Inxhinieria e Ndërmarrjeve

Inxhinieria e Ndërmarrjeve
1 Gazeta T&I Durrës Nr 26

Me interesimin për dixhitalizimin e biznesit, i kërkuam një parashtrim zotit Petraq Papajorgji, Profesor i IT pranë Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë. Me një gjuhë të kuptueshme për drejtuesit e bizneseve, ai shprehet si në vijim:

“Mjedisi në të cilin operojnë bizneset e sotme është një mjedis që ndryshon me shpejtësi të madhe. Gati në cdo 5-7 vjet ka një teknologji të re që shfaqet në horizont dhe ndërmarjet janë në dilemën Shekspiriane: të përdorin apo jo këtë teknologji të re. Teknologjitë e reja si Interneti, GPS, sistemet mobile, etj, kanë një efekt shumë të rëndësishëm në mënyrën se si projektohen dhe menaxhohen ndërmarjet e sotme. Vihet re një rritje e konsiderueshme e nivelit të komunikimit midis bizneseve nëpër botë. Ndërsa ndër-komunikimi midis sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe vendeve të ndryshme nëpër botë është gjithmonë në rritje, problemi i gjetjes së një qasjeje që na ndihmon të kuptojmë botën komplekse të ndërmarrjeve moderne është një problem i shtruar për zgjidhje.

Përdorimi i teknologjive të reja kërkon investime të rëndësishme. Së pari, burimet njerëzore të ndërmarjeve duhet të jenë në kontakt të vazhdueshëm me zhvillimet e reja, pasi aplikimi i tyre përkthehet në progres teknologjik, rritje të efikasitetit të operimit të ndërmarrjes dhe për pasojë rritjen e të ardhurave të ndërmarrjes. Injorimi i progresit teknologjik ka pasoja të mëdha në jetëgjatësinë dhe efikasitetin e funksionimit të ndërmarrjeve. Së pari, një ndërmarrje e tillë humbet avantazhin teknologjik dhe konsiderohet si e prapambetur; humbet shanset për të rritur efikasitetin e veprimtarisë ekonomike. Pra, mund të themi se përqafimi i teknologjisë nga ndërmarrjet e vogla apo të mëdha është i domosdoshëm.

Roli i madh i teknologjisë së informacionit në operimin e ndërmarrjeve të sotme shtron problemin e gjetjes së një qasje inxhinierike të projektimit, implementimit dhe operimit të ndërmarrjeve. Ky problem ka qenë në qendër të vëmendjes shkencore të studjuesve për disa kohë. Të shumtë janë studjuesit që përqafojnë idenë se qasja ”Analiza e Sistemeve (System Analysis)” mund të përdoret me sukses në këtë fushë. Si rezultat i përdorimit të shumë parimeve dhe teknikave inxhinierike në projektimin dhe menaxhimin e ndërmarrjeve, ka lindur një term i ri që quhet Inxhinieria e Ndërmarrjeve. Kjo inxhinieri paraqet tërësinë e dijeve, parimet dhe praktikat që kanë të bëjnë me projektimin, implementimin dhe operimin e ndërmarrjeve. Disiplina e re e Inxhinierisë së Ndërmarrjeve është një mjet i rëndësishëm që shtyn para këtë temë si nga ana teorike ashtu edhe nga ajo praktike.

Meqenëse roli i teknologjisë në funksionimin e ndërmarrjeve sot është thelbësor, drejtuesit e ndërmarrjeve duhet të konsiderojnë seriozisht bashkërendimin e strategjive të biznesit me atë të teknologjisë. Shumë studjues shtrojnë me të drejtë problemin e studimit të këtyre problemeve që në auditorët e universiteteve. Duhet theksuar se, praktikisht trajtimi i këtyre problemeve në universitetet tona është shumë i pakët dhe ende i përciptë.

Në thelb të qasjes së Inxhinierisë së Ndërmarrjes është parimi i njohur në politikë si “Përça e Sundo”. Ky parim i aplikuar në inxhinierinë e ndërmarrjes do të thotë që një sistem kompleks duhet të ndahet në nënsisteme më të vegjël e për pasojë edhe më të thjeshtë për t’u zgjidhur. Nënsistemet duhet të komunikojnë midis tyre me anë të ndërfaqeve. Një ndërfaqe paraqet funksionet e ofruara nga nënsistemi, me qëllim që të njihen e të përdoren nga nënsistemet e tjera.

Mund të sjellim si shembull që një biznes mund të konsiderohet si tërësia e nënsistemeve të financës dhe kontabilitetit, shitjeve dhe marketingut, sektorit të prodhimit dhe burimeve njerëzore. Një nga avantazhet e kësaj qasjeje është fakti që nënsistemet mund të implementohen veçmas dhe nga ekipe të ndryshëm e të vendosen sëbashku vetëm në fund të proçesit.

