PPP të kërkuara dhe të pakërkuara

PPP të kërkuara dhe të pakërkuara
1 Gazeta T&I Durrës Nr 26

Ministria e Financave do të depozitojë në Kuvend një projektligj, i cili në thelb heq mundësinë e ofertës së pakërkuar në disa sektorë, sidomos në infrastrukturë. Në daljen e rradhës për mediat, Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se duke filluar nga mesi i vitit tjetër, nuk do të ketë më oferta të pakërkuara, sidomos në infrastrukturën rrugore. Ai tha se praktika që do të ndiqet për infrastrukturën rrugore do të jetë vetëm përmes ofertave të kërkuara.

“Do të ketë vetëm oferta të kërkuara. Brenda planit buxhetor afatmesëm janë manaxhuar me kujdes të gjitha kërkesat për financim për investimet publike, pa cënuar asnjë nga parametrat makroekonomikë, përkundrazi duke ulur borxhin. Për dijeninë tuaj mundësitë që borxhi të shkojë 67 për qind në fund të këtij viti dhe 65 për qind në fund të vitit tjetër, janë reale” tha Ahmetaj.

Sakaq, Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin e pritur për klimën e investimeve për Shqipërinë për vitin 2018, raport që edhe këtë vit është tepër i ashpër. Në të mbizotërojnë shqetësimet për korrupsionin, mungesën e transparencës në tendera, teksa Shqipëria konsiderohet si një vend i vështirë për të bërë biznes, ku favorizohen kompanitë e lidhura me politikën.  Me shqetësim raportohen dhe projektet e partneritetit publik privat, të cilat vlerësohet se kanë kufizuar konkurrencën, ndërsa nuk ka një analizë kosto-përfitime të tyre. Raporti thekson se “Raportet e korrupsionit në prokurimin e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (kupto PPP me ofertë të pakërkuar) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2017”.

Por Qeveria nuk ka ndërmend të ndalojë

Kostot e ndërtimit të rrugëve dhe mirëmbajtjes së tyre po rriten me shpejtësi teksa argumentet me analiza mbështetëse për këtë ecuri mungojnë. Ministria e Infrastrukturës ka lajmëruar se synon të trefishojë kostot për njësi për mirëmbajtjen e rrugëve duke i çuar ato në 11 mijë euro në vit për kilometër nga 300 euro në vit që shpenzohen aktualisht. Burimet nga ARRSH shpjeguan se kosto e mirëmbajtjes së rrugëve është rritur dukshëm me projektin e ri “mirëmbajtje me performancë”, duke përfshirë në mirëmbajtje me kushte dimri të ashpër edhe në qytetet ku ka mbi 300 ditë diell. Fondet për mirëmbajten janë duke u rritur vit pasi viti, më 2017 ato ishin më shumë se 3 miliardë lekë, gati tre herë më shumë se 2013.

Ndërsa sa i përket investimeve në infrastrukturë qeveria shqiptare synon që në tre vitet në vijim të kompletojë akset rrugore nacionale të koncensionuara me PPP, si: Rruga e Arbrit, Thumanë–Vorë–Kashar, Kashar– Rrogozhinë; Milot–Balldren; Orikum–Dukat; Kardhiq–Delvinë brenda vitit 2021 nëpërmjet partneritetit publik privat, në kuadër të projektit “1 miliard”.

Fondet dedikuar infrastrukturës rrugore pritet të arrijnë në 31,6 miliardë lekë me 2021, ku pjesa më e madhe e tyre do të dedikohen për koncensionet dhe mirëmbajtjen. Fondet transportin rrugor në tre vitet në vijim rriten me 30%.

Pagesat buxhetore ndaj kompanive që janë në kontrata partneriteti Publik-Privat me qeverinë nëpërmjet koncensioneve PPP do të dyfishohen deri më 2021, sipas parashikimeve të vetë qeverisë. Sipas projektbuxhetit afatmesëm 2019-2021, pagesat për koncensionet do të rriten me shpejtësi gjashtë tre viteve në vijim për të arritur në mbi 18 miliardë lekë (140 mln euro) në vitin 2021, nga 9.4 miliardë lekë që janë parashikuar të akordohen këtë vit.

Aktualisht, janë në fuqi 11 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të lidhen dhe 4 kontrata të reja nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Projekti “One billion”, një paketë investimesh prej 148 miliardë lekësh që po aktivizohet nga qeveria “Rama” në bashkëpunim me kompanitë vendase për ndërtimin e 6 segmenteve rrugore, një spitali rajonal në Fier dhe rreth 5 shkolla në Tiranë rrezikon të minojë stabilitetin fiskal të vendit në afat të gjatë. Precedentët negativë të koncesioneve në të shkuarën dhe mungesa e ekspertizës dhe kapaciteteve monitoruese të Shqipërisë i shtojnë më tej rreziqet. Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, ka pohuar më herët se “kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë.

E quajmë me vend të përsërisim edhe një herë qëndrimin e Dhomës ndaj PPP. Sipas vizionit të saj, në një shtet demokratik të ekonomisë së tregut duhet të ndiqet principi liberal, i pranuar tashmë nga shumë politologë bashkëkohorë: “Qeveria qeveris njerëzit, njerëzit manaxhojnë sendet”. Kjo do të thotë se investimet duhet të realizohen vetëm nga privatët, kurse qeveria duhet të vendosë rregullat se si paratë publike kalojnë nga shteti tek privati. Argumenti në favor të këtij orientimi është i thjeshtë: privati është më nikoqir se shteti në përdorimin e parave për investimet. Pra, karshi ndërmarrjeve shtetërore duhen preferuar ato private, në partneritete publike me ofertë të kërkuar apo të pakërkuar.

Ndërkohë, dallimi ndërmjet PPP me ofertë të kërkuar nga ato me ofertë të pakërkuar qëndron në faktin se për të parat çmimin e vendos tenderi (gara), ndërsa për të dytat çmimin e vendos privati. Duket që për shtetin do ishin më të mira PPP me ofertë të kërkuar (nga shteti), sepse gjithçka do mbështetej me një studim bëshmërie, me një çmim tavan (garën e fiton çmimi më i ulët).

Por, këtu flè “lepuri” dhe mediat vlojnë jo më kot. Sipas një biznesmeni, një ujësjellës me gjatësi 60 km tenderohet nga shteti me çmimin 100 milion euro, kur kosto e tij është vetëm 20 milion euro. Pra, një vjedhje e “pastër” prej 80 milion euro, të cilat ndahen dhe shkojnë në xhepat e aktorëve të tenderit. Nëse kjo legjendë urbane e ujësjellësit është sado pak e vërtetë, duhet të tronditemi akoma më shumë për një PPP me ofertë të pakërkuar, pa tender! Tronditemi sepse kuptojmë pse nuk ka parà për të paisur një çerdhe me televizor, pse nuk kemi shkolla moderne të paisura mirë me laboratore dhe ambiente, pse kemi spitale të mbipopulluara, pse nuk rriten rrogat dhe pensionet, pse urat kanë rrezik të shemben, pse nuk kemi standarte për të eksportuar mish në BE, etj, etj. Përgjigja del vetiu: paratë nuk mjaftojnë, sepse ato abuzohen.

Një filozof i njohur europian thotë se korrupsioni shtetëror është shumë i sofistifikuar dhe shumë i vështirë për t’u vërtetuar. Prandaj, duke njohur edhe kushtet e vendit tonë, kemi të drejtë të pyesim çfarë të reje do të sjellë projektligji i PPP me ofertë të kërkuar. A do të përmbajë ai elementë që minimizojnë mundsinë për abuzim të parasë publike? A do të krijojë ky projekt-ligj kushte për një partneritet të shtetit me sipërmarrjen private në favor të rritjes së mirëqënies dhe punësimit në Shqipëri. Në favor të interesit publik dhe jo të interesit personal të një grupi shtetarësh dhe sipërmarrësish privatë, zhvatës së parasë qytetare!

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin