OSHEE ndahet në tri pjesë, po çmimi?

OSHEE ndahet në tri pjesë, po çmimi?
3 Gazeta T&I Durrës Nr 17

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka lajmëruar se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pritet të ndahet në tre kompani, sipas kornizës ligjore të miratuar që përfshin modelin e ri të tregut. Tre kompanitë e krijuara do të jenë: OSHEE, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe së treti. Detyra për të siguruar të dhënat do të jetë e Furnizuesit, duke patur parasysh që veç atij publik(FSHU) mund të ketë edhe kompani private që e ofrojnë shërbimin e furnizimit.Por, tregu i energjisë pritet që të ndryshojë dukshëm në vijim si rezultat i implementimit të plotë të modelit që parashikon edhe një ndarje të shpërndarjes.

Po ku do t’i sigurojnë bizneset të dhënat në vazhdim? Enti Rregullator i Energjisë njoftoi se e ka zgjidhur këtë dilemë përmes një rregulloreje të miratuar së fundmi, ku përcakton sesi do të proçedohet për marrjen e të dhënave të konsumit për një muaj, disa muaj apo deri në 3 vjet.

Rregullorja përcakton rolin që do të ketë secili operator në marrëdhënie me klientin dhe bazën e të dhënave që duhet të sigurojë sipas kërkesës.  Një pikë e rëndësishme e kësaj rregulloreje është transparenca ku OSHEE-së i kërkohet të ndërtojë një platformë të dedikuar, ku të publikohen të dhënat dhe të jenë të aksesueshme për këdo, duke respektuar pjesën që i takon mbrojtjes së konsumatorit.

Por çfarë garanton në fakt rregullorja e re e ERE, e cila përmbledh aksesin në gjashtë pika?

  • OSHEE do të sigurojë si pjesë të Shërbimit të ofruar prej saj, aksesin në të dhënat e konsumit të energjisë elektrike nga Klientët.
  • Operatori do ta garantojë këtë shërbim nëpërmjet një faqeje interneti të dedikuar, por edhe nëpërmjet çdo qendre të kujdesit të klientit, ku Furnizuesi paraqitet me kërkesë për të dhëna.
  • Informacioni historik, që përfshin konsumin vjetor për jo më pak se një periudhë që përfshin tre vitet e fundit, është një e drejtë e garantuar për të gjithë furnizuesit nga legjislacioni.
  • OSSH i siguron furnizuesit edhe të dhënat e energjisë elektrike mbi baza orare për të gjithë klientët, kur pajisjet e matjes e lejojnë një përllogaritje të tillë.
  • Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe OSHEE duhet të dorëzojnë tek Furnizuesi të dhënat e kërkuara sipas kësaj rregullore jo më vonë se 1 (një) ditë kalendarike pas marrjes së kërkesës nga një Furnizues.
  • Furnizuesi që kërkon të dhënat si më sipër, duhet që më parë të ketë nënshkruar një marrëveshje, nëpërmjet të cilës garanton për të përmbushur detyrimet e legjislacionit në fuqi, duke përfshirë në veçanti, legjislacionin mbi Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Përveç këtij riorganizmi, ERE nuk jep akoma asnjë informacion mbi aplikimet e tre operatorëve të mëdhenj me tarifat e reja për vitin 2018. Afati i fundit ligjor për dorëzimin tek ERE i këtyre aplikimeve ka qenë fundi i shtatorit! Interesimi i Dhomës për këto aplikime është i madh, sepse ajo vazhdon të insistojë në dy kërkesat kryesore të saj:

  1. të ulet çmimi i energjisë elektrike
  2. të lëshohet për klientin një faturë transparente, e cila shpjegon qartë sa paguhet secili nga tre operatorët për enegjinë elektrike si produt, duke cilësuar në veçanti sa paguhet secili nga tre “hozrashotet” e OSHEE.