballojnë problemet dhe sfidat më shumë duke u udhëhequr nga intuita dhe fati, sesa nga aftësitë dhe kompetencat e maturuara, është një risk jo vetëm për biznesin, por edhe për shëndetin e vetë ekonomisë së vendit.

Paketa e trajnimit dhe kursi inovativ i ofruar nga INNOVENTER ofron, për herë të parë, mundësinë që sipërmarrësit të njohin dhe përvetësojnë teoritë dhe praktikat më të fundit dhe më të suksesshmet në botë në fushën e sipërmarrjes.

Kursi i trajnimit për sipërmarrësit është një kurs i standarteve më të mira që nga konceptimi, përgatitja e materiale didaktike, e deri tek finalizimi. Edhe metodologjia e mësimdhënies është innovative, në një  kombinim të mësimit në klasë me mësimin autodidakt nëpërmjet platformave online dhe mobile. Kursi është dizenjuar në format të tillë që të nxisë aftësinë e pjesëmarrësve për t’u bërë të pavarur, duke u dhënë atyre fleksibilitetin për të pasur kontroll mbi kohën dhe mënyrën sesi mësojnë, pasi rreth 80% e trajnimit do të ofrohet online nëpërmjet një platforme të përbashkët. Kjo platformë, po ashtu, do t’u shërbejë sipërmarrësve për komunikim të drejtëpërpërdrejtë dhe në çdo kohë me homologët e tyre në vendet partnere, si dhe me mentorët/konsulentët ndërkombëtarë që do t’i udhëheqin dhe mbështesin nëpërmjet mentorimit online.

Paketa e trajnimit është e përputhur me legjislacionin evropian në fushën e formimit profesional, me EQF – Kornizën Evropiane të Kualifikimeve dhe ECVET- Sistemi Evropian i Kualifikimit të Arsimit dhe Formimit Profesional dhe vlerësohet e standarteve të larta dhe bashkëkohore.

Partneri shqiptar i projektit, ACA- Albania Community Assisst, po organizon një sërë takimesh dhe workshopesh në qytetet Tiranë, Durrës dhe Vlorë, qytete në të cilat po pilotohet projekti, me aktorë qendrorë dhe lokalë të tillë si, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, drejtoritë rajonale të formimit profesional, dhomat e tregëtisë, shkollat e larta dhe të mesme me profil ekonomik, ekspertë dhe sipërmarrës, për të prezantuar paketën dhe kursin e trajnimit dhe për të ngritur linja bashkëpunimi me to në procesin e adaptimit dhe implementimit e projektit.

Pas përfundimit të projektit në gusht 2019, paketa INNOVENTER së bashku me platformën online do t’i lihen në pronësi Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe drejtorive rajonale të formimit profesional, të cilat do ta ofrojnë kursin e formimit per sipërmarrësit në të gjithë vendin.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin