Një pikë informacioni për udhëtarët e kroçerave dhe jahteve do të funksionojë gjatë gjithë sezonit turistik në portin e Durrësit.
Gjithçka është instaluar sot pasdite në sheshin pranë Drejtorisë Ekzekutive të APD, në kuadër të një projekti që mbështetet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Bashkë me Info-point turistik, një instalacion me 75 çadra shumëngjyrëshe do ti urojë simbolikisht mirëseardhjen turistëve të huaj, që zgjedhin të vizitojnë Durrësin dhe qytetet historikë të vendit.
FSPD, Testim mbi kalimin në Nivelin II të Sigurisë Detare
Forcat e Sigurisë Portuale FSPD kanë zhvilluar këto ditë një Testim mbi kalimin në nivelin II të Sigurisë Detare si dhe për marrjen e masave e zbatimin e proçedurave në këtë nivel.
Bazuar në planin stërvitor vjetor të FSPD, në Terminalin perëndimor u simulua prania e një objekti të dyshimtë. Brenda pak minutash në bashkëpunim edhe me policinë e Kufirit dhe Migracionit, si dhe Kapitenerinë e portit u morën të gjitha masat e Sigurisë nr 2.
Inspektimet dhe kontrollet nisën në hyrje të Terminalit, në kalata si dhe me mjet lundrues në zonën detare, ndërsa për masat e sigurisë u përfshinë në Testim edhe forcat Zjarrfikëse, Autoambulanca dhe punonjësit e Dispeçerisë.
Për afro dy orë forcat e FSPD dhe institucionet e bashkëpunimit punuan intensivisht për arritjen e standarteve të sigurisë, e më pas për rikthimin në normalitet.
Tre motopeshkatore, porosi e sipërmarrësve shqiptarë të cilat mbërritën të seksionuara në disa pjesë para 8 muajve në portin e Durrësit, pasi janë montuar, ditët e fundit janë vendosur në Terminalin e Mallrave Gjenerale.
Më pas, motopeshkatoret me peshë rreth 44 ton secila dhe me gjatësi standarte 23 metra janë lëshuar në ujë falë kapacitetit bartës të vinçit me goma MHC 200.
Një jaht tjetër luksoz është ankoruar në portin e Durrësit. Jahti “Panorama II” ishte nisur nga Shëngjini, ndërsa pas qëndrimit në Durrës lundroi drejt Sarandës.
Jahti me gjatësi 50 metra u ankorua në kalatën 5 dhe më pas turistët e saj u nisën për të vizituar qytetin historik të Krujës si dhe qendrat muzeale dhe arkeologjike të Durrësit.
“Panorama II” qëndroi në Durrës 12 orë.
Ditët e fundit në kalatat e portit më të madh të vendit janë ankoruar edhe jahtet luksoze turistike “Shadow”, “Andiamo” dhe “I Dinasty”, gjatësia e të cilëve arrin deri në 86 metra.
Mbi 60 lundrime shtesë do të kryejnë tragetet e linjës Bari – Durrës e kthim gjatë muajve të verës.
Prej disa vitesh kompanitë e lundrimeve shtojnë tragetet në linjat me portet e Italisë, për t’u ardhur në ndihmë bashkëatdhetarëve, të cilët mbërrijnë për pushime pranë familjeve në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni.
Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se të dy kompanitë që operojnë me portin e Durrësit kanë shtuar thuajse të njëjtin numër lundrimesh për periudhën dy-mujore, nga mesi i muajit Korrik deri në fillim të Shtatorit.
Në linjën Ankona – Durrës e kthim, gjithashtu, do të ketë një dyfishim të numrit të lundrimeve, nga 2-3 në javë në kushte normale në një numër prej 5-6 lundrimesh në javë gjatë dy muajve të verës.
