Për 30 ditë vere të mbyllura?

Për 30 ditë vere të mbyllura?
2 Gazeta T&I Durrës Nr 26

Ky ishte vendimi i organeve tatimore për një numër jo të vogël biznesesh turistike në rajonin e Durrësit, si penalizim për moslëshimin e kuponit tatimor për herë të dytë. Pra, masa për të gjithë ata ishte bllokim i ushtrimit të aktivitetit për 30 ditë kalendarike. Kujtojmë që masat janë dhënë në ditët e fundit të korrikut dhe që sezoni turistik zgjat 40 ditë në periudhën korrik – gusht. Praktikisht, këto masa nënkuptojnë një goditje të rëndë të shumicës së këtyre bizneseve, apo edhe mbyllje me humbje të vitit ushtrimor 2018.

Lista e të ndëshkuarve ka qenë e gjatë, me restorante dhe hotele të njohur dhe jo shumë të njohur, të cilët, sigurisht, kanë pikun e aktivititetit në këtë periudhë. Pamvarësisht deklaratave politike të opozitës apo dhe të përfaqësuesve të Qeverisë për këtë “aksion”, Dhoma e konsideron me vend të shqyrtojë dy aspekte të rëndësishme të performancës së subjekteve operuese në rajonin turistik të Durrësit.

Së pari, me keqardhje konstatohen subjekte përsëritës në shkeljen e një rregulli ligjor mjaft të rëndësishëm, si lëshimi i kuponit tatimor për çdo shitje. Rastet e kapura me shumicë flasin qartë për një prirje për evazion fiskal, jo pak të përhapur. Siç dihet, ky fenomen negativ ka lidhje të drejtpërdrejtë me krijimin e fondeve të shtetit tonë në investime për rrugë, shkolla, spitale, shërbime sociale e të tilla si këto. Nëse ky evazion arrin sipas studimeve mbi 40%, atëhere kuptohet edhe më mirë pse organet shtetërore, institucionet publike, shoqëria civile dhe vetë qytetarët si konsumatorë duhet të bëhemi të gjithë bllok kundër evazionit me qëndrimin e prerë ndaj cilitdo subjekti: nuk mund të shitet pa faturë, pa kupon tatimor. Nuk ka asnjë arsye që lëvizja e filluar vitin e kaluar nga organet tatimore për kërkimin e kuponit tatimor të konsiderohet si e dështuar. Në botë, per mungesën e kuponit tatimor ndëshkohet edhe blerësi, sikundër ka stimuj financiarë për blerësit që grumbullojnë kupona. Nuk kuptohet, përse në vendin tonë nuk ndiqen këto linja ligjore, edukuese kundër evazionit.

Së dyti, bën përshtypje ndëshkimi shumë i rëndë për moslëshim të kuponit për herë të dytë. Ndëshkimi me mbyllje të aktivitetit për 30 ditë nuk është aspak në përpjestim me shkallën e fajit. Fare mirë mund të ishte një gjobë për mospagim taksash për një periudhë, psh 1 javë, lehtësisht e kalkulueshme sipas llogarive të subjektit. Kujtojmë që në SHBA gjoba është vetëm 5% taksave të papaguara dhe ky ndëshkim mund të përsëritet, ndërsa vjen sekuestro ligjore vetëm pas 2 vjet mospagimi të taksave!

Po ashtu, situata e rëndë, e krijuar nga ndëshkimet në Durrës, çuditërisht është kapërxyer: të gjitha subjektet janë të hapura dhe vazhdojnë aktivitetin. Siç duket, “ustallarët” u kanë sugjeruar si mund të bëhet kjo, pa u mbyllur, jo 30 ditë, por asnjë ditë! Në këto rrethana, ja vlen më mirë një propozim ligjor, i ndryshëm nga ai në fuqi, me një ndëshkim me gjobë të arsyeshme.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin