Kreu i Dhomës së Tregtisë, Alban Isteri: Bizneset në Durrës kanë dhënë alarmin për mungesën e punonjësve

Përkeqësim i klimës së të bërit biznes. Konkluzioni del nga sondazhet e bëra nga Shoqata e Investitorëve të huaj (FIAA), sipas të cilave, biznesi vlerëson me 39 pikë performancën në 6-mujorin e parë, ku 0 pikë është performanca më e ulët dhe 100 pikë performanca më e lartë.

Nëse vitet e kaluara ishte korrupsioni që zinte vendin e parë, këtë herë monopoli dhe konkurenca e pandershme shihen nga bizneset si problematika kryesore që ndikon drejtpërdrejt në performancën dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre. Monopolet renditen të parët me 68 pikë, korrupsioni në vend të dytë vetëm me një pikë më pak, i pasuar nga burokracitë e qeverisë me 64 pikë dhe ekonomia informale me 61 pikë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, thotë se vitet e fundit ka ardhur duke u përkeqësuar klima e të bërit biznes në qytetin bregdetar, gjë që e ndjejnë jo vetëm bizneset lokale, por edhe ato të huaja.

“Investitorët duhet të kenë garanci të plota që janë në gjendje ta bëjnë këtë investim. Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht atë në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave”, deklaron Isteri lidhur me problematikat më të prekshme për investitorët e huaj që vijnë për të hapur një biznes në vendin tonë apo në Durrës.

Ndërsa ndalet në politikat fiskale të qeverisë për biznesin, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës nënvizon se ndryshimet e shpeshta të bëra në ligje e detyrojnë biznesin të mos ketë mundësi të hartojë plane deri 5-vjeçare për zhvillimin e tij.

“Ndryshimet e shpeshta të rregulloreve dhe ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime me komunitetin e biznesit. Pronarët e bizneseve dhe shoqatat e bizneseve shpesh theksojnë se nuk kanë marrë njoftim, kohë ose mundësi të mjaftueshme për angazhim në ndryshimet rregullatore dhe legjislative”,- nënvizon Isteri.

Në një kohë kur vendi ynë po zbrazet me ritme të frikshme nga fuqia punëtore dhe personeli i kualifikuar edhe Durrësi nuk i ka shpëtuar emigracionit masiv. Duke u ndalur tek sektorët e ekonomisë që garantojnë punësim masiv në qytetin bregdetar që janë turizmi, bujqësia dhe fasonët, Isteri deklaron se ato tashmë kanë dhënë alarmin për mungesën e fuqisë punëtore.

Shumë fasoneri në Durrës kanë nevojë urgjente për punonjës, pasi vetëm vitin e kaluar, dy nga kompanitë më të njohura që ushtrojnë aktivitetin në këtë fushë nuk arrinin të plotësonin rreth 400 vende të lira pune. Ndërsa kemi një rritje të numrit të kontratave që bizneset fasone lidhin me tregun e huaj dhe rritje të eksporteve nga ky sektor i ekonomisë, plotësimi i vakancave në biznese po bëhet një mision gjithnjë e më i vështirë.

Ndërsa një pjesë e të rinjve emigrojnë drejt vendeve të Evropës për shkak të krizës ekonomike në vend dhe pagave të ulta, për Alban Isterin fenomeni është edhe më shqetësues kur bëhet fjalë për emigrimin e trurit të shoqërisë, personave që edhe pse kanë paga të larta në nivelin 1000-1500 euro ikin në emigracion për një jetë më të mirë. Në të njëjtën kohë, po largohen sërish edhe emigrantët që rreth 8-9 vite më parë u rikthyen dhe hapën biznese këtu.

Të dhënat e fundit të INSTAT flasin për largimin jo vetëm të 20-vjeçarëve, por dhe atyre që sapo kanë krijuar familje apo kanë fëmijë të vegjël. Dhe ndërsa shifrat e të ikurve rriten vit pas viti, problem më vete mbetet grupmosha 15-29 vjeç, ku sipas shifrave zyrtare rreth 30 % e tyre nuk janë as në shkollë e as në punë.