Nga veprimtaria e Portit

Nga veprimtaria e Portit
2 Gazeta T&I Durrës Nr 26
  • Në 6 muaj përpunohen 92 anije me mbi 65 mijë kontejnerë TEU

 Në Terminalin e Kontejnerëve gjatë periudhës Janar-Qershor të këtij viti janë përpunuar 92 anije të specializuara. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018 në portin e Durrësit janë përpunuar 11.267 kontejnerë më shumë se sa në Janar-Qershor 2018.

65.175 kontejnerë me mbi 743 mijë ton mallra gjithsej janë përpunuar në Terminalin përkatës në 6 muajt e parë të vitit 2018, ose mbi 87 mijë ton më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Numri i kontejnerëve për eksport në këto 6 muaj, 32.585 TEU gjithsej, është thuajse i barabartë me numrin e kontejnerëve nga importi, që kanë mbërritur me anije në Durrës.

  • Durrësi, Kruja, Berati dhe Tirana, destinacionet e turistëve të kroçierës “Sirena”

Durrësi, Kruja, Berati dhe Tirana ishin destinacionet e turistëve që zbritën nga kroçiera “Sirena” në portin e Durrësit. Turistët u nisën me autobuzë drejt qyteteve tona historike dhe muzeale.

659 turistë nga 24 vende të ndryshme.

Ata ishin nisur më parë nga Argostoli (Greqi) drejt Durrësit, ndërsa më pas kroçiera “Sirena” do të vijonte lundrimin drejt Kotorrit (Mali i Zi). 502 nga turistët janë nga SHBA, ndërsa nuk mungojnë udhëtarë nga Zelanda e Re, Britania e Madhe, Tailanda, Australia, Belgjika, Kanadaja, etj., të interesuar për vendin tonë.

Itinerari i kroçierës “Sirena” përfshin 12 porte në Itali, Shqipëri, Maltë, Greqi, Malin e Zi dhe Kroaci, ndërsa turi përfundon më 9 gusht në Venecia.

Kroçiera me flamur të ishujve Marshall ka një gjatësi prej 181 metra dhe vjen për herë të dytë në Durrës.

  • Tragetet, në 7 muaj transportojnë mbi 520 mijë ton mallra

Tragetet që lundrojnë nga Durrësi drejt porteve të Barit dhe Ankonës e anasjelltas, gjatë periudhës Janar-Korrik të këtij viti kanë transportuar 8 përqind më shumë mallra se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se megjithëse kanë kryer të njëjtin numër lundrimesh vajtje-ardhje, 551 gjithsej, tragetet kanë transportuar 520.285 ton mallra të ngarkuar në kamionë dhe trajlerë. Kjo është një shifër 8 përqind më e lartë se sa ajo e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, ndërsa numri i udhëtarëve, afro 360 mijë gjithsej, ka pësuar 10 përqind rënie.

Tragetet janë shfrytëzuar prej mbi 45 mijë kamionësh dhe trajlerash në 7 muajt e parë të këtij viti, një shifër 4 përqind më e lartë se sa ajo e 7-mujorit Janar-Korrik të vitit 2017.

  •  Mbërrin në Durrës kroçiera “Seven Seas Voyager” me 715 turistë

Kroçiera “Seven Seas Voyager” me gjatësi 206 metra u ankorua në kalatën 5 të portit të Durrësit gjatë muajit Gusht 2018.

Nga të dhënat e Autoritetit Portual mësohet se kroçiera ka 715 udhëtarë gjithsej, 528 prej të cilëve janë qytetarë të SHBA, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga 21 vende të ndryshme të botës.

Turistët u pritën edhe nga një grup të rinjsh të projektit “Smile Albania”.

21 autobuzë turistikë me pasagjerët e kësaj kroçiere, u nisën nga Durrësi në destinacionet e parashikuara, kryesisht qendra historike dhe muzeale në qytetet e Krujës, Beratit, Tiranës dhe Durrësit.

Kroçiera “Seven Seas Voyager” vijoi më tej lundrimin drejt Korfuzit.

  • Eksport-importet nga/drejt Durrësit, kryesisht me Turqinë, Rusinë dhe Italinë

Eksport-importet me Turqinë, Rusinë dhe Italinë nga/drejt portit të Durrësit zënë më shumë se gjysmën e mallrave të përpunuara në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, në vendin e parë për shkëmbimin e mallrave është Turqia, me 24 përqind të vëllimit të përgjithshëm të mallrave që përpunohen në Durrës, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë, sipas statistikave 6-mujore, ndodhen Rusia dhe Italia, me përkatësisht 17 dhe 13 përqind.

Nga të njëjtat pasqyra mësohet se Malta, Greqia dhe Libia shkëmbejnë me anijet që nisen nga/drejt Durrësit, secila nga 7 përqind  të vëllimit të përgjithshëm të mallrave, ndërsa me nga 3 përqind ka një sërë vendesh të tjera, si Spanjë, Ukrainë, etj.

Rusia me 29 përqind, Turqia me 19 përqind, dhe Greqia e Italia janë vendet nga të cilat mbërrijnë më shumë mallra importi, ndërsa gjysma e mallrave të prodhuara në vendin tonë shkojnë në portet e Italisë, 40 përqind të tjera në Maltë, 8 dhe 2 përqind përkatësisht në Turqi dhe në Francë.

Në portin e Durrësit janë përpunuar në 6-mujorin e parë të këtij viti afro 1 milion e 826 mijë ton mallra me anije dhe tragete.

  • Ja mallrat e eksportit dhe importit në 6 muajt e parë të vitit 2018

Qymyri koks, materialet e ndërtimit dhe plehrat bujqësore ndodhen në vendet e para të listës së mallrave të importit, që kanë mbërritur me anije në portin e Durrësit ngjatë periudhës Janar-Qershor 2018.

Ndërkaq, afro 100 mijë ton çimento e prodhuar në vend është eksportuar me anije nga Durrësi në drejtim të vendeve të tjera. Rreth 308 mijë ton mallra të tjerë janë ngarkuar në anijet e specializuara dhe janë nisur për eskport në portet e tjerë të Mesdheut.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet gjithashtu se në Durrës gjatë këtyre 6 muajve janë shkarkuar 130 mijë ton qymyr koks. 39 mijë ton të tjera ku përfshihen pleh kimik, nitrat dhe ure’ kanë mbërritur në Durrës me anije.

Më pas renditen llamarina dhe hekuri me 62 mijë ton gjithsej; 49 mijë ton çimento importi, e po ashtu edhe melamina me 29 mijë ton.

15 mijë ton xhama dhe 9 mijë ton blloqe mermeri bëjnë pjesë gjithashtu në listën e mallrave të importit gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018.

  • Kalatat 1 & 2, projekt për rritjen e kapaciteteve përpunuese

Kalatat 1 & 2 në portin e Durrësit do ti nënshtrohen zbatimit të një projekti, që parashikon rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar në mënyrë që të mund të ankorohen në këto kalata anije më të mëdha, si dhe rritjen e aftësisë mbajtëse të kalatave. Këto kalata i përkasin Terminalit të Mallrave Gjenerale, i njohur edhe si Terminali Perëndimor.

Projekti i hartuar nga kompania “Sellhorn Ingenieurgesellschaft GmbH”  përcakton  karakteristikat kryesore të këtyre kalatave:

–   Gjatësia e kalatave është 500 m dhe gjërësia 30 m, ku rezulton një shtim sipërfaqe të re me 15000 m2

–   Thellësia e projektuar – 11.50 m.

–   Ngarkesa uniformisht e shpërndarë në kalata – 4 ton/m2

Projekti parashikon ndërtimin e kalatave të reja përpara atyre ekzistuese.

Për zbatimin e këtij projekti parashikohet financimi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe nga një grant i Western Balkans Investment Framework (WBIF).

Në portin e Durrësit është realizuar më parë me financim nga BERZH (dhe BEI) ndërtimi i Terminalit të Pasagjerëve.  Po ashtu, është realizuar edhe projekti për Rehabilitimin e Kalatave 7 dhe 8.

