SYTË TEK ÇMIMET…

SYTË TEK ÇMIMET…
1 Gazeta T&I Durrës NR 5

Është një thirrje kujtesë në supermarkete, të cilat nuk duan të kenë probleme me blerësit tek arka. Por, tek çmimet i kanë sytë edhe të gjithë ata që interesohen për stabilitetin ekonomik të vendit, sepse çmimet janë “semaforët” që shërbejnë për të drejtuar trafikun delikat të kërkesës dhe ofertës! Sipas studiuesve, kemi një problem serioz me çmimet në vendin tonë: këtë shkurt, inflacioni pësoi rënien më të madhe të 13 viteve të fundit, ka zbritur deri në vlerën 0.2%. Po përse duhet të shqetësohemi edhe kur inflacioni është i ulët, ndryshe kur çmimet rriten kaq pak?
Nuk do të ishte më mirë që çmimet të ulen në vend që të ngrihen (ky inflacion negative quhet “deflacion”)? Të gjithë ne jemi të kënaqur, kur në një dyqan zbulojmë që është ulur çmimi i celularit që donim të blenim apo i këpucëve që u kishim vënë syrin. Kjo situatë, me shkak rogresin teknologjik apo arritjen e mallrave nga vendet e Azisë, me kosto të ulët të punës, cilësohet si një “deflacion i mirë”. Por, kur shumica e çmimeve tentojnë të zbresin kemi një “deflacion të keq”, sepse me çmime që lëvizin krijohet gjithnjë pasiguri për të nesërmen. Për më tepër, çmimet në ulje janë shenjat e një ekonomie në krizë, me kompani që mbyllen e me papunësi të lartë, me biznese që shesin me çfarëdo çmimi të ulët, mjaft që të mbijetojnë dhe punonjës që pranojnë paga më të ulta vetëm që të çojnë diçka në shtëpitë e tyre. Po ashtu, kur çmimet janë në rënie, njerëzit i shtyjnë shpenzimet (nesër gjërat do të jenë më të lira), duke shkurtuar në kohë konsumin dhe investimet që jani motori i ekonomisë së vendit. Po çfarë është mirë të ndodhë me çmimet? Inflacionin e lartë e quajnë “bishë e zezë”, sepse shtrenjton jetën dhe zhvlerëson kursimet e shtresave më të dobëta të shoqërisë, por deflacionin një përbindësh”, sepse heq vetë burimet e jetesës, bizneset dhe vendet e punës. Sipas Keynes:“Inflacioni është i padrejtë, ndërsa deflacioni i dëmshëm. Nga të dy, ndoshta deflacioni është më i keqi. Është më keq, që në një botë të varfëruar të provokosh papunësinë se sa të deluzionosh kursimtarin”. Natyrisht që të gjithëve do t´u interesonte stabiliteti i çmimeve. Shumica e Bankave qendrore në botë, me stabilitet kuptojnë një inflacion prej 2%, i cili merr në konsideratë përmirësimin e cilësisë. Si shembull, nëse një kompjuter shitet sot me çmimin e parvjetshëm, por ka parametra (memorie, shpejtësi, …) më të larta se atëhere, mund të themi që ai kushton sot më lirë, por përmirësimet e parregjistruara tentojnë ta ngrenë inflacionin deri në 2%. Uljet e vazhdueshme të nivelit të inflacionit në Shqipëri, Eurozonë apo akoma dhe më gjerë, në shumë vende të tjera të zhvilluara të botës po nxjerrin në skenë frikën dhe shqetësimin madhor të përballjes me deflacionin. Megjithatë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko pranon që kemi si një situatë desinflacioniste (inflacion në rënie), duke theksuar se nuk jemi në deflacion. Ndërkohë studjuesit dhe profesionistët e botës monetare sugjerojnë disa masa që Banka e Shqipërisë duhet të marrë edhe në bashkëpunim me Qeverinë për të parandaluar ardhjen e deflacionit. Rritja e ofertës së parasë, nxitja e punësimit, rritja e pagave dhe ensioneve, rikonsiderimi i sistemit të taksave direkte dhe indirekte, studimi i avantazheve të politikave monetare të SHBA ndaj atyre të BE dhe i mundësisë së zbatimit të tyre për vendin tonë, do të ishin disa prej atyre masave. Të gjithë bizneset dhe qytetarët shqiptarë intuitivisht e kanë kapur thelbin e dyfishtë të veprimtarisë së tyre jetësore: si konsumatorë janë të interesuar për çmime të ulta, por si operatorë për çmime të larta, që të ketë më tepër vlerë puna e tyre. Ndërkohë, rezultatet e masave të ndërmarra nga Banka dhe Qeveria mund të dallohen lehtë nga “semaforët”. Ndryshe, sytë tek çmimet…