Mbështetja e vërtetë për bujqësinë biologjike

Mbështetja e vërtetë për bujqësinë  biologjike
2 Gazeta T&I Durrës Nr 18

Edhe një herë në intervistë me Prof. Ass. Dr. Enver Isufi, si e gjykon ai mbështetjen financiare të shtetit ndaj bujqësisë biologjike. Me fjalë të kuptueshme për të gjithë, ai shpjegon:
“Ç´është bujqësia biologjike dhe ku ndryshon ajo nga sistemet e tjera të bujqësisë?
“Bujqësia biologjike është ai sistem bujqësie, i cili përdor inpute (plehra, produkte të mbrojtjes së bimëve dhe farëra ) të padëmshme për shëndetin e njerzëve  dhe mjedisin”.
Si ta dijë konsumatori se këto inpute janë të parrezikëshme?
Standarti i bujqësisë biologjike përdor plehra, produkte të mbrojtjes së bimëve, të cilat janë në listën e inputeve që shkenca i ka vërtetuar se nuk kanë ndikime negative në shëndetin e njerzëve, mjedisin, tokën, ujin, larminë biologjike, etj. Bujqësia biologjike është e rregulluar me ligj. Ligji i ri i bujqësisë biologjike u miratua nga Parlamenti shqiptar në Tetor, 2016. Janë përgatitur edhe VKM-të e zbatimit në praktikë të këtij ligji që priten të miratohen nga Qeveria tremujorin e parë të vitit 2018. Produktet biologjike çertifikohen nga trupa të pavarua çertifikimi. Këto dhe të tjera masa janë garanci për konsumatorin”. Më tej, zoti Isufi hap horizontin, si në vijim
Si paraqitet bujqësia biologjike në botë, Europë, Ballkan dhe  në Shqipëri ?
Në botë, sipërfaqia e menaxhuar me praktikat e bujqësisë biologjike arrin  41 milion ha (të dhënat 2016) Në Europë, bujqësia bio zë nga 5-20 % të sipërfaqes së përgjithëshme bujqësore, me një mesatare  në vendet e BE-s rreth 10%. Sipërfaqia dhe biznesi bio rriten çdo vit. Në Ballkan, më mirë është Kroacia, ku sipërfaqia e menaxhuar me metoda biologjike zë rreth 3 % të sipërfaqes së përgjithësme bujqësore. Ajo pasohet nga Serbia me 1 %, Maqedonia në 0,5 %, Ndërsa, në Shqipëri, Mali Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë sipërfaqet bio zënë nën 0,5 % të sipërfaqes përgjithëshme bujqësore. Shqipëria eksporton vaj ulliri, erëza të freskëta guzhine, bimë mjeksore dhe gështenja .Këto prodhime tona bio mirëpriten nga konsumatori europian, por sasia në volum dhe llojëshmëri është ende shumë e vogël. Në të gjitha vendet e Europës dhe Ballkanit bujqësia biologjike mbështetet financiarisht ng shtetet përkatëse.
Pse duhet mbështetur financiarisht bujqësia  biologjike?
Me këtë mbështetje, Qeveria u tregon si me shigjetë prodhuesve, përpunuesve dhe konsumatorëve drejtimin e së ardhmes së bujqësisë dhe ushqimit të shëndetëshëm. Sasia e investimeve në formë subvencionesh që jep shteti për bujqësinë konvencionale varet nga forca  e buxhetit. Por, me sasinë e financimeve për bujqësinë biologjike shteti demonstron konceptin që ai ka për shëndetin dhe mjedisin e së ardhmes. Investimet në bujqësinë e pastër janë kursim në mjeksinë e popullatës, sepse ushqimi i shëndetshëm është parakusht për një popullsi të shëndetëshme. Kjo mbështetje ka vlera ekonomike, edhe pse i jep shanse fermerëve në treg. Ka vlera ekologjike/mjedisore, sepse përdor inpute të kontrolluara dhe të lejuara, të cilat nuk kanë ndikime anësore negative në mjedis. Ka vlera  sociale, sepse zgjeron vendet e punës, përmirson shëndetin e njerzëve, nxit edukimin mjedisor, përdor më mirë burimet njerëzore, hap biznese të reja, sidomos në përpunim dhe marketingun e produkteve biologjike, etj.
Bujqësia bio ka nevojë për trajnim dhe çertifikim. Këto shërbime janë kosto shtesë që shteti lipset t’i  kompensojë. Në fillesat e veta prodhimi bio është pak më i ulët dhe për këtë kërkohet një kompensim  nga shteti në emër të cilësisë së tij më të mire. Duhet përmendur se fermeri në treg jo gjithmonë e merr këtë vlerë nga konsumatori. Produktet bio po shiten shpesh me çmimet e produkteve të zakonshme. Shpesh bujqësia bio ka edhe punë dore, sepse mekanizimi është ende i ulët si në rastin e pastrimit të barërave të egra nga fushat e prodhimit, dhe kjo rrit koston  e prodhimit.
Cilat janë hapat që kalon prodhimi biologjik, nga regjitrimi i fermave e deri të çertifikimi i  produkteve biologjike? Brenda sezonit bujqësor kalohen këto faza  me hapat përkatëse:
Faza  e parë: Regjistrimi i fermave që do kalojnë në ferma bio.
Hapi i parë: Fermeri dorëzon kërkesën tek zyra e Shërbimit Këshillimor në zonën përkatëse. Me një formular të thjeshtë, ai shpreh dëshirën se njesinë e tij do ta kthejë në njesi të prodhimit ose përpunimit të produkteve biologjike.
Hapi dytë: Specialisti i Shërbimit Këshillimor, vetëm ose në bashkëpunim me një ekspert më kompetent në bujqësinë bio, e viziton njësinë për të vlerësuar pikat e dobëta  që mund të rrezikojnë çertifikimin bio.
Faza e dytë: Zbatimi i standardit në nivel ferme. Nëse ferma pas vizitës së mësipërmve për vlerësimit e rrezikut i plotëson kushtet për të nisur zbatimin e standartit bio, fermerit i ofrohen trajnimet e duhura, literatura, pikat kryesore të standartit, që ai të jetë i qartë për cilësinë e ujit, llojet e plehrave  dhe pesticideve dhe farërave të lejuara në prodhimin bio etj. Pra fillon edukimi professional i operatorëve.
Hapi i tretë: Pas disa javëve ose muajve (kjo lidhet me llojin e bimëve dhe periudhën bimore) thirret trupa e çertifikimit, e cila sjell inspektorin që të kontrollojë sipas metodikës të gjitha hapat e prodhimit. Paraprakisht, fermeri bisedon vlerën e shërbimit të çertifikimit. Kur ka disa trupa çertifikimi, fermeri zakonisht zgjedh atë trupë çertifikimi që ka çmime më të ulta të këtij shërbimi. Fermeri, paraprakisht duhet të marë informacion edhe për korrektësinë  dhe opinionin që ka trupa e çertifikimit. Kjo rrit besueshmërinë e produktit tek konsumatori. Dokumentat e inspektimit i shqyrton eksperti i çertifikimit, i cili është pjesë e stafit të trupës së çertifikimit, por që i njeh më në detaje kërkesat e standartit. Kur çertifikuesi nuk gjen shkelje në zbatimin e standartit bio, atëhere ai pas disa  ditëve përgatit çertifikatën dhe ja dërgon fermerit. Mëpas zoti Isufi kalon në thelbin e çështjes:
“Cilat kanë qenë skemat mbështetëse nga shteti për bujqësinë  biologjike, nga viti në vit?

