Porti i Peshkimit, më në fund i peshkatarëve

Porti i Peshkimit, më në fund i peshkatarëve
1 Gazeta T&I Durrës Nr 18

Pas peripecish që zgjatën gati një vit e gjysëm, Porti i Peshkimit u çlirua nga pushtimi i jahteve, të cilat kanë gjetur strehë të përkohëshme në disa qoshe të kalatave të Portit Detar. Ndërkohë, duhet t’i bashkohemi gëzimit të peshkatarëve, të cilët arritën të ankoronin anijet e tyre vetëm pak ditë para stuhive të kohëve të fundit. Siç thonë ata, do të kishte ndodhur një katastrofë e vërtetë, nëse stuhia me det 7 ballësh do t’i kishte gjetur akoma, ashtu të lidhura në kalatat e Portit të Durrësit. Dhe, u desh ndërhyrja e Kryeministrit që investimi 15 milion dollarësh të shkonte në destinimin e përcaktuar që në fillim të tij, për anijet e peshkimit dhe jo për anijet lundrimit sportiv. Në fakt, grupi i pronarëve shqiptarë i nja 20 jahteve u përpoq shumë ta shndrronte atë në port jahtesh, ide krejt e kuptueshme për vendin tonë, i cili ka vetëm një port të tillë, atë të Orikumit. Meqë sektori i jahteve në përgjithësi paraqet një interes të veçantë për Dhomën, do t’i kushtojmë atij një shkrim tjetër, në po këtë numër të kësaj gazete.

Në situatën e re lindin një serë pyetjesh në lidhje me manaxhimin e portit të peshkimit dhe performancën e tij në mbështetje të një peshkimi efektiv:
Në fakt,është akoma në përgatitje kuadri regullator që  ky port t’i jepet në përdorim Organiztës së Manaxhimit të Peshkimit (OMP) Durrës, si dhe të administrohet nga një bord i përbashkët i formuar nga përfaqësues të OMP, të Drejtorisë së Peshkimit pranë Ministrisë së Bujqësië si dhe të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Ky bashkëadministrim në këtë periudhë fillestare është i kuptueshëm, meqë pronari i vetëm i portit është shteti  shqiptar. Më vonë, mund të hapet rruga që shteti të përfaqësohet nga Bashkia Durrës, siç ndodh në shumë vende të tjera.
Ndërkaq, pyetja më e rëndësishme lidhet me plotësimin nga investimet, tashmë të përfunduara në këtë port, të funksioneve kryesore, për të cilat kanë nevojë anijet e peshkimit. Kjo pyetje ka shumë vend, sepse plani i zbatimit ndryshon së tepërmi nga projekti fillestar për portin, i hartuar atëhere si bashkëpunim i një kompanie daneze me OMP Durres dhe Drejtorinë e Peshkimit. Kështu:

  • Praktikat e para të lëvizjeve kanë treguar që hyrja e portit duhet zgjeruar, për të thjeshtuar manovrat e hyrjes në dhe daljes së anijeve të peshkimit nga porti.
  • Në port vihen re akoma lidhje të tre-katër anijeve me njëra tjetrën. Kjo ndodh për shkak se në dy anët e gjysmës së basenit nuk mund të ankorohet: atje janë hedhur një sasi e madhe gurësh jo vetëm pa funksion, por që pengojnë dyfishimin e kapacitetit të portit!
  • Në port është ndërtuar edhe Tregu i Peshkut (Merkato Itico), ku parashikohet shitja  me shumicë e peshkut nga pronarët e anijeve për kompanitë tregtare. Ky treg do të rregullonte përfundimisht shitjen e peshkut me çmime sispas raportit ofertë kërkesë. Por, pronarët e anijeve pretendojnë që sipërfaqa e tregut duhet dhe mund të dyfishohet, ndërsa qelat frigorike të zgjerohen duke i bashkuar dy e nga dy.
  • Furnizmi me karburant sigurohet nga një pikë e posaçme, me çmim pa akcizë dhe asnjë taksë tjetër. Njihet tashmë kërkesa e OMP për heqjen e TVSH për naftën, ashtu si është vepruar në vendet fqinje të rajonit (Kroaci, Itali, Greqi).
  • Hapsira për Kantjerin e Riparimeve është sot nën ujë. Por, disa pronarë anijesh kanë idenë për të ndërtuar një kantjer privat, duke shfrytëzuar fillimisht gurët krejt pa funksion të hedhur në basen. Kështu hapet mundësia për të ribetonuar si bankinat e gjysmës së portit, ashtu dhe sheshin e kantjerit të riparimeve.

Siç mund të kuptohet lehtë, investimet në portin e peshkimit janë mbyllur dhe dorëzuar, por nuk kanë përfunduar! Megjithatë, peshkatarët durrsakë janë të lumtur që kanë sot në duar një port për anijet e tyre. Ndërsa leksionin që peshkimi është një sektor me shumë halle ua kujtuam edhe njëherë me portin e ndërtuar alla shqiptarshe!

Shpërndaje këtë lajm
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin