Lajme shkurt

Lajme shkurt
3 Gazeta T&I Durrës Nr 18

Në Shqipëri mungojnë incentivat fiskale

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që “vuan “për incentiva në taksa, në funksion të rritjes së investimeve të huaja direkte. Një analizë e fundit e Konferences se Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Tregtisë dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, të titulluar “Vlerësimi i Politikave të Investimeve në Europën Juglindore“ jep disa detaje. Në seksionin që ndalet vetëm tek “Taksimi” thuhet se, në raport me vendet e tjera, ne kemi sistem taksash më penalizues. Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Republika e Moldavisë, Serbia, Maqedonia, Kosova të gjitha kanë ose një situatë mesatare ose më favorizuese sesa Shqipëria.
Tek treguesit e tjerë, ku meren parasysh kompleksiteti i sistemit, Shqipëria ka regjistruar një situatë positive, ashtu sikurse ka ndodhur me marrëveshjet e shmangies së tatimit të dyfishtë me vende të ndryshme. Vendet me situatën më pozitive janë Serbia dhe Maqedonia të cilat kanë në total nga pesë tregues, katër prej tyre në nivelin më të mirë. Më keq paraqitet Bosnje-Hercegovina.
Tendencat që janë shfaqur në tregje për përthithjen e investimeve tregojnë se Shqipëria ka konkurrencë agresive për aq kohë sa interesi ka qenë në industrinë automotive, e cila nuk ka preferuar vendin tonë. Në këtë kontekst, sektorët mbi të cilët mund të bazohet lufta e Shqipërisë janë turizmi, infrastruktura dhe energjia.

Shqipëria nën mesataren e rajonit
Shqipëria ka përfomuar nën mesataren e Rajonit dhe vendeve të tjera në tranzicion në gjashtë komponentët që vlerësojnë reformat për zhvillim sipas Raportit tëTranzicionit për 2017-2018 që publikoi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në një vlerësim nga 1 tek 10, ku nota më e lartë shpreh vlerësim të mire, Shqipëria ka marrë dobët në mirëqeverisjen. BERZH ka vlerësuar me rreth 4 pikë shërbimet e qeverisë. Ky vlerësim ishte poshtë mesatares së vendeve të Europës Juglindore si dhe mesatares se vendeve në Tranzicion.
Vendi ynë mori gjithashtu vlerësim të dobët edhe në politikat e konkurrencës së drejtë në tregje dhe në fleksibilitetin e reformave, duke u vlerësuar më pak se mesatarja pesë pikë.
Shqipëria ka marrë vlerësim më pak se 5 pikë, për reformat në çështjet e integrimit në BE, në mbrojtjen e klimës dhe gjithëpërfshirjes.
BERZH rekomandon që modeli i ri duhet të fokusohet në tri fusha kyçe: Përmirësimi i produktivitetit të kompanive, investimet në infrastrukturë dhe respektimi i mjedisit.
Raporti bën një sërë rekomandimesh politike dhe thotë se hartuesit e politikave duhet të përqendrohen në krijimin e një loje të njëtrajtshme, që ndihmon bizneset e reja inovative të rriten.
Afron fundi i “faljes” së detyrimeve të papaguara

