Lajme shkurt

Lajme shkurt
3 Gazeta T&I Durrës Nr 21
  • Qeveria gjen “paratë” për hekurudhën Durrës-Tiranë

Gjendja mjerane e hekurudhës Tiranë-Durrës pritet të ndryshojë shpejt me sigurimin e plotë të fondeve për rehabilitimin e saj. Qeveria ka miratuar grantin efundit prej 35,4 milionë euro financim nga donatorët e huaj, i cili do t’i hapi rrugë dhe punimeve në terren. Këto mund të nisin në pranverë dhe brenda dy vitesh përfundon i gjithë projekti. Investimi do të bëhet në linjën ekzistuese, do ketë një degëzim drejt aeroportit të Rinasit, kurse pika fundore në Tiranë do të jetë pranë Bulevardit të ri. Rehabilitimi i kësaj linje hekurdhore dhe vendosja e trenave të rinj është hapi i parë i një projekti më të madh për modernizmin e disa linjave hekurdhore në Shqipëri. E gjithë kosto e rehabiltimit të rrjetit hekurudhor shqiptar i kalon 427 milion euro.

  • Kemi turistë, por nuk kemi hotele

Kërkesat për turistë në Shqipëri janë trefish apo katërfish më të larta se kapacitetet që ofron vendi ynë. Kështu është shprehur Ministri i Turizmit dhe Mjedisit , Blendi Klosi në Panaririn Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin. Stendën e Shqipërisë e kanë vizituar disa nga turoperatorët më të mëdhenj në botë, si : Tui Group, Tomas Chook, Apollo Group, të cilët kanë shprehur kërkesën për shtimin e kapacitetit hotelier në vendin tonë.  Klosi vuri theksin edhe te paketa fiskale, e cila parashikon lehtësira për hotelet me 4 dhe 5 yje, dhe për agroturizmin, sipas të cilit janë edhe e ardhmja e turizmit shqiptar. Po ashtu, shtoi më tej se mbrojtja e mjedisit është edhe një faktor i rëndësishëm për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion europian.

“Është e padiskutueshme që të për qenë një destinacion turistik europian Shqipëria duhet zhvillojë dhe të mbrojë mjedisin dhe duhet të kuptojë që nëpërmjet natyrës shtohen shumë më tepër shanset për një turizëm të qëndrueshëm.”

  • Një miliard euro hua për insfrastrukturën e Ballkanit

Komisioni Europian është i gatshëm që t`i huazojë vendeve të Ballkanit Perëndimor plot 1 miliardë euro për projektet infrastrukturore, deklaroi kryeministri bullgar, Boiko Borisov gjatë punimeve të Forumit ekonomik të Delphit në Greqi. Këto para, shtoi ai, do të shpërndahen nëpërmjet bankave europiane.

“Në rast se këto projekte do të realizohen, atëherë Ballkani do të behet një prej vendeve më konkurruese”, shtoi kreu i ekzekutivit bullgar. Ndër projektet në fokus janë korridori 8, që do të lidhë Bullgarinë me Shqipërinë, si dhe autostrada adriatiko-joniane, që do të lidhë Shqipërinë me Slloveninë dhe për të cilën kryeministri shqiptar vetëm pak ditë më parë bëri apel për financim.

Nga Sofja, presidenti i Komisionit Europian, Juncker i bëri apel të gjitha palëve, përfshirë vendet anëtare të BE, që brenda muajit Maj të gjejnë mënyrat e financimit të projekteve në rajon.

  • Edhe BERZH jep euro për Ballkanin

Banka më e madhe e zhvillimit të Europës po planifikon të financojë rreth 700 milionë euro për vitin 2018 projektet në përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e lidhjeve të transportit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne po planifikojmë rreth 700 milionë euro për projektet e infrastrukturës, energjisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor në 2018”, tha zëvendëspresidenti i BEI, Vazil Hudak për Reuters.

Hudak tha se BEI do të vazhdojë të përqendrohet te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me autoritetet publike dhe gjithashtu do të mbështesë turizmin dhe digjitalizimin e Ballkanit Perëndimor.

BEI është institucioni ndërkombëtar më aktiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me miratimin e kredive, duke arritur në 8 miliardë euro gjatë 10 viteve të fundit.

Bullgaria, e cila mori presidencën e radhës në BE në janar të këtij viti, ka deklaruar se do të nxisë më shumë projekte për vendet e Ballkanit Perëndimor që të afrohen me bllokun e BE.

Ndërkohë, Sofja do të presë në një samit të BE-së, në maj të këtij viti, udhëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  • Shqipëri-Serbi, harmonizim i certifikatave

Shqipëria dhe Serbia do të nisin një proçes të përbashkët pune për unifikimin dhe harmonizimin e të gjithave certifikatave shoqëruese të produkteve bimore dhe shtazore.

Kjo u ra dakord gjatë takimit të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi me delegacionin serb të kryesuar nga Ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave, Branislav Nedimović.

Duke e konsideruar këtë takim të rëndësishëm në kuadër të klimës së mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve, Peleshi vuri theksin te volumi tregtar veçanërisht për produktet bujqësore. Sipas tij, tregjet e Shqipërisë dhe Serbisë përbëjnë një potencial për bashkëpunimin e mëtejshëm.

Ministri serb Nedimović shprehu gatishmërinë për çuarjen e këtij procesi përpara me shpejtësi. Ndërkohë, në fokus të diskutimeve është vënë edhe shkëmbimi i eksperiencës për rritjen dhe fuqizimin e produkteve tipike tradicionale.

Eksportet me Serbinë u rritën me 27.8% përgjatë vitit 2017, duke kapur vlerën 2 miliardë, krahasuar me vitin 2016.

  • Minierat, gati lejet minerare për privatët

Janë të paktën 20 leje minerare që parashikohen të jepen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për shfrytëzim si dhe 26 për kërkim-zbulim mineralesh gjatë këtij viti. Ministria ka bërë publik planin e saj minerar, ashtu sikundër ndodh çdo vit, duke i paraprirë edhe hapjes së procedurave prokuruese në disa faza.

Për shfrytëzim pritet që të kalojë zona e Gostilit në Kukës për argjilë, një zonë në Mborje të Korçës për gëlqeror, një zonë në Banjë të Përmetit për ranor silicor e kështu me radhë. Për secilën nga zonat është parashikuar edhe një vlerë minimale investimi që duhet të bëhet nga ana e subjekteve që do të përfitojnë të drejtën e shfrytëzimit.

Lejet për kërkim-zbulim që shkojnë në total 26 janë, janë kryesisht për krom, bakër dhe hekur.

Të gjitha zonat e miratuara për vitin 2018 janë pjesë e planit tre vjeçar të miratuar më herët nga ministri përgjegjës.

  • Shqipëria, “cash” i lartë, ekonomia më shumë informale

Shqipëria ka një ndër normat më të larta në botë të përdorimit të parasë cash. Një raport i publikuar së fundmi e rendit vendin tonë të dhjetin në botë, sa i përket intensitetit të parasë, pra raportit që ka paraja me Prodhimin e Brendshëm Bruto të një vendi.

Në Shqipëri, ky raport fiksohet në 16.2%, ç`ka do thotë se kaq para qarkullojnë cash në vend, në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto të të gjithë ekonomisë shqiptare.

Kjo normë është ndër më të lartat në botë, dhe ndër vendet me ekonomi të zhvilluara vetëm Japonia bën përjashtim, pasi të gjitha vendet e tjera janë ekonomi në zhvillim.

Pra, Shqipëria rezulton të jetë ekonomia me performancën më të dobët në këtë drejtim pas Ukrainës dhe Moldavisë. Sa më i lartë të jetë ky raport, aq më i madh është përdorimi i parasë cash në atë ekonomi.

Por, nga ana tjetër, ky tregues ka tendencën që të tregojë masën e ekonomisë informale në një vend të caktuar. Raporti merr në analizë 85 shtete të ndryshme të botës dhe i referohet të dhënave të vitit 2017.