  • Filluan në vitin 2008, me 6000 lekë për fermë të çertifikuar
  • Në vitin 2011, kjo kuotë u rrit në 70.000 lekë për fermë të çertifikuar
  • Në vitin 2017 kjo kuatë u trefishua në 200.000 lekë për fermë të çertifikuar.

Si është zbatuar në praktikë kjo skemë mbështetje?
Duhet thënë se që nga viti 2011 e deri vitin në vazhdim skema nuk është zbatuar për shumicën e fermave. Kjo situatë është justifikuar se nuk ka pasur aplikime, por shkaku i vërtetë pse nuk ka pasur aplikime është pikërisht humbja e besueshmërisë për marjen e subvencioneve. Shumë ferma kanë paguar koston e çertifikimit, por nuk kanë përfituar për këtë vlerë të shtuar të produkteve. Kjo ka dëmtuar vullnetin e fermave të reja për t’u regjistruar dhe ka nxitur fermat e vjetra të çrregjistrohen dhe të vazhdojnë përsëri bujqësinë  e zakonshme.
Si mund të ishte një skemë mbështetëse nxitëse nga shteti që do të trefishonte prodhimet biologjike?
Le të mbështeten për vitin 2018 vetëm rreth 130 ferma dhe përpunues  me mesatarisnt  150.000 lekë për fermë ose fabrikë përpunimi të çertifikuar. Mendojmë se kuota e mbështetjes të mos jetë e njejtë për të gjitha fermat ashtu si sot (200 mijë lekë për fermë) por të jetë sipas statusit të fermës,madhësisë dhe llojeve të produkteve, kjo  si më poshtë :

  • Fermat e çertifikuara bio me status në “kalim viti i parë“ të mbështeten me shumën 100 mijë lekë
  • Fermat e çertifikuara bio në “kalim viti dytë” të mbështeten me shumën me 150.mijë lekë
  • Fermat e çertifikuara bio në vitin e tretë të mbështen me 200 mijë lekë për fermë të çertifikuar, sepse vitin e tretë produkti është “bio i plotë“
  • Fermat e mëdha, me mbi 5 ha dhe me status Bio e plotë të mbështeten me 250.000 lekë
  • Sipërfaqia e fermës mund të jetë më e madhe, por njëra nga bimët të jetë mbjellë në një sipërfaqe 0,5 ha e sipër, sepse kështu fermeri të paktën me një produkt ka mundësi të dali në treg. Me sipërfaqe nën 0,5 ha mund të pranoheshin bimët ende të rralla si kivi, mendra, argjinari, asparagus, xinxifer, finok, lukleshtrydhe, e të tjera produkte që do të gjykohen si produkte të pakta në treg dhe që duhen stimuluar të shtohen në zonat përkatëse.
  • Një kuotë me rreth 350.000 lekë të parashikohesh për kërkimet në fermë, prognozë-sinjalizimin, trajnimet dhe këshillimin si dhe për botimet në bujqësinë bio dhe për panairet bio.
  • Pra me një mbështetje me rreth 25 milion lekë do të bëhej e mundur trefishimi i produkteve biologjike për tregun e brendëshëm dhe për eksport

Shpesh shtrohet pyetja, pse kërkohet një periudhë trevjeçare nga bujqësia e zakonshme deri në bujqësinë biologjike?
Është pranuar kështu, sepse gjatë kësaj periudhe toka është pastruar nga mbetjet kimike (plehra dhe produktet e mbrojtjes së bimëve) të bujqësisë konvencionale që është zbatuar para fillimit procedurës së çertifikimit. Kjo periudhë është garanci për konsumatorin. Periudha mund të shkurtohet në dy vjet, kur parcela prej shumë vitesh nuk është kultivuar dhe nuk trashëgon mbetje kimike. Kjo do të kërkonte  garanci nga një agronom i zonës ose me analiza toke.
Periudha e aplikimit për regjistrim sa e gjatë duhet të jetë?
Për pemët, vreshtat, ullishtet, agrumishtet dhe fabrikat e përpunimit, afati i regjistrimit mund të jetë i shkurtër brenda kohës për produktet e tjera, por kur fermeri do të mbjellë  edhe bimë të dyta, ai ose duhet ti parashikojë qysh në aplikim ose periudha e aplikimit të zgjatet. Kjo sepse ai nuk i parashikon dot qysh në pranverë bimët e dyta  që do të mbjellë ( si lakër, lulelakër, brokul, presh, spinaq  etj)
Në mbyllje, nga Prof. Ass. Dr. Enver Isufi do të kishim:
“Me çfarë logo  bio do të dali fermeri në treg? Fermeri ka nevoje për logon bio vetëm vitin e tretë. Mungesa e logos nuk e pengon atë të regjistrohet për ta kaluar fermën e tij në fermë biologjike. Ka dy mundësi, ose me logon kombëtare bio, e cila mendohet të dizenjohet e miratohet brenda Qershorit 2018, ose të përdoren logot private që janë të regjistruara. Ndonëse fermeri fillon të mbështetet nga shteti qysh në vitin e parë kur fillon kalimin në bio, ai del në treg në vitin e tretë, kur prodhimi është plotësisht bio. Kjo mbështetet edhe nga ligji i ri shqiptar për bujqësinë biologjike. Mbështeja financiare bëhet edhe për të mos demotivuar fermerët e vitit të parë dhe të dytë në kalim drejt prodhimit biologjik”.