Nga veprimtaria e Portit

Nga veprimtaria e Portit
2 Gazeta T&I Durrës Nr 20
  • Anijet dhe tragetet, afro 220 mijë ton mallra më shumë se sa në vitin 2016

Gjatë vitit 2017 në anijet dhe tragetet që shfrytëzojnë portin e Durrësit janë përpunuar afro 3.7 milion ton mallra të ndryshme, ose 220 mijë ton më shumë se sa në vitin paraardhës.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave mësohet se shifrat e vitit 2017 janë 6 përqind më të larta se sa një vit më parë.
Nga të njejtat burime mësohet se eksportet kanë shënuar një rritje prej 13 përqind, duke regjistruar një volum të përgjithshëm prej 1 milion e 351 mijë ton mallra të transportuara me anije dhe tragete. Edhe importet kanë patur një rritje prej 3 përqind, duke arritur shifrën e përgjithshme prej 2 milion e 332 mijë ton mallra të ndryshme me anije dhe tragete drejt vendit tonë.
Sektori i Statistikave bën me dije se anijet tregtare kanë transportuar nga/drejt Durrësit 2 milion e 858 mijë ton mallra, ose afro 165 mijë ton më shumë se sa  u transportuan në vitin 2016. Ndërkohë, tragetet kanë transportuar 825.5 mijë ton, ose 55 mijë ton mallra më shumë se sa në vitin paraardhës.

  • 560 anije dhe 1012 tragete, përpunohen afro 3.7 milion ton mallra në vit

560 anije tregtare dhe 1012 tragete janë ankoruar gjatë vitit 2017 në  portin e Durrësit, ndërsa volumi i mallrave të përpunuara në të katër Terminalet portualë arrin në afro 3.7 milion ton. Megjithëse numri i mjeteve lundruese të përpunuar është  vetëm 20 njësi më i madh, se sa gjatë vitit 2016, sasia e mallrave të përpunuara gjatë vitit që kaloi ka shënuar një rritje prej afro 220 mijë ton.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD mësohet se numri i anijeve dhe trageteve të përpunuar ka pësuar një rënie graduale vjetore që nga viti 2011, kur mjetet lundruese të ankoruara në port shënonin shifrën 2086 gjithsej.
Numri më i madh i anijeve të përpunuara gjatë vitit 2017, 232 gjithsej,  i përket Terminalit të Mallrave Gjenerale, si[ njihet ndryshe Terminali Perëndimor, ndërsa në dy Terminalet e tjerë janë ankoruar përkatësisht 206 anije në atë të Kontejnerëve dhe 122 anije në Terminalin Lindor.
Në vitin 2017, edhe në Terminalin e Udhëtarëve, me 1012 rejse gjithsej, është shënuar numri më i vogël i trageteve të përpunuar që nga viti 2011, kur u ankoruan 1.431 tragete gjithsej.
Ndërkaq numri i udhëtarëve dhe mallrave të përpunuara me tragete në 2017 ka shënuar një rritje prej përkatësisht 5 dhe 7 përqind.

  • Moti i keq, tragetet mbërrijnë në kohë, anijet pengohen në përpunim nga reshjet

Moti i keq me erë të fortë dhe det të trazuar nuk e ka penguar mbërritjen në kohë të trageteve mëngjesin e së premtes, ndërsa reshjet e shiut po vështirësojnë  përpunimin e anijeve tregtare.
Në radën portuale është ankoruar një anije tjetër me 3299 ton misër, ndërsa gjatë ditës priten tre anije të tjera me superfosfat, pleh dap dhe kontejnerë.
Nga Qendra e Informacionit mësohet se dy tragetet e linjës Bari – Durrës, përkatësisht “AF Francesca” dhe “Bari” kanë mbërritur në port vetëm 30 minuta më vonë se sa grafiku i parashikuar, rreth orës 8.00-8.30 të mëngjesit.
Mësohet gjithashtu se në kalatën 6 anija “Countship Vow”, e cila mbërriti pasditen e kaluar, vazhdon shkarkimin e 461 kontejnerëve. Anija “Nazmiye Ana” me 2000 ton pleh kimik dap në kalatën 2 e ka ndërprerë përpunimin për shkak të reshjeve të shiut që nisën gjatë natës.
Edhe sot gjatë ditës parashikohen reshje shiu, që mund të vështirësojnë përpunimin e anijeve në kalata.