Në 5 muajt e parë të këtij viti në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar 236 anije dhe 376 tragete, nga të cilat janë shkarkuar dhe ngarkuar 1 milion e 565 mijë ton mallra gjithsej.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD mësohet se në portin më të madh të vendit gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë përpunuar 5 përqind më shumë mallra se sa në të njejtën peirudhë të vitit 2017.
Eksportet kanë pësuar një rënie prej 2 përqind, me një volum prej 544 mijë ton mallra, ndërsa importet kanë një rritje prej 9 përqind, duke arritur shifrën e më shumë se 1.02 milion ton mallra gjithsej.
Gjatë 5 muajve të parë të vitit 2018 në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar 54.607 konteinerë TEU (njësi konteinerike), ose mbi 11 mijë konteinerë TEU më shumë se sa në periudhën Janar-Maj të vitit 2017.
Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, sasia e mallrave që kanë mbërritur ose janë nisur me konteinerë gjatë 5 muajve të parë të vitit 2018, ka arritur në mbi 640 mijë ton gjithsej, ose 90 mijë ton më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Numri më i madh i konteinerëve, 11.768 gjithsej, është përpunuar në muajin Mars të këtij viti.
Importet dhe eksportet e përpunuara me konteinerë janë thuajse në të njëjtat shifra, përkatësisht 49.38 % dhe 50.62 %.
Materialet e ndërtimit, xhamat, blloqet e mermerit, llamarina dhe melamina zenë një pjesë të madhe të importeve drejt portit të Durrësit. Po ashtu edhe çimento dhe hekuri për ndërtim me shifra përkatëse nga 6 mijë deri në 40 mijë ton vetëm në 5 muaj.
Një pjesë e importeve realizohet me anë të kontejnerëve-mësohet nga statistikat e APD.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave, bëhet e ditur se në kalatat e portit më të madh të vendit gjatë 5 muajve të parë të vitit janë përpunuar mbi 1 milion ton mallra që kanë mbërritur nga vende të tjerë, duke shënuar një rritje të eksporteve prej afro 83 mijë ton, krahasuar me periudhën janar-maj 2017.
Një rritje të njdjeshme ka patur përpunimi i qymyrit koks nga importi, që shfrytëzohet nga industria vendase.Volumi 5-mujor i koksit ka arritur në mbi 115 mijë ton, ose 24 mijë ton më shumë se vitin e kaluar.
Një jaht luksoz, prodhim i vitit 2017, është ankoruar gjatë muajit Qershor në portin e Durrësit, ndërsa në kalata vijnte puna për përpunimin e 21 mijë ton mallrave nga tre anije, si dhe 557 konteinerëve nga një anije tjetër. Tragetet e linjës Bari-Durrës ndërkohë janë ankoruar në Terminalin përkatës normalisht.
Jahti “Shadow” që ka mbërritur nga ishulli grek Kos është ankoruar në kalatën 5 dhe ka qëndruar gjatë gjithë ditës në Durrës. I ndërtuar në Hollandë vitin e kaluar, jahti me flamur të Xhamajkës ka një gjatësi 55.5 metra. Ndërkohë, në kalatën 5 janë ankoruar edhe dy jahte të tjerë të përmasave më të vogla.
- Tetë jahte turistikë në kalatat e portit të Durrësit
“Best of Sweden”, “Morgana”, Sail way”, Bunty”, “Liberta”, etj. janë disa nga emrat e jahteve turistikë që janë ankoruar në kalatat e portit të Durrësit gjatë muajit Qershor.
Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se ndërkohë jahte të tjerë janë nisur porti drejt destinacioneve të Mesdheut. Jahtet me gjatësi nga 9 deri në 35 metra janë ankoruar dhe marën shërbimet e kërkuara në kalatat e Terminalit Perëndimor. Ata qëndrojnë në Durrës mesatarisht nga 1 ditë deri në një javë. Udhëtarët e jahteve gjatë qëndrimit në Durrës vizitojnë edhe qendrat arkeologjike si dhe muzetë e qytetit antik.