Nga veprimtaria në Portin e Durrësit

Nga veprimtaria në Portin e Durrësit
2 Gazeta T&I Durrës Nr 16

Brenda një jave katër anije me grurë në kalatat e portit

Katër anije me grurë do të përpunohen brenda kësaj jave në kalatat e portit të Durrësit. Dy prej tyre po përpunohen aktualisht në kalatat 4 dhe 5, ndërsa dy të tjera janë programuar të ankorohen në port brenda kësaj jave. Nga Sektori i Statistikave, mësohet se volumet e grurit të përpunuar që nga fillimi i këtij viti janë më të ulta se sa gjatë së njejtës periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Qendrës së Informacionit në APD, në kalatat 4 dhe 5 vazhdojnë në përpunohen anijet “Altair” dhe “Sea Trader”, nga të cilat po shkarkohen përkatësisht 3297 dhe 5005 ton grurë. Ndërkohë priten edhe anijet “Ulus Breeze” me 3005 ton dhe “Viktor Borisov” me 3399 ton, gjithmonë grurë.
Gjatë 7 muajve të parë të këtij viti në portin më të madh të vendit janë shkarkuar mbi 66 mijë ton grurë, një shifër afro 17 përqind më e ulët se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar. Që nga viti 2015 sasia e grurit të importuar nëpërmjet portit të Durrësit ka pësuar një rënie graduale të lehtë.

 

Janar – korrik 2017:

Anijet dhe tragetet,rritje të ndjeshme të eksport-importeve në 7-mujor

Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti anijet dhe tragetet kanë transportuar mbi 2.1 milion ton mallra të ndryshme, duke shënuar një rritje prej 9 përqind, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2016.
Sektori i Statistikave të APD, bën me dije se vetëm eksportet kanë regjistruar një rritje prej 27 përqind, duke arritur një volum prej mbi 766 mijë ton mallra gjithsej. Importet kanë patur një rritje vetëm prej 1 përqind, duke arritur shifrën prej afro 1 milion e 355 mijë ton mallra.
Në kalatat e portit më të madh të vendit në 7 muaj janë përpunuar 327 anije tregtare gjithsej, si dhe 550 tragete të linjave detare me portet e Italisë.
Edhe muaji korrik i këttij viti është mbyllur me shifra më të mira se sa korriku i vitit 2016. Gjatë muajit korrik janë përpunuar mbi 327 mijë ton mallra, me një rritje prej 19 përqind krahasuar me korrikun 2016. Rritje prej 26 dhe 15 përqind kanë patur edhe eksportet dhe importet.
6-mujori 2017: Shkëmbimet e mallrave nga porti i Durrësit, Italia volumin më të madh
 -Rusia e para në importe, Italia në eksporte-


Italia, Rusia dhe Turqia janë tre shtetet kryesore, me portet e të cilave shkëmben më shumë mallra porti i Durrësit. Në 6 muajt e parë të këtij viti, drejt/nga portet e Italisë kanë mbërritur/nisur me anije 152 mijë ton mallra gjithsej, ndërsa nga Ruisa 130 mijë ton dhe Turqia rreth 89 mijë ton.
Ndërkaq, sasia më e madhe e importeve, 130 mijë ton, në periudhën janar-qershor 2017, ka mbërritur nga portet e Rusisë, ndërsa mallrat për eksport, 105 mijë ton, i janë drejtuar Italisë.
Mbërritja e importeve kryhet sipas renditjes nga Rusia, Turqia, Italia, Greqia, Egjypti, Libia, Spanja, Gjermania, etj. Eksportet shkojnë drejt vendeve si Italia, Malta, Kina dhe Franca.
Në listën e porteve me të cilat janë shkëmbyer mallra për import dhe eksport në këto 6 muaj janë edhe vende si SHBA, Kroaci, Tunizi, Belgjikë, Ukrainë, etj.
Në 6-mujorin e parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar afro  1 milion e 800 mijë ton mallra të ndryshme, ose mbi 123 mijë ton më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar.
Përvec porteve të Evropës dhe Azisë, mallra të ndryshme kanë mbërritur apo janë nisur edhe në portet e kontinenteve te Amerikës dhe Afrikës.

Nga Kosova në Terminalin lindor, ngarkohen në anije 20 mijë ton mineral zinku 

 Në Terminalin lindor ka nisur të përpunohet anija “Da Ji”, e cila po ngarkohet me 20 mijë ton mineral zinku. Përpunimi i saj ka nisur pasditen e së hënës dhe do të vazhdojë disa ditë.
Sipas të dhënave të Qendrës së Informacionit në APD, anija tregtare “Da Ji”, me port regjistrimi në Guang Zhou që ka një gjatësi prej afro 180 metra është nisur nga porti Djen Djen (Algjeri) drejt Durrësit, dhe u ankorua në port rreth orës 14.00. Anija do të ngarkohet me 20 mijë ton mineral zinku prodhuar në minierën e Trepçës (Kosovë).
Kjo është anija e dytë me zink nga Kosova që ngarkohet në portin e Durrësit.
Anija “Da Tong Yun” u përpunua në mesin e muajit maj të këtij viti dhe ngarkesa u nis drejt portit të Tarantos (Itali).
Nga të dhënat operative të Qendrës së Informacionit në APD, mësohet se anija me gjatësi 166.5 metra “Da Tong Yun”, që kishte mbërritur nga porti i Ravenas (Itali)  u ngarkua me mbi 18.500 ton zink, produkt i minierës së Trepçës në Kosovë.

Janar – korrik 2017:

Tragetet, më pak lundrime, më shumë mallra e udhëtarë se në 7 muaj 2016

Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim kanë transportuar 7 përqind më shumë mallra dhe 4 përqind më shumë udhëtarë se sa në të njejtën periudhë të vitit 2016. Tragetet janë shfrytëzuar nga afro 400 mijë udhëtarë gjithsej, ose 13.831 udhëtarë më shumë se sa 7-mujori i parë i vitit të kaluar.

Sektori i Statistikave të APD, bën me dije se  tragetet kanë transportuar mbi 481 mijë ton mallra, ose 31.364 ton më shumë se sa në 6 muajt e parë të vitit 2016.

Megjithëse kanë kryer 39 lundrime më pak se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar, shifrat e transportit të mallrave me tragete në 7 muajt e parë të vitit 2017 janë 7 përqind më të larta për eksportet dhe po aq edhe për importet, krahasuar me ato të periudhës janar – korrik 2016.

Numri i udhëtarëve në hyrje drejt Durrësit në këto 7 muaj ka qenë rreth 28 mijë njësi më i lartë se sa në dalje drejt porteve të Italisë.

Ndërkaq numri i autoveturave në 7 muaj ka arritur në 77.481, me një rritje prej 5 përqind, ndërsa ai i kamjonëve ka pësuar një rritje prej 10 përqind, duke arritur shifrën prej afro 40 mijë kamjonë.