Agroturizëm, “Pema e Jetës”

Agroturizëm, “Pema e Jetës”
2 Gazeta T&I Durrës Nr 21

Firma “BUNA” sh.p.k. ushtron prej 20 vjetësh aktivitetin e saj prodhues e tregtar në Shkozet, Durrës. Me sukses në tregun shqiptar e rajonal, ajo është përqëndruar në fushën e pajisjeve me orendi për mobilim institucionesh publike apo private, si dhe ato spitalore apo të burgimit e paraburgimit, por edhe të hoteleve, zyrave apo shtëpive.

“Me dëshirën për të zgjeruar aktivitetin në një fushë të re, me sa duket me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, si një nga prioritetet kryesore në programin e Qeverisë Rama, atë të turizmit, vendosëm  të investojmë dhe realizuam  një fermë Bio-Organike që do të shërbejë edhe si bazë për ngritjen e një aktiviteti turistik, pra një AGROTURIZËM”, shpjegon zoti Artur Bujari, administratori i firmës.

Ferma Bio-Organike “Pema e Jetës” ndodhet në zonën e fshatit Shkallnuer, e cila është një zonë e ulët kodrinore, jo më shumë se 5 km në vijë ajrore larg bregut të detit Adriatik dhe kryqëzimit  të Korridorit 8. Është lehtësisht e arritshme, vetëm 2 km rrugë e pashtruar nga rruga nacionale Stacioni Plepa, prej ku qyteti i Durrësit është vetëm 15 minuta larg, ndërsa Tirana vetëm 25 minuta.

Sipërfaqja ku është investuar është pllaja e një kodre me lartësi 150-180 m mbi nivelin e detit dhe në vazhdim një faqe kodre vetëm 1 km larg ujëmbledhësit të Shkallnurit.

Pamja që arrihet në 360 gradë është e papengesë dhe shtrihet deri në Shkodër në Veri, Veri-Lindje, mali i Dajtit në Jug-Lindje, gjiri i Spillesë në Jug-Perëndim, dhe komplet gjiri i Durrësit në Perëndim.

Më poshtë përshkruajmë shërbimet kryesore të kësaj ferme, ato që ofron aktualisht si dhe çfarë planifikohet të ofrojë në një të ardhme të afërt:

  • Mikpritje (hoteleri e restorant) tradicionale në mes të gjelberimit dhe qetësisë larg zhurmave dhe smogut të qytetit
  • Ushqim karakteristik të mbështetur vetëm në prodhimet e fermes bio organike, dhe recetave të thjeshta si të nënave e gjysheve tona
  • Oorganizimin e ekskursioneve dhe shëtitje hipur mbi kalë
  • Aktivitete kulturore e sportive të kohës së lirë, në bashkëpunim me specialistë të ndryshëm
  • Organizimi i kurseve artizanale në përpunimin e qumështit, brumrave, fruta e perime, rrushit, baltës e poçarisë, ullirit, dyllit e sapunëve e ndonjë tjetër
  • Organizimi i aktiviteteve për promovimin e produkteve të fermerëve e artizanëve vendas;
  • Dhënien me qera të ambjenteve për organizim e konferencave të ndryshme mbi zhvillimet në fushë e bujqësisë apo turizmit
  • Shitja e produkteve bujqësore
  • Shitja e punimeve artizanale
  • Organizimin e eskursioneve mësimore për nxënës të shkollave fillore e 9- vjeçare.

“Duke e mbështetur investimin bazë në fermën bio-organike me produkte vetëm tonat sezonale, por edhe nga sera, duke përpunuar në mënyrë sa më primitive (shtëpiake) këto produkte bujqësore e blegtorale, ne i ofrojmë turistit vendas e të huaj një lloj të veçantë pushimi aktiv në gjirin e natyrës, duke zgjeruar e promovuar traditat e zonës dhe ato shqiptare. Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të krijojmë mundësi të tilla, për të tërhequr turistin vendas si edhe atë të huaj që të njohin dhe shijojnë atë që fatmirësisht është akoma e paprekur nga ndotja apo globalizmi”. Kështu e përmbyll konceptin e tij të investimit zoti Bujari.

Sigurisht, ky vizion investimi mbi një fermë bio-organike paraqet një model të ri të zhvillimit rural. Dhoma shpreson që ajo të gjenerojë dhe rrezatojë zhvillim në fshatrat përreth, si furnitorë potencialë të saj, ku ata të shesin produktet e tyre të freskëta. Kontratat fermë – fermerë dhe zbatimi korrekt i tyre do të ishin baza e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe me interes dypalësh. Mbështetja me subvencione shtetërore e këtyre fermerëve do të ishte tepër e frytshme edhe për vetë bio-fermën.

Sa për investitorin Bujari, mund të thoshim se ai i takon shtresës se industrialistëve me nuhatje, sepse ka kuptuar perspektivën e agroturizmit në Shqipëri. Ndërkaq, emërtimi “Pema e jetës” do të simbolizonte më së miri të gjitha përpjekjet e tij për të lënë gjurmën e vet si një biznesmen shqiptar i suksesshëm.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin