Dhoma me sipërmarrësit e huaj

Dhoma me sipërmarrësit e  huaj
2 Gazeta T&I Durrës Nr 21

Muaji shkurt i krijoi mundësi të mira Dhomës për të realizuar misionin e saj kryesor, promovimin e territorit të Qarkut Durrës, të burimeve ekonomike dhe njerëzore dhe sigurisht të sipërmarrjes operuese në rajonin tonë, por edhe më gjerë. Rasti e solli që gjatë këtij muaji të shpreheshin të përqëndruara interesime të investitorëve të huaj për Shqipërinë dhe rajonin e Durrësit. Ishin grupe të ardhura nga Italia, Republika Çeke dhe Britania e Madhe, në takimet me të cilat morën pjesë disa përfaqësues të Asamblesë së Dhomës.

∙ Takimi më i madh ka qenë, sigurisht, “Misioni Italian i Biznesit në Shqipëri”, i organizuar më 19 shkurt, në Tiranë. Ky mision u nderua nga pjesmarrja e përfaqësuesve të nivelit më të lartë nga të dypalët. Kryeministri Rama, ministrat Ahmetaj, Gjiknuri dhe Qato, kryebashkiaku i Tiranë Veliaj dhe mjaft funksionarë të lartë bënë ndërhyrjet e tyre në emër të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, shteti italian u presantua me ndërhyrjet e ambasadorit Cutillo, zv/ministrit Scalfarotto, Presidentit të Confindustria Boccia, Presidentit të ICE, Scannavini dhe të disa përfaqësuesve të organizatave apo sipërmarrjeve italiane. Interesimi i biznesit të huaj u shpreh nga prezenca e rreth 250 investitorëve italianë, si dhe nga pjesmarrja aktive e biznesit kosovar dhe maqedonas, të përfaqësuar përkatësisht nga KIESA dhe InvestMacedonia.

Për sistemin e Dhomave të Tregtisë në Shqipëri pati një vlerësim të veçantë nga vetë presidenca e ICE, e cila i besoi moderimin e panelit kryesor zonjës Ines Muçostepa, si dhe moderimin e dy tryezave, asaj të infrastrukturës dhe asaj të bujqësisë, përkatësisht zotërinjve Nikolin Jaka dhe Andrea Xhavara. Misioni u plotësua me vizita në portin e Durrësit si dhe në disa biznese.

∙ Një takim mjaft interesant u zhvillua në sallën e Bashkisë Durrës me një delegacion biznesi çek, të organizuar në bashkëpunim me ambasadën çeke në Shqipëri. Delegacioni çek kryesohej nga Presidenti i Senatit të Republikës Çeke, zoti Milan Stech, i shoqëruar nga zv/ministri i industrisë dhe tregtisë, zotiVladimir Bartl. Grupi i rreth 20 bizneseve çeke kryesohesh nga zoti Stanislav Kazecky, zv/president i Czech Republic Confindustry . Promovimi i bashkisë Durrës u bë me dy prezantime, njëri nga stafi i bashkisë dhe tjetri nga Dhoma, i titulluar “Durrës – Albania, a great business choice. Ky material i fundit, me përmbajtje mjaft oportunitete biznesi në Shqipëri dhe në rajonin e Durrësit, iu shpërnda të gjithë bizneseve çeke. Disa takime b2b, vizita në port dhe në amfiteatër plotësuan këtë vizitë njohëse të bizneseve çeke në Durrës

∙ Takimi me përfaqësuesit e parlamentit britanik u zhvillua në Tiranë. Grupi i deputetëve anglezë, me përfaqësues nga Dhoma eUlët dhe nga Dhoma e Lordëve vinin për herë të parë në Shqipëri. Interesat e tyre ishin për fusha të ndryshme, sidomos për energjinë, transportin dhe bujqësinë. Për këtë të fundit ata u informuan nga përfaqësuesja e KASH, znj. Enida Shena, e cila theksoi problemin e pronësië mbi tokën dhe fragmentizimin e saj. Nevoja e mekanizimit të bujqësisë dhe pregatitja e fermerëve të rinj, sipas interpetimit të zotit Xhavara, u kujtoi deputeteve britanikë që në këtë nivel ishte Anglia deri në vitet 70’ të shekullit të kaluar. Prandaj ata e konsideruan mjaft me vlerë informimin e parlamentit të tyre për këto aspekte, me qëllim të ofrohet asistencë në këtë drejtim për bujqësinë shqiptare në një të ardhme shumë të afërt.