  • Ecuria e vitit 2017 dhe dhe Plan-Biznesi 2018 në qendër të Takimit të Këshillit Konsultativ në APD

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Artjan Qirici, organizoi sot në mesditë takimin e radhës me përfaqësuesit e Këshillit Konsultativ dhe të Istitucioneve të tjera të rëndësishme në Qytetin e Durrësit.
Në Takimi që zgjati rreth një orë e 30 min u trajtuan tematika që lidhen kryesisht me  rezultatet Ekonomike-Financiare të APD-së për vitin 2017; Plan Biznesin për vitin 2018 në  drejtimet kryesore, objektivat, si dhe parashikimet e investimeve, shpenzimeve dhe treguesve kryesor Ekonomik – Financiar; Informacion në lidhje me propozimet për ndryshimet në librin e tarifave për vitin 2018.
Në takim pati Diskutime, propozime, si dhe masa konkrete për koordinimin e veprimtarisë; për problematika dhe shqetësime të ndryshme në ndihmë të një bashkëpunimi sa më produktiv dhe eficient të të gjithë aktorëve që ushtrojnë veprimtarinë në Port dhe më gjerë.

  • UAMD – APD, Marrëveshje Bashkëpunimi shumëplanëshe

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Artjan Qirici dhe Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Kseanela Sotirofski kanë nënshkruar sot paradite një Marrëveshje Bashkëpuimi mes dy Institucioneve me qëllim dizenjimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
Në një ceremoni që u zhvillua në Qendrën e Trajnimeve të APD dhe ku bashkë me autoritetet vendore morrën pjesë edhe një grup i madh studentësh të të degës Navigacion në fakultetin e Studimeve Profesionale, drejtori Qirici tha se bashkëpunimi synon krijimin e lehtësirave për kryerjen e praktikave dhe proçeseve mësimore në mjediset, terminalet dhe kalatat e portit të Durrësit. Sipas z. Qirici mes palëve do të punohet për aktivitete dhe publikime të përbashkëta në fushën e menaxhimit portual; në mbrojtjen e mjedisit detar; në sistemet e monitorimit dhe kontrollit të operacioneve dhe trafikut detar; në ofrimin e ekspertizës në kurrikulën e lëndëve profesionale navigacionale si dhe në bashkëpunimin akademik për rritjen e standarteve të trajnimit të punonjësve.
Takimin që e drejtoi dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale në UAMD, prof.as.dr, Osman Metalla, e përshëndetën edhe prefekti i qarkut, Roland Nasto, rektorja prof. dr. Sotirofski dhe drejtori i Regjistrit Detar, Emiljan Jani.
Më pas drejtori Ekzekutiv i APD, ing. Artjan Qirici, në cilësinë e pedagogut të jashtëm, zhvilloi një leksion me studentët e degës së Navigacionit në UAMD.

  • Shkëmbimet e mallrave nga porti i Durrësit, Rusia e para në importe, Italia në eksporte