Administrata Tatimore rikujton se data 31 dhjetor 2017 është afati i fundit i kryerjes së pagesave të detyrimit principal të papaguar. Në këtë mënyrë, këta tatimpagues mund të përfitojnë jo vetëm fshirjen e gjobave dhe interesave të regjistruara deri në datën e hyrjes së ligjit në fuqi, por njëkohësisht dhe heqjen e çdo mase administrative të ndërmarrë kundrejt tyre për mbledhjen e detyrimit me forcë.
Administrata Tatimore i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, të cilët kanë detyrime principali të papaguara për periudhën 2011-2014, të kryejnë sa më parë pagesën e këtij principali për të përfituar fshirjen/shuarjen e të gjithë detyrimeve të tjera për gjoba dhe interesa të papaguara.
Tatimet kujtojnë se tatimpaguesit mund të konsultohen me legjislacionin tatimor lidhur me detyrimet që përjashtohen nga falja në Udhëzimin e Ministrisë së Financave, i cili gjëndet i publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në rubrikën e Legjislacioni Tatimor.
Më herët tatimet njoftuan se ka vijuar proçesi i fshirjes automatike të detyrimeve për periudhën përpara vitit 2010 dhe atë 2011-2014, gjithashtu dhe fshirja e detyrimeve me kusht për periudhën 2011-2014, për ata tatimpagues që kanë paguar principalin.
Bankat tregtare po “lëvizin”
Bankat kanë shfaqur shenja gjallërimi në tremujorin e tretë të vitit. Huaja për ekonominë po i kthehet rritjes pas një stanjacioni prej dy vitesh. Kreditë me probleme po vijojnë rënien dhe fitimet janë trefishuar, teksa sistemi po lehtësohet nga barra e huave të këqija. Por, planet për shitje kanë lënë në pritje shumë prej tyre. Pasi ka kaluar pjesën e parë të vitit me rënie, sistemi bankar ka shfaqur shenja të dukshme gjallërimi në tremujorin e tretë të 2017-s. Ulja e kredive me probleme reduktoi shpenzimet për provigjionime, duke bërë që fitimet e bankave të përmirësohen.
Megjithatë, sistemi bankar është në një fazë të rëndësishme ristrukturimi. Shumë banka, sidomos ato greke, duan të dalin nga tregu dhe janë në proçes shitjeje, çka i bën që të mos jenë agresive në treg. Një tjetër tendencë që kanë raportuar bankat është financimi i bizneseve të mesme e të vogla dhe heqja dorë prej kompanive të mëdha, ku ekspozimi është më i lartë dhe si rrjedhojë, edhe risku i moskthimit është më i madh.
Banka e Shqipërisë ka raportuar se shpërndarja e kreditimit sipas sektorëve të ekonomisë tregon se bankat në tremujorin e tretë kanë rritur financimin e sektorit të ndërtimit, të shërbimeve dhe të bujqësisë. Norma vjetore e rritjes së kredisë për bizneset e ndërtimit u përshpejtua deri në 5.5%, krahasuar me 2.4% në tremujorin e dytë. Në të njëjtën linjë ishte dhe zgjerimi vjetor i portofolit të kredisë për sektorin e shërbimeve, i cili u rrit mesatarisht me 5.5%, përkundrejt 1.2% të shënuar një tremujor më parë.
Buxheti 2018, ja çfarë është miratuar
Mes debatesh është miratuar në mbrëmjen e 30 nëntorit nen për nen dhe në tërësi buxheti i vitit të ardhshëm. Amendamentet e opozitës që kërkonte ulje taksash, ku ndër të tjera përfshihej ulja e tatim fitimit në 9%, e TVSH-së në 15% dhe e tatimit mbi të ardhurat nuk janë pranuar.
Qeveria ka në plan që këtë vit të zgjerojë skemën e TVSH-së edhe tek biznesi i vogël në kufirin mbi 2 milionë lekë. Megjithatë, në buxhet, plani për TVSH-në mbetet në 9.1% të PBB-së, njësoj si në vitin 2017.
Qeveria ka bërë publik planin për të ndryshuar taksimin mbi pronën, nga fikse, në bazë të vlerës (0.05% për individët), Arkëtimi nga taksa e pronës pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë, në raport me pritshmëritë e 2017-s. Pra shqiptarët do të paguajnë rreth 60 milionë euro taksë për pronën, rreth 21 milionë euro më shumë se këtë vit.

Shqipëria dhe Bursa e Energjisë, si përcaktohen aksionerët
Ndryshimet në ligjin “Për sektorin e energjisë” që i hapin rrugë krijimit të Bursës së Energjisë, sjellin edhe ndryshime në përcaktimin se kush mund të bëhet aksioner në këtë sipërmarrje. Ashtu sikurse pritej, Bursa do të jetë nën menaxhimin e operatorit të tregut që në këtë rast është caktuar Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST). Në relacionin e projektligjit, të dorëzuar në parlament, saktësohet se cilat janë objektivat që synohen të arrihen përmes kësaj nisme. Po kështu, siç po ndodh rëndom së fundmi, Këshilli i Ministrave ka marrë sërish mbi vete disa attribute, që lidhen nga kushtet që duhet të plotësojnë aksionerët si dhe tek çdo element tjetër për krijimin e bursës.
Në projekt parashikohet krijimi i operatorit të tregut në formën e shoqërisë aksionare nga OST-ja, ose nga OST-ja dhe persona juridikë të tjerë. Ndërkohë që, krijimi, forma ligjore dhe struktura e pronësisë së kapitalit të operatorit të tregut do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për energjinë dhe ministrit që ushtron të drejtat e pronarit tek shoqëria “OST”, sh.a”, thuhet në relacion.
Nga ana tjetër për të gjithë ata që shfaqin interes për t’u bërë bashkëanksionerë kushti i vetëm i caktuar paraprakisht është që të jenë ndërkombëtare dhe me përvojën të gjatë në tregje. “Subjektet private që marrin pjesë në kapitalin aksionar të operatorit të tregut duhet të jenë subjekte me aktivitet ndërkombëtar, me reputacion të mirë dhe me përvojë të gjatë në operimin e tregjeve të ngjashëm të organizuara të energjisë në Evropë, të cilat operojnë në përputhje me modelin shqiptar të tregut si dhe me rregullat e tregut, dhe/ose subjekte me përvojë të gjatë në sektorin e energjisë elektrike, dhe/ose institucione financiare ndërkombëtare” vijon relacioni.
Nga ngritja e një platforme elektronike për energjinë e përmbledhur nën emërtimin Albanian Power Exchange synohet të përmirësohet shfrytëzimi i sistemit total të prodhimit dhe të transmetimit, optimizimi dhe përdorimi i kapaciteteve transmetuese ndërkufitare dhe rritja e sigurisë së furnizimit. Po ashtu garantohet akses në treg për konsumatorët dhe më pas përmirësohet klima e investimeve për projektet e reja të energjisë si dhe rritet transparenca dhe disiplina financiare në tregtimin e energjisë.