Jahtet në lëvizje

Jahtet në lëvizje
1 Gazeta T&I Durrës Nr 25

Nisja e sezonit turistik të lartë ka nxitur Drejtorinë e Përgjithshme Detare të lëshojë dy udhëzime të njëpasnjëme, në muajt maj dhe qershor, për të lehtësuar lundrimin turistik në detet Adriatik dhe Jon. Më së fundi bëhet i qartë dallimi ndërmjet anijeve të kënaqësië (for pleasure) dhe atyre për pasagjerë, sikundër barazohen të huajt me vendasit. Sipas këtyre dy udhëzimeve:
• jahtet turistikë njoftojnë autoritetet vetëm një herë në portin e hyrjes dhe po ashtu në portin e fundit, kur largohen ujrat tona. Për lëvizjen e tyre gjatë një periudhe njëmujore ato mjaftohen vetëm me njoftim me radio të Kapitenerisë së Portit përkatës
• anijet turistike për pasagjerë marrin lejet e nisjes një herë në javë nga Kapiteneria e Portit përkatës
• siguria e njerëzve garantohet nga kualifikimi i drejtuesit të mjetit, sipas standarteve ligjore
Meqë mungojnë informacionet e plota, shpresohet që ky lehtësim të shoqërohet edhe me përgatitjen e 6 porteve kryesore shqiptare, me kalatat e caktuara për pritjen e jahteve si dhe të mjeteve lundruese për pasagjerë. Po ashtu, në këto udhëzime nuk përjashtohet apak mundësia e kontrolleve nga ana e policisë kufitare, e cila vepron e pavarur nga Dejtoria e Përgjithme Detare!
Sot pranohet nga të gjithë lidhja e nguhtë e lundrimit turistik me turizmin, si sector ekonomik. Në një seminar tematik të fund qershorit të mbajtur në Limassol (Qipro), përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit theksonte rëndësinë e lundrimit turistik (yachting sector) për turizmin qipriot, me evidencimet:
 Lundrimi turistik tërheq klientë të një niche të nivelit të lartë, sepse
 paraqet një treg të ri të synuar
 rrit të ardhurat dhe shpenzimet për turist në ditë
 Lundrimi turistik përfaqëson nje segment luksi me interes, sepse
 rrit imazhin e vendit si destinacion turistik
 pasuron produktin turistik dhe përvojën e vizitorit
 Lundrimi turistik mund te kombinohet me
 turizmin e golfit
 turizmin e wellness&spa
 turizmin e enogastronomisë
 turizmin kulturor, natyror dhe rural
 turizmin e eventeve
 dasmat dhe muajin e mjaltit/turizmi romantic
 turizmin e lojrave- kazinotë
Si duket, qipriotët kanë një mënyrë të ndryshme të menduari nga e jona. Edukata britanike e ngulitur në vite ( edhe makinat mbajnë krahun e majtë) i shtyn ata të mendojnë diçka të veçantë si lundrimi turistik brënda së tërës, zhvillimit të turizmit dhe të ekonomisë. Me këtë koncept ata kanë ngritur një komitet ndërministror, i cili përgatit për qeverinë e tyre strategjinë dhe plan veprimin për ndërtimin e porteve turistikë, për zhvillimine të gjitha llojeve të turizmit të cituara, për rregullat dhe lehtësitë e lundrimit turistik dhe lidhjen e tij me zhvillimin ekonomik tërësor të vendit. Në mënyrë të ngjashme, mund të themi se lundrimi turistik në Shqipëri nuk mund të mbetet objekt vetëm i një ministrie. Përvojat më të mira ndërkombëtare na sugjerojnë se ka ardhur koha për një vizion të ri pune. Rrethanat shqiptare si pasmoratoriumi, oportunitetet e plot të tilla si këto kërkojnë ngritjen sa më shpejt të një komiteti ndërministror specialistësh nga ministritë që mbulojnë: infrastrukturën portuale, turizmin, ministrinë e brëndëshme, ekonominë dhe financat, i cili të merret me të gjithë problematikën e madhe që lidhet me lundrimin turistik. Nga ky Komitet duhet të dilnin sugjerimet, rekomandimet, planet dhe strategjitë për qeverinë, me qëllim zhvillimin e sektorit të lundrimit turistik në kuadër të zhvillimit ekonomik të vendit.
Mjaft është folur për 8 konçesionet e dhëna për ndërtim portesh jahtesh, por asnjëri nuk ka hedhur as kazmën e parë. Po ashtu, për rajonin e Durrësit është folur e shkruar për Marina Bay Albania, buzë lungomares së qytetit, sikundër për mundësinë e shndrrimit në një marina të portit ushtarak të Bisht Pallës. Apo dhe egzistencën e gjireve natyrale, ku me kosto shumë të ulët mund të ngrihen porte jashtesh. Por, akoma asgjë nuk ndodh. Ndoshta ky lehtësim i tanishëm i lëvizjes së jahteve do të na shtyjë të mendojmë edhe për ankorimin e tyre dhe të huajve në dimër, apo për një sistem portesh marinas, të shtrirë çdo 20-30 km gjatë bregdetit shqiptar. Nuk ka pse të ndruhemi të flasim dhe të veprojmë në favor të anijeve të kënaqësisë dhe të shtresave të pasura. Lëvizja e tyre sjell zhvillimin e turizmit dhe krijon burime ekonomike primare, nga ato që fusin parà nga jashtë për brënda Shqipërisë!