Një nga fazat më të rëndësishme të projektimit të ndërmarrjes është ai i përcaktimit të funksioneve që do të kryejë ndërmarja; proçes ky që kryhet në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e biznesit. Një metodë mjaft e suksesshme në fushën e inxhinierisë së softuerit, që mund të përdoret për këtë qëllim, është ajo që quhet ndërtimi i modelit të rasteve të përdorimit (use case model). Me anë të këtij modeli shprehen në mënyrë visuale tërësia e aktorëve (përdoruesëve të sistemit) si dhe funksionet që këta aktorë do të përdorin. Pra kemi një proçes të lidhjes së aktorëve me funksionet që këta do të përdorin në sistem. Është e rëndësishme të theksojmë se në këtë fazë paraqiten vetëm funksionet që do të kryejnë aktorët, pa kaluar në detajet e implementimit të këtyre funksioneve. Si shembull, mund të përmendim rastin e projektimit të një universiteti të ri. Aktorët e këtij sistemi janë studentët, instruktorët, nëpunësit e administratës (të financës, zyrës së pranimeve, bibliotekës, etj). Funksionet që do të kryejnë aktorët janë zgjedhja e kurseve për studentet, përdorimi i bibliotekës nga studentët, përditësimi i të dhënave personale nga studentë e pedagogë, pagesat e ndryshme për shërbimet e ofruara, etj.

Pasi janë ndërtuar funksionet që do të kryhen si dhe aktorët përkatës, është e rëndësishme të përcaktohet modeli i proçeseve si dhe rendi, në të cilin proçeset do të performohen. Ky model synon të paraqesë me një shkallë të lartë abstragimi aktivitetin operacional si dhe pikat e vendim-marrjes në një biznes të caktuar. Proçeset në një biznes konsiderohen si organizim logjik i burimeve njerëzore, lëndës së parë, energjisë, paisjeve dhe të proçedurave që realizojnë produktin e gatshëm. Përcaktimi me saktësi i proçeseve është shumë i rëndësishëm, sepse ka të bëjë me saktësimin e aktiviteteve operacionale dhe të pikave të vendim marrjes në biznes.

Një ndihmë të madhe në këtë drejtim ka dhënë Object Management Group (OMG), një konsorcium ndërkombëtar që ka për qëllim standartizimin dhe kooperimin ndërmjet sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. OMG ka paraqitur një gjuhë modelimi që quhet shkurt BPMN (Business Process Management) për t’u përdorur për qëllime modelimi. Specifikimet e BPMN përshkruajnë një gjuhë modelimi grafike me qëllim që të ndërtohen ato që quhen diagrama të proçeseve të biznesit (Business Process Diagram). Kjo gjuhë modelimi është e thjeshtë, intuitive dhe përkon me gjuhën e biznesit të përdorur në çdo biznes, panvarësisht nga natyra e biznesit. Këto karakteristika të vyera të kësaj gjuhe modelimi kanë një vlerë të madhe në procesin e komunikimit ndërmjet grupit të biznesit dhe përdoruesve të thjeshtë të sistemit. Përdorimi i kësaj gjuhe modelimi bën të mundur një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet anëve të ndryshme të ndërmarrjes, me qëllim përcaktimin e saktë si të funksioneve, ashtu edhe të detajimit të funksioneve. Gjithashtu BPMN lejon edhe përcaktimin e saktë të rregullave të biznesit (business rules) që drejtojnë proçesin e prodhimit.

Është për t’u theksuar se gjatë kësaj analize bëhet edhe klasifikimi i proçeseve që kryhen në mënyrë sekuenciale dhe atyre që mund të kryhen në mënyrë paralele. Si shembull mund të përmendim se sektori i marketingut mund të bëhet i pavarur dhe në paralel me procesin e regjistrimit të studenteve. Përdorimi i BPMN lejon që çdo proçes të vlerësohet saktë edhe për sa i përket kohës së ekzekutimit. Kjo bën të mundur vlerësimin e saktë të kohës për ekzekutimin e tërë linjës së prodhimit dhe gjithashtu bën të mundur zbulimin e proceseve, në të cilët janë atashuar një numër më i madh burimesh njerëzore seç duhet dhe listën e proceseve, për të cilat janë angazhuar një numër i pa mjaftueshëm burimesh njerëzore. Është e rëndësishme të theksojmë se këto simulime e analiza të detajuara bëhen para se të ndërtohet praktikisht biznesi.

I rëndësishëm është edhe numri i konsiderueshëm i softuerëve të bazuar në BPMN, që mund të përdoren edhe falas për të ilustruar idenë e projektimit dhe simulimit të funksionimit të një biznesi. Përdorimi i BPMN detyron bizneset të analizojnë me kujdes të gjithë proceset e prodhimit, me qëllim që të arrihen prodhime me kosto minimale e përfitim maksimal.

Si përfundim mund të themi se avancimet në fushën e teknologjisë së informacionit kanë krijuar një mjedis të favorshëm për projektimin dhe implementimin e bizneseve. Praktikisht, ekzistojnë mjaft mjete praktike dhe teorike që ndihmojnë së tepërmi në procesin e projektimit dhe manaxhimit të bizneseve.