Koncesioni për shërbimet detare, kërkohet anulim në gjykatë
Koncesioni për shërbimet detare, i shpallur nga ish-Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe i mbyllur me një ofertë fituese prej 238 milionë lekësh të kompanisë Anijet e Shërbimit Detar, ka përfunduar në Gjykatën Administrative të Apelit.
Romano Port sh.a, e cila kundërshtoi procedurën qysh në fillimet e saj, duket se ka vendosur të vijojë edhe më tej betejën me institucionet që vendosën miratimin e këtij koncesioni, që përfshin në hartën e veprimit edhe portin ku operon kjo kompani.
Më herët procedura u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik por që edhe ky i fundit, vendosi për vijimin e tenderit, me kushtin që të rishikoheshin kriteret mbi të cilat po zhvillohej. Vetë Romano Port kërkon që nga shtatë porte ku koncesionarit i është dhënë e drejta të ushtrojë aktivitetin të përjashtohet Romano Port që është aktualisht në një marrëdhënie tjetër koncesioni.
Koncesionari tashmë ka publikuar në faqen e tij zyrtare tarifat që aplikohet për shërbimet detare si dhe portet e operimit si një konfirmim i mëtejshëm i zbatimit të kontratës.
Mjetet lundruese janë të detyruara që të paguajnë një tarifë që lidhet direkt me tonazhin e regjistruar bruto, që ka secila në çdo port që është pjesë e koncesionit. Tarifat e publikuara variojnë nga 100-1300 euro, por edhe më shumë, në varësi të tonazhit të mjeteve.
Ndërmjetësim në zgjidhjen e marrëveshjeve, ja konfliktet që zgjidhen
Një ligj i r ii ndërmjetësimit do të zëvendësojë ligjin actual, për faktin se ky i fundit ka pasur mangësi në aplikim dhe impakti i ndërmjetësve ka qenë i ulët.
Projektligji i ri (është në diskutim në kuvend) parashikon forcimin dhe pavarësinë e Komisionit të Licencimit të Ndërmjetësve, sa të mos e dëmtojnë pavarësinë e tij në procesin e dhënies së licencave të ndërmjetësve. Një nga risitë e projektligjit lidhet me zgjerimin e rrethit të konflikteve që mund të zgjidhen me ndërmjetësim. Kështu, ndërmjetësimi mund të zbatohet edhe për çështjet me natyrë administrative që lidhen me shpërblimin e dëmit të ardhur si rezultat i zbatimit të akteve dhe vendimeve administrative, si dhe për zgjidhjen e pasojave që mund të vijnë për një palë, individ apo person juridik nga procesi i anullimit ose i shfuqizimit të tyre. Po ashtu, ndërmjetësimi mund të zbatohet edhe në rastin e konflikteve midis shtetasve shqiptarë kundër Republikës së Shqipërisë si rezultat i procedurave të gjykimit në GJEDNJ. Ndërmjetësimi mund të zbatohet edhe rastin e mosmarrëshjeve ndërkufitare tregtare dhe
mosmarrëveshjet në fushën detare), mbështetur në ligjin model të UNCITRAL-it.
Një risi tjetër e parashikuar është se procedura e ndërmjetësimit në fushën civile dhe tregtare përfundon me kalimin e një afati deri në 30 ditë nga vendimi i gjykatës për pezullimin e gjykimit për shkak të paraqitjes së kërkesës së palëve për zgjidhjen e çështjes me ndërmjetësim.
Situatë e vështirë e bizneseve: Ja anketimi
Bizneset në vendin tonë janë duke kaluar një situatë të vështirë pasi 31 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se, ambienti për të ushtruar aktivitetin është përkeqësuar më tej në vitin 2017.
Përqindja e bizneseve që vlerësuan të rënduar ambientin e biznesit këtë vit ishte më e larta ndër të gjitha vendet e Rajonit, sipas anketimit të Barometrit të Ballkanit.
Gjithashtu Shqipëria pati nivelin më të ulët të përqindjeve ku bizneset menduan se klima e biznesit ka mbetur në vendnumëro dhe është përmirësuar. Anketimi gjeti se 33 për qind e bizneseve shqiptare mendojnë se, ambienti i i biznesit është përmirësuar këtë vit. Kjo është përqindje e ulët në raport me mesataren rajonale ku 48 për qind e bizneseve të anketuara mendojnë se klima e biznesit është përmirësuar.
Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale në Rajon dhe nuk aplikon politika incetivuese për investimet e huaja, teksa ndryshimi i shpeshtë i ligjeve dhe aksionet e qeverisë kundërt ekonomisë informale e kanë rënduar më tej klimën e biznesit.
Fushata anti – informalitet në shifra
Sipas një njoftimi zyrtar nga DPT, shërbimi i Tatimpaguesit ka asistuar ballë për ballë më shumë se 17,000 tatimpagues, 3,500 është numri i tatimpaguesve të kontaktuar për ligjin e faljeve. Mbi 8,200 tatimpagues janë kontaktuar për të nxitur vetëkorrigjimin, 3,500 është numri i vizitave këshilluese të përfunduara dhe janë organizuar 14 takime me komunitetin e biznesit në territor.
Qendra e Thirrjes ka vijuar të ofrojë shërbimet në numrin e vënë në dispozicion për çdo problematikë dhe suport ndaj çdo tatimpaguesi duke asistuar rreth 4,000 telefonues si dhe përdorues të live chat.
Për dy javët e para të fushatës është mundësuar përfundimi i 4,773 kontrolleve (kontrolle nga zyra, vizita fiskale apo verifikime në terren) ku kontrollet nga zyra përbëjnë 73 % të totalit, këto kontrolle u shoqëruan me më shumë se 170 milionë lekë gjetje dhe raporti gjetjeve me penalitete është në masën 70% me 30%.
810 subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore, ku Tirana ka dhe numrin më të madh me 430 subjekte e ndjekur nga Vlora me 84 dhe Durrësi me 77.
Ka vijuar sensibilizimi për të mundësuar mbledhjen e detyrimeve të prapambetura, ku gjatë kësaj periudhe numri i subjekteve që kanë reaguar pozitivisht është 624 dhe vlera është 488 milionë lekë.
Ka filluar procesi i fshirjes automatike të detyrimeve për periudhën përpara vitit 2010 dhe kompensimi me kredi, si për periudhën përpara vitit 2010 dhe atë 2011-2014, gjithashtu dhe fshirja e detyrimeve me kusht për periudhën 2011-2014 për ata tatimpagues që kanë paguar principalin, më shumë se 1000 tatimpagues kanë përfituar dhe ky proces vijon ende.
Strukturat e zbatimit kanë vijuar me verifikimet në territor, janë verifikuar 6,778 subjekte ku 21% e tyre kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar. Janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore gjatë dy javëve të para të aksionit 323 punonjës që janë konstatuar të padeklaruar dhe janë mbyllur 212 subjekte të paregjistruar në organet tatimore si dhe për shkelje të tjera si moslëshim kuponi për herë të dytë.
Nënshkruhet memorandum, krijohet platforma
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara dhe BERZH, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për krijimin e “Platformës Informuese për tatimpaguesit”. Zyrat e informimit (Fier dhe Krujë) kanë për qëllim ofrimin e një informacioni të qartë dhe të përditësuar për tatimpaguesit, në lidhje me detyrimet tatimore, apo mbi regjistrimin e bizneseve të reja. Këto zyra do të vendosen pranë qendrave të ADISA –s që ofrojnë shërbime publike të integruara me një ndalesë dhe pritet të jenë funksionale në fillim të 2018. Materialet informative, që do përgatiten për individët apo tatimpaguesit, janë të hartuara në format të lehtë për përdoruesit sipas nevojave të ndryshme si dhe do të jenë të disponueshme online. Sipas drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, znj. Vasilika Vjero “shtrirja në një dimension më të gjerë të funksionimit të shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve për të qënë më afër tyre si dhe zgjerimi i rrugëve të informimit është në prioritetet e Administratës Tatimore”.
Kreditë? Lehtësohen për individën, rëndohen për bizneset
Individët e kanë pasur më të lehtë të marrin një kredi në bankë, por e kundërta ka ndodhur me bizneset. Banka e Shqipërisë ka publikuar “Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për Tremujorin e Tretë 2017”. Bankat mbeten të tërhequr në kreditimin e bizneseve të mëdha, që kanë rezultuar edhe më problematiket në kthimin e huave.
Rezultatet tregojnë se standardet e kredisë janë shtrënguar për bizneset ndërsa janë lehtësuar për individët. Sipas madhësisë së biznesit vihet re se standardet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë mbetur të lehtësuara njësoj si një tremujor më parë, ndërsa në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha standardet janë shtrënguar.
Shtrëngimi i kushteve të kredisë të bizneseve u zbatua kryesisht nëpërmjet zvogëlimit të madhësisë së kredisë dhe rritjes së kërkesave për kolateral, ndërsa lehtësimi i tyre u shpreh nëpërmjet zvogëlimit të komisioneve dhe marzhit mesatar. Bankat shprehen se lehtësimi i kushteve të kredisë për individë u zbatua kryesisht nëpërmjet zbutjes së kërkesave për kolateral, ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë dhe rritjes së raportit të këstit ndaj të ardhurave.
Shqiptarët në Itali, ja sa paguajnë bizneset shqiptare
Në Itali, të ardhurat e gjeneruara nga të huajt përbëjnë 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose rreth 130 miliardë euro. Shqiptarët renditen të dytët përsa u përket kontributeve që japin në Prodhimin e Brendshëm Bruto të shtetit fqinj. Kontributi i emigrantëve shqiptarë është 256 milionë euro në ekonomi. Të huajt jo vetëm kanë prodhuar pasuri (131 miliardë euro pasuri), , por dhe kanë paguar më shumë se 7 miliardë euro si tatim mbi të ardhurat personale dhe 11 miliardë si kontribut të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Gjysma e kontributit në PBB vjen nga sektori i shërbimeve, mbi 26 miliardë euro pasuri vjen nga prodhimi; pasuar nga ndërtimi dhe tregtia, me rreth 12.2 dhe 11.6 miliardë euro përkatësisht.