Energjia elektrike për bizneset

Energjia elektrike për bizneset
1 Gazeta T&I Durrës Nr 18

Qeveria duket se është duke punuar “me dy turne” për të siguruar liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, për të gjithë ata konsumatorë të mëdhenj që aktualisht furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt. Ndërkaq, Qeveria dhe OSHEE kanë lajmëruar më shumë se 70 subjekte që të marrin masa për të gjetur në treg energjinë elekterike pë bizneset e tyre, duke filluar që nga data 1 Nëntor. Enti Rregullator i Energjisë ka “nxituar” të miratojë edhe metodologjinë e caktimit të çmimeve dhe tarifave “të mundësisë së fundit”. Termi i fundit, ende jo i njohur në detaje nga bizneset, ka të bëjë me një çmim të ri, më të lartë të energjisë, për të gjithë ata konsumatorë të tensionit 35 kilovolt, që deri në datën 1 janar 2018 nuk do të kenë mundësi të lidhin kontrata me ofrues privatë të energjisë në këtë nivel tensioni.
Qeveria thotë se “ligji i energjisë lë hapësirë për klientët që nuk sigurojnë një kontratë furnizimi nga një operator i pavarur, që, në çdo rast, të bëhet i mundur furnizimi  i tyre nga ana e OSHEE-së, në cilësinë e mundësisë së fundit për dy muaj”. Për të garantuar këtë proçes ka një sërë aktesh rregullatore, që lidhen me përcaktimin e furnizuesit, tarifës, jo si furnizim universal, por si mundësi e fundit.
Qeveria nuk “harron të saktësojë se “duhet të kemi parasysh që furnizuesi universal ka tarifë tjetër dhe ai i mundësisë së fundit tjetër më të lartë, që reflekton kostot reale, sepse njoftimi bëhet në momentin e fundit”. Pavarësisht këtyre deklarimeve publike të autoriteteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe takimeve me grupe të caktuara të interesit, pjesa më e madhe e subjekteve të kësaj kategorie ende nuk e kanë të qartë mënyrën e furnizimit me energji elektrike, duke filluar nga data 1 Janar 2018.
Ministria thotë se nuk do të ketë asnjë shtyrje afati, ndërsa shton se nga kontaktet me sipërmarrjet janë identifikuar paqartësi ligjore për mënyrën sesi do të operohet. Me kë do kenë ata marrëdhënie? Në mënyrë konceptuale, për çfarë do të shërbejë shpërndarja, sepse marrëdhënia do të jetë vetëm me shpërndarjen, pas ndarjes së OSHEE, sikurse parashikon kuadri ligjor? Një tjetër element që ende nuk kuptohet qartë ka të bëjë me njohjen e proçesit të kontraktimit të energjisë. Sipërmarrjet ende nuk e kanë të qartë si funksionon kontraktimi.
Biznesi duhet të dalë nga furnizimi përmes OSHEE në 1 Janar 2018, ndërsa hapi i tij i radhës duhet të jetë kontakti me tregtarët e licencuar nga ana e Entit Rregullator të Energjisë. Ky ent ka edhe regjistrin, ashtu sikurse i njëjti informacion mund t’i kërkohet edhe OSHEE-së. Në treg janë rreth 90 tregtarë të licensuar dhe biznesi i lidhur në 35 kilovolt mund të marrë disa oferta nga secili prej tyre si dhe të lidhë një kontratë të arsyeshme, argumentojnë zyrtarët përkatës.
Tregtari është ai që ble energjinë, qoftë nga prodhues në vend, qoftë nga të huaj dhe ia kalon këtë biznesit. Kjo është një mundësi shumë e mirë për prodhuesit me përparësi, pasi, nëse arrijnë të lidhin kontrata afatgjata, kanë hapësira për të siguruar të ardhura të qëndrueshme.
Sipas të dhënat tona, kategoria e bizneseve të lidhura në 35 kilovolt shënon të regjistruar të paktën 75 subjekte. Klientë të lidhur në 20 kilovolt janë rreth 1100 dhe të lidhur në 10 dhe 6 kilovolt së bashku janë të paktën 6600. Liberalzimi i furnizimit të tyre do të fillojë duke nisur nga fundi i vitit 2018, pas përcaktimit teknik të sistemit të matjes online të energjisë elektrike nga OSHEE.

Vitin e kaluar, Dhoma ka ndjekur me shumë vëmendje proçesin e përcaktimit të çmimit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët. Pas një seminari sqarues mbi çështjet  kryesore të kuadrit ligjor të furnizimit me energji si dhe metodikës së caktimit të çmimeve nga ERE, Dhoma i drejtoi këtij institucioni si dhe Qeverisë një letër me një listë kërkesash. Thelbi i tyre mund të përmblidhej kërkesën tepër të argumentuar që çmimi i energjisë vetëm mund të ulej! E quajmë me vend që të citojmë letrën e dytë që Dhoma ka drejtuar tek ERE, me përmbajtjen e mëposhtme:
a) Borxhi i “keq” është vërtetë i keq, sepse konsumatorët e rregullt duhet të paguajnë edhe për ata që nuk paguajnë. Ndonëse të identifikuar, sepse kanë marrë edhe faturën, pagesa për ta e rrit faturën e konsumatorëve të rregullt, mesatarisht 10%. Por, këto pagesa të padrejta me vite e vite që zbatohen, nuk ndodhin në asnjë vend demokratik. Duhet një VKM apo ndoshta një ligj i posaçëm që të vendosë zbritjen e të gjitha këtyre ngarkesave nga faturat e ardhshme të konsumatorëve të rregullt!
b) Të tre operatorët përfshijnë në të ardhurat e kërkuara Fitimin ose Tatimin mbi fitimin, në kundërshtim si me ligjin e kontabilitetit, ashtu edhe me Nenin 21 të Ligjit 43/2015, sepse ato nuk janë kosto operative. Mosnjohja e tyre si kosto do ta ulte çmimim e energjisë mesatarisht me 8%.
c) Fatura e FSHU e vlerëson të gjithë produktin deri tek subjekti me 7 lekë/këh dhe vetëm lëshimin e faturës me 7 lekë/këh të tjera. Llogaritë e rregullta për FSHU do të nxirrnin që çmimi i energjisë mund të ulej edhe 3 – 4 lekë/këh të tjera!
d) Ndërsubvencionimi: në një pallat me nivel tensioni 0.4 kv, bizneset paguajnë 14 lekë/këh, ndërsa familjet 9.5 lekë/këh. Duhet një akt ligjor që të vendoste që bizneset të paguajnë një pjesë të energjisë për familjet, sepse kemi një dënim në para për bizneset që punësojnë njerëzit. Ndryshe duhet bërë një ballancim i ri për çmimet e subjekteve familje dhe jo familje.
Megjithëkëtë, ERE nuk vendosi t’i ulte çmimet për nivel tensioni, por t’i linte ato të pandryshuara. Çfarë do të vendosë ERE për çmimin e energjisë elektrike për vitin 2018? Nuk mund ta dijmë, sepse edhe tani në fund të dhjetorit, asnjë nga tre operatorët e mëdhenj, KESH, OST dhe OSHEE, nuk ka dorëzuar aplikimin për tarifat e reja, ndërsa afati ligjor dorëzimit të aplikimeve ka qenë data 30 shtator! Mos vallë po kurdiset diçka jo e mirë për të gjithë konsumatorët, sidomos bizneset? Në të vërtetë ka ardhur momenti për të bërë koregjimin e madh: të ulet çmimi i energjisë elektrike! Nuk asnjë argument që të shitet më shtrenjtë energjia e prodhuar në masën 60% nga hidroçentralet e kaskadës së Drinit, të ndërtuar rreth 50 vjet më parë, pra me investime tërësisht të shlyera! Nuk mund të qendrojë asnjë argument për të vendosur çmime të tilla, të cilat nxjerrin tre operatorët e mëdhenj në dhjetë vendet e para të klasifikimit për nga fitimi, kur ata janë ndërmarrje publike, pa asnjë aktivitet tjetër fitimprurës! Sigurisht, që duhet të presim dhe të shpresojmë që arsyeja dhe jo prepotenca të drejtojë vendimin për çmimin e energjisë elektrike, tani në prag të liberalizimit të tregut të saj.

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin