Bujqësia, një sektor prioritar! Ky informacion lakonik është nxjerrë nga programi ekonomik me 21 objektiva i shpallur nga Qeveria “Rama 2” për vitet 2017 – 2021. Me këtë vlerësim për këtë sektor, iu drejtuam për një intervistë zotit Enver Isufi, i cili mban titullin Professor Assistent Doktor për bujqësinë. Ai shprehet: “Nga publikimet zyrtare pranohet se bujqësia jep rreth 18-21 % të GDP-s, ndërsa merr vetëm 1,5-2 % të GDP-s, pra rreth 10 herë më pak sa kontributi i saj në ekonominë e vendit. Shkaku kryesor që bujqësia jonë ndodhet në një nivel të ulët zhvillimi është pikërisht ky buxhetim tepër i ulët”.
Për ta bërë më të kuptueshme këtë gjendje edhe për fermerët, ai tregon fabulën e babait që do t’i bënte djalit një dasëm të madhe në Tiranë, me 300 të ftuar, me vetëm 1000 Euro! Duke iu kthyer temës, zoti Isufi shtron pyetjet: “A mund të ketë bujqësi të madhe me një buxhet vetëm 1-2 % të GDP-s? Pse ka ndodhur kjo?” Përgjigjet ai i gjen tek politika e gabuar e derisotme, e cila sipas tij ka menduar vetëm për momentin, me tregun plot, kur shumicën e produkteve bujqësore e blejmë edhe më lirë nga importi, ndërsa duhet të shqetësohej, sepse tregu vërtetë është plot, por është dëmtuar rëndë përpektiva. “Bujqësia shqiptare është ende e dobët, jo konkuruese, të rinjtë lënë fshatin, lënë edhe vetë Shqipërinë. Nuk ka produkt më të shtrejtë se sa vetë forcat tona shkencore dhe ato të punës, që largohen nga vendi. Këto forca nuk i kompenson asnjë diferencë çmimesh të domateve apo specave që na vijnë nga jashtë”, mbyll ai këtë fillim të intervistës.
Cmimi i naftës, infrastruktura fizike e bujqësisë, ujitja, infrastruktura shkencore dhe këshilluese ishin problematikat kryesore të shtjelluara në vazhdim nga Profesor Isufi, të cilat po i rreshtojmë në ligjëratë të drejtë, si në vijim:
“Baza materiale e bujqësisë që sot thirret me termin në anglisht “inpute“ janë të shumta, por më me peshë në zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale/fshatare është energjia, pra nafta. Të ketë përgjatë autostradës Tiranë –Durrës, Tiranë – Shkodër ,Durrës – Vlorë mbi 80 pika për shitjen e karburanteve kur shumica e tokave janë të pa përdorura për prodhim, kjo s´ka lidhje me ligjet e ekonominë së tregut që kur shtohet prodhimi i naftës logjikisht pritet të ulet çmimi i saj “. Të jesh një vend prodhues i naftës dhe bujqësia ta blejë atë më shtrejtë se sa vendet ballkanike që nuk prodhojnë naftë, kjo nuk kuptohet ndryshe vetëm se me rënien e Shqipërisë në një vend me status kolonial ose gjysëm kolonial, por i pa shpallur. Për të kuptuar atë që ka ndodhur me naftën , lipset të xhirojmë serinë e dytë të filmit “Gjeneral Gramafoni”. Të kesh sot kaq shumë mjete bujqësore në shitje dhe rreth tyre toka të jetë e pa punuar, kjo është e dhimbëshme dhe përsëri shkak është i çmimi i lartë i karburanteve për bujqësinë.
Shqipëria e para viteve 1990 trashëgoi një bujqësi të madhe, me infrastrukturë bujqësore gati perfekte (parcelimi, terracimi, kanalet kullues e vaditës, rezervuarët e ujit, hidrovorët kullues, etj. Por, tani parcelimi është kthyer në parcelim kopështesh dhe baçesh. Vërtetë infrastruktura rrugore po bëhet gjithnjë e më mirë, por këto rrugë të asfaltuara në zonat fshatare duken si zinxhirë të bukur të qepur në një bluzë të grisur. Majtas dhe djathtas ka toka të papunuara, me ferra e shkurre. Gjendjen e kanaleve tashmë e dimë të gjithë se si është. Kjo lloj infrastrukture nuk po e lejon bujqësinë tonë të përdori përparësitë e ekonomisë private të tregut. Dje kishim bujqësi të madhe me interesim të vogël për prodhuesit, sot kemi një interesim të madh, por me bujqësi të vogël. A do ta mundi dot bujqësia e kioskave marketingun e supermarkatave të mëdha. Kjo është sfida jonë. Rregullimi hap pas hapi i kësaj infrastrukture do ndihmonte në rritjen e frutëshmërisë së bujqësisë. Ndërkohë, për gjetjen e mekanizmave real se si mund të përshpejtohet procesi i zmadhimit fermave asnjëherë nuk është diskutuar seriozisht, kur duket qartë se reduktimi i parcelizimit lehtëson edhe vetë rregullimin e infrastrukturës fizike. Pjesë e kësaj janë edhe rishikimi i rezervuarëve të vjetër të ujit për ujitje (kemi trashëguar mbi 600 të tillë), por që duhen inspektuar gjendja aktuale e tyre dhe masat teknike dhe financiare për rikthimin e tyre në potencialet e veta ujëmbajtëse. Të tjerë basene dhe të tjerë hidrovorë mund të ndërtohen gjithashtu.
Dy dekadat e fundit u krijua një koncept primitiv për heqjen nga fjalori temat “shkencë“ dhe “kërkim shkencor“, kjo vetëm e vetëm për të justifikuar reformat e gabura dhe shkatërrimtare që u zbatuan për shkencën e të gjitha niveleve deri në Akademinë e Shkencave. Nivelin e një dege të ekonomisë e përcakton niveli shkencor që zbatohet në të. Pa u zgjatur në këtë temë do doja të theksoja idenë se ka rëndësi që shkencën t´ja përshtasim nevojave praktike dhe jo godinave aktuale, tarafeve për punësim, termave të bukura që përdoren.
Organizimi i ri i shkencës dhe zbatimit nevojitet të sigurojë katër nivele kryesore:
Niveli i parë, Akademia e Shkencave dhe Universitetet (publike dhe plus ato private ,që do kenë të njëtin nivel shkencor dhe laborotorik). Këto kryejnë studime të thella ose siç i quajmë studime bazë, fondamentale. Ndikimi i tyre në ekonominë e shoqëri është afatgjatë, i thellë, i gjërë ,gjithëpërfshirës. Edhe titujt e botimeve duhet ti përgjigjen këtij niveli.
Niveli i dytë, Institutet/ Stacionet/ Qendrat që mbulojnë disiplinat e veçanta (Mirëadministrimi i tokave dhe të ushqyerit shkencor i bimëve. Mbrojtja e integruar dhe biologjike e bimëve, Perimikultura, Pemtaria, Mjeksia veterinare dhe Zooteknia, Siguria Ushqimore). Këto institute,stacione apo qendra bëjnë studime të zbatueshme në nivel bashkie, qarku dhe vendi. Këto studime duhet që brenda 1-3 viteve të kenë dhënë ndikimin pozitiv direkt në nivel ferme. Edhe titujt e botimeve duhet ti përgjigjen këtij niveli.
Niveli i tretë, Drejtoritë e Bujqësisë që do jenë pranë Bashkive. Këto mund të kenë edhe emrin “Grupi i Bujqësisë Qëndrueshme dhe Këshillimit Bujqësor”. Ato bëjnë studime për potencialin e zhvillimit që kanë komunat dhe Njesitë Administrative, bëjnë demonstrime fushore për zbatimin e tyre në nivel ferme me praninë e fermerëve, rritësëve të kafshëve, informojnë fermerët mbi kohën e shfaqjes së sëmundjeve dhe insekteve dëmtues, krijonë fermat model ku zbatohen praktikat e mira bujqësore, saktësojnë statistikat , të cilat ende kanë kaq shumë mangësi, etj . E gjitha veprimtari e përvojë, si lënda e parë për një këshillim bujqësorë të frytëshëm në zonat përkatëse.
Niveli i tretë që përmendëm më sipër komunikon me nivelin e katërt, me ekspertët e terrenit dhe me fermat e mëdha me ndikim në treg. Punët në këtë nivel bëhen gjithnjë e më konkrete, gjithnjë e më afër prodhuesëve dhe përpunuesëve.
Kur të gjitha nivelet komunikojnë me njëri-tjetrin sipas rënditjes, rriten kontaktet e forcave krijuese dhe zbatuese, gjë që çon në përsosjen e programeve të kërkimit dhe cilësisë së tyre shkencore. Forumet shkencore si konferencat, sympoziumet, kongreset duhet të përcaktohen që të zhvillohen periodikisht dhe jo spontanisht. Këto forume bëjnë të mundur kompaktësimin e forcave shkencore të të gjitha niveleve dhe institucionalizon debatin shkencorë dhe pavarsinë e secilit nivel kërkimi e zbatimi.
Këto katër nivele duhet të kenë statusin e vet ligjor të fuksionimit dhe komunikimit.
Pra një ligj integral mbi shkencën dhe zbatimin në bujqësi është i nevojshëm që të përgatitet në përputhje me zhvillimet dhe kërkesat e reja. Këto ligje duhen hartuar me synimin e përafrimit të tyre me rregulloret e BE-së ku ne po synojmë të bashkohemi.
Kur themi se dijenitë shkencore janë inpute me vlera monetare ashtu si mallrat e tjera, ato si çdo mall, kanë të njëjtën rrjedhje në treg si të gjitha mallërat:
- Tregu i madh me shumicë i mallërave (në këtë rast supermarkatat e mëdha të mendimit e kërkimit janë Universitetet dhe Akademitë)
- Minimarketet ( në këtë rast institutet e disiplinave përkatëse)
- Dyqanet( në këtë rast bërthamat e specialistëve pranë bashkive)
- Kioskat (në këtë rast ekspertiza e komunave, si agronome, veterinarë, inxhinierë pyjesh, zooteknikë që janë direkt në kontakt me fermerët për ti ndihmuar ato për zbatimin e teknologjive të hartuara nga nivelet më të larta të kërkimit dhe këshillimit bujqësor. Pra edhe“ shitja“ e trurit ka kanalet e veta të marketingut”.
(vazhdon në numrin tjetër)