354 anije me 1 milion e 378 mijë ton mallra janë përpunuar gjatë vitit të kaluar në Terminalin Perëndimor dhe në atë Lindor të portit të Durrësit. Rusia, Italia dhe Turqia janë tre shtetet kryesore, me portet e të cilave ka shkëmbyer më shumë mallra porti i Durrësit.
Portet e tjera nga ku mbërrijnë dhe shkojnë mallrat që përpunohen në  Durrës janë vende si Kina, Egjipti, SHBA, Libi, Spanjë, Gjermani, Guatemalë, Venezuelë, Ukrainë, Tunizi, Francë, etj.
Burime nga Sektori i Statistikave në APD, bëjnë të ditur se gjatë vitit 2017, nga këto dy Terminale të portit më të madh të vendit, drejt/nga portet e Rusisë kanë mbërritur/nisur me anije 312 mijë ton mallra gjithsej; nga Italia 273 mijë ton dhe Turqia rreth 191 mijë ton.
Rusia ndodhet në vendin e parë edhe për importet drejt portit të Durrësit me 32 përqind të mallrave të përpunuara nga anijet gjatë vitit 2017. Turqia, Greqia dhe Italia sjellin në Durrës përkatësisht 20 %, 8 % dhe 7 % të mallrave të importit.
Eksportet kanë një tjetër renditjeje që fillon me Italinë, e cila merr përmes portit më të madh të vendit tonë rreth 56 përqind të mallrave të eksportit, ndërsa drejt Maltës shkojnë 27 përqind të tjera.
Këto të dhëna marrin në shqyrtim përpunimet në Terminalin Lindor dhe atë Perëndimor të portit të Durrësit, shkëmbimet me anije të të cilave prekin afro 55 porte të botës.

  • Tragetet në janar 2018, më shumë mallra se në janar 2017

Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës –Ankona e kthim gjatë muajit janar kanë transportuar më shumë mallra dhe më pak udhëtarë se sa në muajin janar të vitit të kaluar.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se në muajin që sapo u mbyll tragetet kanë transportuar 62.608 ton mallra, të ngarkuar në kamjonë dhe trajlera. (Foto)
Kjo është një sasi 22 përqind më e lartë se sa e janarit 2018, ndërsa importet dhe eksportet janë rritur përkatësisht me 24 dhe 19 përqind.
Tragetet kanë transportuar 5060 kamjonë dhe 427 trajlerë në një muaj, përkatësisht 15 dhe 34 përqind më shumë se sa në janar 2017.
Nga të njejtat burime mësohet se tragetet kanë kryer 79 lundrime vajtje-ardhje, ose 2 lundrime më shumë se një vit më parë.
Gjatë muajit që lamë pas tragetet janë shfrytëzuar nga 54.277 udhëtarë me 11.626 autovetura, shifra përkatësisht 9 dhe 10 përqind më të ulta se sa në janar 2017.

  • Pjesmarrje në dy projekte rajonale

Zhvillimi dhe përmirësimi i mjedisit të favorshëm (duke përfshirë  uljen e zhurmës) si dhe ndotjes  të karbonit kanë qenë tematika e Takimit që u zhvillua në Venecia javën e kaluar, ku morri pjesë edhe një grup përfaqësues nga Autoriteti Portual Durrës APD, i kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv, Artjan Qirici.

Objektivi i Projektit  SUPAIR  me tematikë “ Portet e qëndrueshme në rajonin e Adriatikut e Jonit” është: Përmirësimi  për transportin dhe lëvizshmërinë, duke ofruar  shërbime të integruara si dhe Multimodaliti në zonën Adriatiko-Joniane
Partneriteti parashikon përfshirjen e drejtpërdrejtë të autoriteteve portuale dhe institucioneve teknike në disa vende në zonën e Programit ( Italia, Kroacia, Greqia , Mali i Zi, Shqipëria), së bashku me autoritetet  vendase të rajonit  ose të qytetit, për të   garantuar  një bashkëpunim të përshtatshem  duke  integruar   territoret përkatëse.

Grupi përfaqësues i APD morri pjesë edhe në Takimin e zhvilluar në Trieste për Projektin ADRIAPASS me tematikë “ Integrimi i lidhjeve multimodale ne zonen Adriatiko Joniane”.  Projekti ka për qëllim përmirësimin e flukseve të mallrave në rajonin Adriatiko-Jonian. Gjatë Takimit të Triestes u diskutua mbi masat e nevojshme për të përfshirë edhe politikë-bërësit, për të krijuar lehtësira në pikat tranzit në rajon, ku pengesat administrative dhe organizative  shkaktojnë vonesa të konsiderueshme.
Gjithashtu, me ftesë të portit të Koperit, përfaqësuesit e APD-së zhvilluan një vizitë pune në këtë port.  Stafi ekzekutiv slloven prezantoi investimet e kryera “Comunity Systems”, nga kompanitë Actual dhe Infoera.