  • Presidenti i BERZH-it vizitë në port, në fokus kalatat 1 & 2

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, z. Afrim Bakaj, priti sot në mbrëmje presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) , Sir Suma Chakrabarti.

Në takim mori pjesë edhe Zv/Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Artan Shkreli, si dhe kryetari i Këshillit Drejtues të APD, z. Gledian Llatja.

I ftuar nga Kryeministri Rama për të marrë pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Durrës, z. Chakrabarti vizitoi edhe portin e Durrësit, që konsiderohet një nga klientët më të rëndësishëm të BERZH-it në Shqipëri.

Pas fjalës së mirëseardhjes dhe ekspozesë së shkurtër mbi zhvillimet në portin më të madh të vendit nga ana e Drejtorit Ekzekutiv Bakaj dhe specialistëve portualë, të pranishmit bashkëbiseduan kryesisht për mbështetjen financiare që BERZH pritet ti japë Autoritetit Portual, për zhvillimin dhe zbatimin e projektit të rehabilitimit të kalatave 1 & 2.

Presidenti i BERZH-it, shfaqi mjaft interes për projektet që do të zbatohen në portin e Durrësit, duke u ndalur veçanërisht në projektin mbi rikonstruksionin e kalatave 1 & 2.

Gjatë takimit që u zhvillua në Drejtorinë Ekzekutive të APD, u diskutua edhe mbi prioritetet dhe strategjitë për zhvillimin e mëtejshëm të portit të Durrësit.

Bashkë me Presidetin e BERZH, z. Chakrabarti, në takim morën pjesë edhe drejtues të tjerë të Departamenteve në BERZH, z. Oleg Levitin, z. Matteo Colangeli dhe z. Ilir Basha.

Presidenti i BERZH, z. Chakrabarti, së bashku me drejtuesit e APD dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës vizituan më pas Terminalin Perëndimor, duke u ndalur në kalatat 1 & 2, si dhe portin e ri të peshkimit.

  • Në 7 muaj 2018 përpunohen 321 anije dhe 551 tragete

Në kalatat e portit të Durrësit gjatë 7 muajve të parë të këtij viti janë përpunuar 321 anije dhe 551 tragete, pa përmendur ankorimin e 233 jahteve turistike dhe dy kroçierave.

Sipas Sektorit të Statistikave në APD, numri më i madh i anijeve për periudhën Janar-Korrik 2018 është përpunuar në Terminalin e Mallrave Gjenerale (Terminali Perëndimor), me 139 anije gjithsej.

Në Terminalin Lindor janë përpunuar 74 anije, ndërsa në Terminalin e Kontejnerëve gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, janë përpunuar 108 anije gjithsej. Nga anijet dhe tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim janë përpunuar në 7 muajt e parë të 2018-s, mbi 2.1 milion ton mallra të ndryshme importi dhe eksporti.

  • Nga fillimi i 2018, më shumë jahte turistikë se në të gjithë vitin paraardhës

Numri i jahteve turistike që janë ankoruar në kalatat e portit më të madh të vendit që nga fillimi i vitit 2018, tashmë e ka tejkaluar shifrën vjetore të vitit 2017. Jahtet janë ankoruar kryesisht në kalatat e Terminalit të Mallrave Gjenerale (Terminali Perëndimor).

Nga të dhënat operative të Sektorit të Statistikave, që nga 1 Janari 2018, në kalatat 1, 2, 4 dhe 5 janë ankoruar 296 jahte të përmasave të ndryshme. Ndërkaq, sipas të njëjtit burim, mësohet se shifra e të gjithë vitit 2017 ka ndaluar në 294 jahte gjithsej.

Vetëm gjatë periudhës 1-22 Gusht 2018 në Durrës kanë qëndruar për periudha deri në një javë 63 jahte me flamurë të vendeve të ndryshme të botës.

Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe drejtuesit e jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike të qytetit tonë.

APD ka marrë masat për të mbështetur me shërbimet përkatëse personelin e jahteve gjatë qëndrimit në portin e Durrësit.